Jump to content

Gjeografia e Burimit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Burimi zë pozitën më veriore të Rrafshit të Dukagjinit. Merr frymë çlirshëm nga të gjitha anët. Nga veriu e ndajnë kreshtat e maleve të larta të Moknës, maja më e lartë e të cilave, maja e zezë, shtrihet në lartësi deri në 2.155 metra.

Pjesa fushore është tokë e plleshme dhe përshkohet nga tre lumenj relativisht të mëdhenj për kushtet e Kosovës. Lumi më i madh që kalon nëpër këto anë është Drini i Bardhë. Burimi i këtij lumi krasik është ndër burimet më të mëdha në Kosovë, nga i cili rrjedhin 30 m3 ujë në sekondë. Nga burimi i Lumit të Burimit, që ndodhet në afërsi të qytetit të Burimit, rrjedhin 3 m3 në sekondë, sa gjyma e këtij uji buron edhe nga burimi i Lumit të Vrellës. Pos këtyre lumenjve, në kohë të shirave janë të pasur me ujë edhe lumenjtë më të vegjël, si Bujena, Kujafçi, Shushica, Përroni i Sudenicës e ndonjë përrua tjetër me burim krasik. Fusha e gjerë që shtrihet ndërmjet këtyre lumejve është mjaft pjellore dhe me florë e faunë të vrullshme dhe me klimë të kënaqshme, mezokontinentale që është e përshtatshme për kultivimin e drithrave, të perimeve dhe të pemëve. Fusha shtrihet në kuotat më të ulta të lartësisë mbidetare në Kosovë, vetëm afër 350-400 metra. Përmes luginës së Drinit të Bardhë edhe këndej rrahin rrymat e ngrohta të klimës mesdhetare. Ndeshja e këtyre rrymave të ajrit me kreshtat e maleve të larta të Moknës ndoshta ka kushtëzuar që në Burim të fryejë era më e fortë e veriut në Ballkan. Kjo erë di të fryejë ndonjëherë me rrëmbim edhe deri në 150 km në orë, me ç'rast rrëzon edhe kulme shtëpish. Karakteristikë e kësaj ere të fortë është se frynë vetëm përgjatë rrëzes së bjeshkëve dhe në thellësi të fushës nuk hyn më shumë se dhjetë kilometra. Frynë përgjatë gjithë bjeshkëve, të thuash prej Runikut e deri në Radavc, e më e fuqishmja është në Burim dhe në fshatrat e tija më të afërta. Ka pasur raste që ka rrëzuar edhe shtëpi të ndërtuara nga materiali i fortë prej guri dhe tullash. Ky është një fenomen i rrallë natyror që nuk është studjuar deri sot.

Me matjet e temperaturave prej vitit 1925 deri më 1940 është dëshmuar se në Burim muaji më i ftohtë, me temperaturë mesatare 0,1 °C, ka qenë janari, ndërkaq muaji më i ngrohtë – qershori, me temperaturë mesatare 22,2 °C.