Jump to content

Gjeologjia në Kukës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjeologjia (nga greqishtja geo - Tokë, logia - shkencë) është shkenca e tokës e cila studion qendrueshmerine e Tokës, shkëmbinjtë nga të cilët ajo përbëhet dhe proceset përmes të cilave ato ndryshojnë. Fusha e gjeologjisë është e rëndësishme për zbulimin e mineraleve dhe hidrokarbureve, vlerësimin e burimeve ujore dhe trajtimin e problemeve mjedisore.

Historiku i studimeve gjeologjike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Gëlqeror Triasik në Grykën e Vanave, Kukës

Të dhënat e para për gjeologjinë e Shqipërisë janë dhënë në vitin 1868 prej studiuesve Franceze Ami Bue dhe Viknesnel, në volumin e IV-tërt të librit " Turqia Europiane" me karakter tepër gjeografik e përshkrues.[1]

Më 1905 Weters u mor me studime të ndërtimit gjeologjik të Shqipërisë së Veriut. Në vitet 1905-1907 hungarezi F.B. Nopsca kreu rilevime gjeologjike të shkallës 1:200000, kryesisht të Shqipërisë veriore dhe më 1929 botoi monografitë në një seri trajtimesh të gjeologjisë së rajoneve veriore te Shqipërisë [2]. Në vitet 1922-1926 E.Nawack kreu rilevim gjeologjik në pjeset qendrore të Shqipërisë dhe në vitin 1928 botoi një hartë gjeologjike të Shqiperisë në shkallën 1:200000 dhe tekstin shpjegues të saj. Në vitin 1939 S.Zuber përpilon hartën tektonike të Shqipërisë në shk. 1:400000 me sqarimet e saj. Më vonë në vitet 1942-1943 ai përpilon një hartë gjeologjike të Shqipërisë në shk.1:200000. Në vitin 1916 F.B. Nopca ka kryer nje Marshutë gjeologjike nëpër zonën e Kukësit dhe po ashtu ka kryer një Marshute të tillë E. Nowack.

Në periudhën 1930-1942, në rajonin e Kukësit u kryen punime gjeologjike nga shoqëritë e ndryshme aksionere italiane,që kishin karakter kryesisht shfrytëzimi të mineralit të kromit si në Kalimash, Qafë Kumbull, Fushë Dukagjin e Surroj. Gjatë viteve 50-të në disa pika te mineralizimit të kromit kanë vazhduar punimet e shfrytëzimit.

Duke filluar nga viti 1957 nisën studimet e para gjeologjike për pasuritë minerale të rrethit të Kukësit nëpërmjet rilevimeve gjeologjike të shkallës 1:50000 dhe punimeve të kërkim-zbulimit në vend-burimin Kalimash 1,Kalimash 2, Surroj, Trull-Surroj dhe Gjegjan. Kështu në vitet 1959-1961 u kryen rilevimet gjeologjike në shkallën 1:50000 nga gjeologët rusë Kollnak L.M dhe Urmanov për zonën e Kukësit dhe të Hasit dhe nga Lepedjev-Velicko,për pjesën juglindore e lindorë të rrethit të Kukësit. Kësaj periudhe i takon edhe fillimi i punimeve gjeologjike dhe zbulimi i vend burimeve të bakrit Gjegjan.

Pas viteve 1960-1961 në rrethin e Kukësit të gjitha punimet gjeologjike filluan te kryhen nga gjeologët shqiptarë. Krahas vazhdimit të punimeve të zbulimit të mineralit Cr (Krom),Cu (Baker), Fe (Hekur), Ni (Nikel) u filluan edhe punime studimore më të detajuara për njohjen më të thellë të ndërtimit gjeologjik dhe pasurive minerale të rrethit Kukës. Kështu mund të përmenden punimet e rilevimeve gjeologjike të shkallës 1:25000 deri 1:2000 dhe studime tematike e përgjithësuese për probleme në sektorë të veçuar të rrethit.

Si rezultat i këtyre punimeve u gjetën mjaft pika të mineralizuara të cilat u vlerësuan në interes praktik për kërkim-zbulimin e mineraleve të dobishme. Këto shfaqje iu nënshtruan punimeve më të detajuara të kërkim-zbulimit të shoqëruara këto me rilevime gjeologjike të shkallës 1:2000 ose 1:5000, punime komplekse gjeofizike e gjeokimike dhe punime minerare sipërfaqësore nëntokësore dhe shpime. Shumica prej tyre u klasifikuan si vendburime kromi,bakri dhe hekurnikeli e nikel silikat etj.

Vendosja e gjeologjise në kuadrin krahinor

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rrethi i Kukësit përfaqëson një sektor të Republikës së Shqipërisë me ndërtim gjeologjik mjaft kompleks dhe kyç ku kanë gjetur rrugëzgjidhje mjaft probleme të ndërtimit gjeologjik e tektonik të vëndit tonë në pikëpamje më regjionale. Në territorin e rrethit të Kukësit përfaqësohen dy zona gjeologo-tektonike të Albanideve të brendshme, zona "Korabi" dhe zona "Mirdita".

Velky Korab 2011
  • Zona e Korabit shtrihet në pjesën me lindore të rrethit të Kukësit, në krahinën e Gorës dhe të Lumës. Shkëmbinjtë paleozoik dhe mesozoik të kësaj zone në krahun perëndimor kufizohen me të ashtuquajturën korniza karbonatike, dhe më në perëndim kemi shkëmbinjtë ultrabazik të zonës gjeologo-tektonike Mirdita, ndërsa në krahun lindor vazhdojnë matanë kufinjve shtetërorë. Shkëmbinjtë paleozoik përfaqësohen në pjesën më të madhe nga rreshpe, ranor, kuarcite si dhe më rrallë thjerrza e ndërshtresa karbonatike. Gjithashtu takohen edhe shkembinjtë ignimbrite-kuarc porfire e vullkanite të tjera.[3] Zhvillim të konsiderueshëm në zonën e Korabit kanë edhe shkëmbinjtë vullkanik siç janë gabrodiabazet e diabazet, e sektorit Lojme-Nimçë-Tërshenë-Bushtricë dhe shkëmbinjtë intruziv siç janë monconit-sienitet e Nimçës e Çajës.
  1. Njësia gjeologo-tektonike Gjallica zë fill, me pushim stratigrafik në vazhim të njësisë së Çajës ( pjesa e sipërme e zonës Korabi). Kjo njësi është nyja lidhëse e zonës së Korabit me atë Mirdita, dhe në të gjejnë pasqyrim një sërë fenomenesh gjeologo-tektonike, pjesë e historisë së zhvillimit të zonës Mirdita.[3] Në ndërtimin gjeologjik të saj marrin pjesë nga poshtë lart shkëmbinjtë terrigjen konglomeratik të P - T1 , vazhdojnë shkembinjtë karbonatik të T1 ,2,3 -J1. dhe mbi ta vendoset seria efuzivo-sedimentare me të cilën është i lidhur edhe i mirënjohuri vendburimi bakrit Gjegjan.[4]
  • Zona Mirdita në rajonin e Kukësit dhe Hasit, përfaqësohet nga shkëmbinj magmatik dhe sedimentar të kretakut dhe neogen- kuaternarit. Përhapje më të madhe kanë shkëmbinjtë ultrabazik përfaqësuar nga perdotite, dunite, piroksenite, olivinite dhe llojet e tyre të serpentinizuara. Edhe shkëmbinjtë bazik si gabro, gabronorite, gabropiroksenore kanë zhvillim në rajon. Masivi ofiolitik i Kukësit është një përbërës i rëndësishëm dhe shumë domëthënës i brezit Lindor të Ofioloteve të Shqipërisë. Në këtë masiv gjenden të gjthë pjesët përbërëse të njësive të ofioliteve. Nga Lindja në drejtim të Perëndimit renditja petrologjike paraqitet: harcburgite, harcburgit-dunite, dunitet masive, zona kalimtare, gabrot e shtresëzuar, gabrot izotopike, kompleksi i dajkave, vullkanitet. Në kontaktin lindor me masivin janë amfibolitet. Trashësia e harcburgiteve është 2 km. Mbi harcburgitet kemi vazhdimin e një zone harcburgitesh me thjerëza dunitesh ku këto të fundit në pjesët më të sipërme vijnë duke u shtuar dhe dora-dorës kalojnë në një zonë ku mbizotërojnë dunitet ndaj thjerëzave të harcburgiteve. Trashësia maksimale arrin deri në 2,2 km. Mbi këtë zonë kalohet në dunitet masive, ku pothuajse mungojnë thjerrzat e peridotiteve. Kjo trashesi arrin rreth 0,8 km. Mbi këtë trashësi dunitesh fillojnë të shfaqen në prerje të veçanta zona kalimtare me verlitet e piroksenitet, që përgjithësisht e ruajnë shtrirjen e shkëmbinjve të mëparshëm. Prerja më sipër, herë-herë me formimin e peridotiteve plagjioklazike, apo të troktoliteve të mirëfillta dhe të pirokseniteve, kalon në shkëmbinjë gabrorë (Përroi Rrunës, Qafë Kumbull, Qafë Komi etj). Zhvillim të konsiderueshëm kanë edhe shkëmbinjtë efuziv bazaltor të Mirditës qëndrore, dhe shkëmbinjtë mezoacid si plagjigranitet. Këto janë të përhapur në sektorin Helshan-Shëmri. Mbi shkëmbinjë ultabazik të masivit të Kukësit, në mjaft sektorë si në Mamëz, Surroj, Arrën dhe në zonën e Hasit është e vendosur korja e prishjes hekur-nikelor dhe nikelit silikat, e cila mbulohet nga gëlqerorët e Kretakut të cilët së bashku me depozitimet e N2-Q1 (Neogjen Kuaternar) dhe Q4 (Kuaternar) përbëjnë katin e sipërm strukturor.[5]

Rajoni Kukës Has paraqet një pamje gjeomorfologjike mjaft të larmishme, kjo e kondicionuar nga ndërtimi lotologo-strtigrafik, porqeset gjeologo-tektonike e magmatike që kanë ndodhur që në fillimet e formimit në periudhën paleozoike (Ordovik-Devonian para rreth 500 milion viteve) e deri ne Neogen.

Mali i Kallabakut, Kukës

Zona e Korabit me daljet e saj në rrethin Kukës zë një siperfaqe prej rreth 600 km2 është zona më lindore e Albaniteve. Në perendim ajo kufizohet me zonën Mirdita, ndërsa në lindje vazhdon edhe tej kufirit shtetëror. Në anën perendimore të zonës Korabi, buzë ofiolitive të zonës Mirdita takohen shkëmbinjt mesozoike të cilët zgjaten sipas shtrirjes pothuajse meridionale. Në tërësinë e zonës Korabi me dalje në rrethin e Kukësit janë të evidentuara e vecuara njësia tektonike e Kollovozit dhe ajo e Cajës.

  1. Njesia e Kollovozit ka dalje sipërfaqësore prej rreth 350 km2. Përfaqëson strukturë mbihipëse deri mbulesore. Në veri kjo kontakton tektonikisht me gëlqeroret triasike të njësisë Gjalica të zonës Mirdita, në afersi të fshatrave Zapod e Kosharisht. Në perëndim njësia e Kollovozit mbivendoset tektonikisht mbi njësinë e Cajës. Kjo njësi ndërtohet tërësisht prej shkëmbinjsh rrëshporë si rreshpefilitike, ranore, kuarcite, ignimbrite etj, të moshës së Ordovit-Devonit. Ajo paraqitet si strukture monoklinale me renie kryesisht lindore e komplikuar nga rrudhosje dhe shkëputje të shumta tektonike.
  2. Njesia e Cajes ka dalje forme brezi të ngushtë nga lumi i Lumes në veri e deri në Fshat e Draje në jug, duke zënë sipërfaqe prej rreth 250 km2. Kufirin e njësisë Caje me njësine e Gjalicës, që është dhe kufiri i zones Korabi me zonën tektonike Mirdita, e vërejme sipas kufirit kontakt të depozitimeve copëzore të permo triasikut me depozitimet karbonatike triasiko-jurasike të njësisë Gjalica. Njësia e Cajes ndërtohet nga shkëmbinjtë rrëshporë të ordovik-devonianit dhe ato terrigjene të karbon triasikut dhe seria konglocopezore "Luma" e permotriasikut. Struktura e formacioneve të njësise është mjaft e komplikuar,me struktura të rrudhosura dhe me mjaft shkëputje tektonike të drejtimeve të ndryshme.[3]

Zona gjeologo-tektonike Mirdita, zë sipërfaqen dominuese të rrethit. Në lindje ajo nëpërmjet njesisë tektonike Gjalica kryesisht lidhet me zonen tektonike "Korabi". Pra njësia Gjalica nga disa studjues konsiderohet si pjesë e zonës Mirdita. Njësia tektonike Gjalica takohet me daljet e saj sipërfaqësore që nga Koritniku,vazhdon me Gjalicën, malin e Beleshës, Kolesian, Resk, Lusen e Vile - Draje-Vrri- Arren, pothuajse kudo në buzët lindore të shkëmbinjve ultrabazike të brezit lindor. Kjo njësi ndërtohet kryesisht nga shkëmbinjte karbonatike në vijim të kongloranoreve të C-P-T1 të njësisë Caja. Ato përfaqësojnë një strukture të madhe monoklinale me renie afrovertikale dhe perendimore që në sektore të vecantë, koklavitet nga tektonika rrudhosese e shkëputëse mjaft e zhvilluar si në shtrirjen e saj ashtu dhe kryq kësaj strukture.

Në thyerjet përgjatë shtrirjes së strukturës së karbonateve e vullkano-sedimentare të triasik-jurasikut vërehen edhe shkëmbinj ultrabazike etj. Këto trajtohen nga shumica e studjuesve si të shtrydhura nga zona e subduksionit ose nga nenkorja. Këto shoqërohen gjithnje nga formime terigjeno-copezore të formuara nga prishja e shkëmbinjve rrethues. Karakteristike është ndërfutja Përbreg-Zbinec-Gjalice-Resk-Qafë Draje.[6]

Ngjarjet madhore tektonike që ndodhen gjatë jurasikut cuan në formimin e riftit Mirditor dhe hapjen e kores oqeanike. Pas zgjerimit oqeanik gjate jurasikut,në jurasik të vonshem zhvillohet procesi i zhytjes së kores kontinentale nën koren oqeanike dhe në këtë faze ndodh dhe vendosja tektonike e shkëmbinjve ultrabazike mbi buzët kontinentale Ne bazë të kësaj vendosje formohen amfibolitet e brezit të serise efuzivo-sedimentare jurasike gjatë gjithë zgjatjes së strukturës së njësisë Gjalica dhe ofioliteve. Mbi këto shkëmbinj ofiolitik që ndërtojnë tërësinë e zones Mirdita dhe që përfaqësohen nga shkëmbinj ultrabazike gabro, plagjiogranite dhe shkëmbinj efuzive,në sipërfaqen e rrethit Kukës, kemi formimet transgresive të Kretakut me depozitime të kores prishjes së ofiolitive dhe kryesisht gëlqeroreve që në rrethin tonë takohen nga Morini, Bardhoci, Marthi, Kodra e Pecës, kepi i Tafës, Knetë-Mamëz-Trull Surroj dhe deri në qafë Komi e Vrri-Arren.-Nome

Edhe mbas këtij zhvillimi në rrethin e Kukësit në sajë të aktiviteteve tektonike të pliocen-kuaternarit që patën karakter të thyerjeve vertikale në rajon krijuan blloqe tektonike si gropa e Kukësit në tërësi ku u formuan edhe depozitimet copezore të neogjen –kuaternarit. [5]

maja e Pashtrikut

Në rajonin e Kukësit depozitimet më të vjetra që takohen janë shkëmbinjtë paleozoik (formimet e ordovik-devonianit) dhe me siper vazhdojnë me depozitimet karbon-permo-triasikut, të cilët pranohen si të tillë kryesisht mbi të dhëna e analiza gjeologo-strukturore e tektonike, pasi mungojnë të dhënat biostratigrafike.

  • Ordovik – Devoniani (O-D)

Shkëmbinjtë paleozoik te O-D përfaqësohen në pjesën më të madhe nga rreshpe, ranor, kuarcite si dhe më rrallë nga thjerza e ndërshtresa karbonatike . Në përhapjen e tyre vërehet se dalje më të medha paraqesin rreshpet me thjerza gëlqeroresh me krinoidea dhe thjerzat e kuarciteve. Gjithashtu takohen edhe shkembinjë ignimbride- kuarc-porfire e vullkanite të tjera si dhe mjaft shtresa ranoresh. Tërësia e shkëmbinjve te O-D trajtohet si e ndërtuar nga tre pako kryesore.

  • Pakua e kuarciteve dhe e ranoreve - Kjo pako përfaqësohet nga disa dhjetra metra alevrolite me ngjyrë të murrme deri në të zezë,ranor selicitik dhe rreshpe silico-sericitike, për të vazhduar me kuarcitet dhe ranoret e kuarcizuar. Dalje të mira siperfaqësore vërehen në sektorët Nimce, Topojan,shpati perëndimor i malit te Kollovozit, Kroi i Bardhe, Kallabak, Sorokol etj. Thjerrzat e kuarciteve në tavan shoqërohen me ranor kokërr mesëm,kokërr imët,metaarkozik, me matriks me ngjyrë të blertë silico-sericitik e kloritik. Në këtë pako njihen shfaqje dhe shenja polinetalore të Pb,Zn,Cu, Baritit. Vetë kuarcitet janë përdorur kryesisht në industrinë e qelqit. Trashësia e kësaj pakoje vlerësohet rreth 150 m.
  • Pakoja e ranor të metamorfizuar - gradualisht pasurohen me miniera-lizime të hekurit deri sa kalojnë në horizontin xeheror hekuror të tipit klorit-oksid. Ngjyra e këtij horizonti varion nga e gjelbër deri në të kuqërremtë në vartësi të pranisë së hematitit. Trashësia e horizontit hekuror arrin në disa metra dhe ka karakter shtresor e thjerrzor,ashtu si dhe kuarcitet dhe ranoret e poshtështruar.
  • Pakoja e rreshpëve filitike me thjerrza gëlqerorësh krinoidik - e ka vazhdimin e saj mbi horizontin hekur mbajtës. Rreshpet e kësaj pakoje në pjesën e poshtme kanë përhapje silico-sericitike dhe pamje filitike,ngjyrë të verdhe të murrme,me thjerza gelqeroresh gri deri të zi shtresë holle,mjaft te metamorfizuar me krinoidea. Në pjesë të ndryshme të prerjes së kësaj pakoje vërehen edhe thjerza rreshpesh ranorike e alevrolitike me ngjyre hiri te murrme.
  • Karbon-triasiku i poshtem - Shkëmbinjte e vecuar , që janë pranuar deri sot si të karbon-triasikut të poshtëm, përhapen kryesisht në njësine e Cajës nga Pleshtani e Çaja në jug e deri në Nimce e Lojme në veri. Përfaqësimi litologjik i këtyre shkëmbinjve është i larmishem dhe në prerje verehen ndryshime faciale të shpeshta e në sektore të ngushtë. Kemi të bëjmë me shkëmbinje turbididike me dalje më tipike në luginën e Cajës dhe Vasiaj-Pleshtan. Ato përfaqësohen nga ndërthurje rreshpesh jeshile, klorit-kuarcore ose klorito-sericito-kuarcore, me ranore arkozike, mikrokonglomerate, konglomerate e konglobrekce me matriks te blertë. Rrallë takohen edhe ndërshtresa gelqeroresh radiolaritike me ngjyrë roze-laramane. Me kalime faciale me shkëmbinjte e mësipërm takohet dhe një facie me pamje flishore, ritëm holle, ranore-karbonatike, ngjyrë hiri në të gjelbër.
  • Permo-triasiku i poshtëm (P-T1) - Shkëmbinjë të konsideruar të moshës së permo-triasikut të poshtëm (të njohur zakonisht me emrin "Seria Verrucano") takohen në (Bele, lumi i Lumës-Nimce, Topojan, Tërshenë, Kolesjan, Fshat, Vile etj.). Nga shumica e studjuesve të kësaj zone, për këto shkëmbinj të kësaj moshe kohët e fundit është perdorur emertimi grupor suita "Luma". Përfaqësimi kryesor i tyre është prej konglomerato-ranore-kuarcore me zajë kuarcitesh, kuarci, rrëshpesh, ranorësh epidiabazesh etj. Lënda lidhëse është ranorike e kuqrremtë, rrallë me ngjyrë verdhacake- të blertë me asortim të keq dhe rrumbullakim mesatar. Shpesh midis ranoreve takohen sekuenca shkriferimesh të vjetra hekurore.

Në suitën konglomeratiko- ranore "Luma" përgjithësisht nuk janë takuar ndërprerje nga intruzione magmatike.[7]

  • Mezozoiku (Mz)
Shpelle karstike ne gelqeroret triasik

Depozitimet mesozoike, përfaqësohen kryesisht nga shkëmbinjë të triasikut e jurasikut dhe me perhapje të kufizuar të kretakut. Në prerjen e Vahnave takohen, të kësaj moshe gelqerore pllakholle gri të errët me ndërshtresa silicoresh ngjyrë jeshile të kuqrremtë. Triasiku i sipërm-jurasiku i poshtëm ne rajon përfaqësohet nga facie e gelqerorëve masive pllaketrashë ngjyre hiri e celur, pra neritike dhe takohet në vargmalin Koritnik- Gjalicë e më në jug Kalaja e Lekës etj.

  • Jurasiku - në rajon përfaqësohet me:[8]
    • gëlqerore të kuqerremtë,merglore me trashësi të kondensuar,
    • radiolarite turfogjene të jurasikut të sipërm,
    • seria efuzivo-sedimentare e jurasikut të sipërm
    • shkëmbinjë të përzierjes sedimentaro-tektonike ofiolitike.

Shkëmbinjtë gëlqerorë të kuqërremtë, merglore me trashësi të kondensuar kanë trashësi 5–7 m. Radiolaritet turfogjenë me ngjyrë të kuqe tulle janë mjaft karakteristike dhe vendosen në tavan të serisë karbonatike triasiko-jurasike,herë mbi gëlqeroret e "kondensuar" pelagjike (Drajë) herë mbi gëlqeroret neritike në Tërshenë, Resk, Ura e Lapave etj. Dhe paraqet trashësi deri 25 m. Seria e shkëmbinjve efuzivë-sedimentarë ka përhapje të gjërë në sektorët nga Morini - Gjegjan - Përbreg - Surroj- Arren – Molle Lure etj. Mosha e kësaj serie e diskutuar për shumë kohë dhe nga shumë autorë,rezulton të jetë e jurasikut të sipërm sic pranohet sot nga shumica e studiuesve.


  • Kretaku - Shkëmbinj te Kretakut në rajonin e Kukësit takohen në brezin Morin - Përbreg - Mamëz - Knetë - Surroj- Vrri - Arren - Molle Lure etj, më në jug. Ato përfaqësohen nga depozitimet e korës prishjes hekur nikelore,kongloranore dhe gëlqerore merudiste shtresë hollë e mesëm. Trashësia më e madhe përfaqësohet me gëlqeroret. Këto depozitime vendosen transgresivisht kryesisht mbi shkëmbinjtë ultrabazike ,bazike dhe tektonikisht mbi gëlqeroret triasiko-jurasike (Vrri-Arren-Qafe Bene) dhe serinë ef-sedimentare (Aliaj).
  • Pliocen – Kuaternari (N2-Q1)

Depozitimet e pliocen- kuaternarit takohen në sektorët e Përbregut - Kukesit - Bushatit dhe në tarracat lumore të Mamëzit etj.Ndërtohen nga konglomerate pak te cimentuara ndërshtresa thjerzore ranore e argjilore. Kanë trashësi maksimale deri 300 m (gropa e Shtiqnit). Konsiderohen si formime liqenore-lumore. Kuaternari-Përfaqësohet me depozitimet shpatore copëzore të Gjalicës dhe përgjithësisht janë brekzore karbonatike takohen në Shtiqën - Nangë,Bicaj etj. Takohen edhe depozitime kuaternare eluviale,deluviale dhe aluviale,përgjithësisht në pjesë e sektorë të ndryshëm të rajonit ne shtratet e përrenjve e lumenjve.

Magmatizmi triasik Shkëmbinj magmatikë të moshës triasike përfaqësohen me facie vullkanike të triasikut të poshtëm të vendosur mbi kongloranorët e serisë Luma në ranoret e Verfenianit. Dalje të tyre janë ato në Bele, Grykë te Vanave, Lojme, Nimçë, Brekijë, Tërshenë, Limth, në Belesh, Skavicë, Ura e Dodës, pak në Tejdrinë etj. Përfaqësohen nga derdhje bazike si diabazë, gabrodiabazë, porfirite diabazike, bazalte etj. Për pozicionin e këtij magmatizmi,prerje më të qarta paraqiten në grykën e Vanave-Lojme, në malin e Beleshës Kolesjan, në përroin e Palqetit-Limth etj. Si magmatizmi triasik,nga autorë të ndryshëm konsiderohen edhe dalje të vogla mjaft interesante të përbërjes acide-alkalinore-tufo-lifaritike dhe porfire kuarcore. Këto në trajtë trupash të vegjël subvullkanike janë takuar dhe në kufirin e serisë "Luma" me rrëshpet paleozoike si dhe në lidhje të ngushtë moshore e hapsinore me vullkanitet e tjera triasike (Beleshë, Skavicë,Ura Dodës etj.)

Shpellat karstike të Përbregut

Magmatizmi Jurasik-Ofiolitik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shkëmbinjtë magmatikë të Jurasikut (ofiolitet) dominojnë si të tillë me daljet e tyre në siperfaqen e rrethit të Kukësit. Ato përfaqësohen nga shkëmbinjtë intruzivë ultrabazik e mesataro-acid dhe efuzivë (bazalte, llava jastekore, andezito-bazalte). Shkëmbinjtë ultrabazik përbëjnë daljet kryesore në formen e masiveve të vegjël, si vazhdimi më verior i masivit ultrabazik të Lurës në zonën Mollë-Lurë-Nome nga masivi i Kukësit në Sektorin Surroj-Kalimash-Drini i Bardhë-Bardhoc-Morinë me vazhdimin e tij në Rrethin e Hasit në Myc-Gjinaj-Vlahen. Vazhdimi verior i masivit ultrabazik të Lurës Masivi i Kukësit dhe vazhdimi i tij më në veri deri në Vlahen, në fakt përfaqësojnë një tërësi shkëmbinjsh ultrabazik me dalje të vecuara për efekt të mbulesës kretake apo edhe efekteve tektonike të brezit ultrabazik lindor të vendit tonë i cili nëpërmjet vazhdimësisë së shkëmbinjve ultrabazik të sektorit Nikoliq-Qarr-Përollaj lidhet me masivin ultrabazik të Tropojës. Sipërfaqen më të madhe të daljeve të masivit ultrabazik të Kukësit e përfaqesojnë ato të Surroj-Kalimashit(rreth 100 km2), ku dhe përfaqësimi i prerjes ultrabazike është më i plotë. Sipërfaqe të konsiderueshme zënë harcburgitet e serpentinizuara të cilat takohen në pjesët më lindore, njëkohësisht ato përfaqësojnë pjesën më të thellë të prerjes ultrabazike. Trashësia e shkëmbinjëve harcburgit i kalon 1000 m duke mos ekspozuar trashësinë vërtetë për arsye të komplikimeve tektonike dhe mbulesave të ndryshme. Daljet sipërfaqësore të këtyre shkëmbinjëve hartografohen në zonën e Surroit (pellgu i Leshnices), Fushë Dugagjin-Mamëz dhe Drini i Bardhë-Gjegjan-Bardhoc-Morin. Më tej prerja vazhdon me të ashtëquajturën brez të peridotit-duniteve me një trashësi rreth 800 m, dunitet e serpentinizuara me thjerrëza të vogla peridotitësh që paraqesin trashësi relativisht të madhe sidomos në sektorin e Kalimashit. Më sipër prerja vazhdon me shkëmbinjtë lercolit-verlitë me thjerza dunitesh dhe piroksenite. Kjo pjesë e prerjes mund të konsiderohet edhe si pjesë kalimtare e shkëmbinjve ultrabazike në ato gabror të masivit të Kaptines. Shkalla e serpentinizimit të këtyre shkëmbinjve është e madhe.[9]

Shtrirja e tyre është në formë e zgjatur Juglindje-Veriperendim me rënie në përgjithësi Jugperendim me kënde nga 20-30 grade në Kalimash deri në 60-70 grade në zonën e Surroit. Në zonën e Kalimashit hartografohen dalje të shkëmbinjve pothuajse të pa serpentinizuar të dunitëve të freskëta (objekti i oliviniteve), të cilat bëjne perjashtim qoftë për nga shkalla shumë e ulët e serpentinizimit, qoftë edhe nga mos përputhja e strukturave në përgjithësi me llojet e tjera të shkëmbinjëve ultrabazike që u përmendën më lart. Pa përjashtuar mundësitë e strukturave të rrudhosura në tërësi, daljet e shkëmbinjëve ultrabazike pranohen si strukture monoklinale. Ne pjesën më lindore shkëmbinjtë ultrabazike (harcburgitet tektonite) nëpërmjet shkëmbinjëve metamorfikë-amfiboliteve, kontaktojnë me shkëmbinjtë e serisë efuzivosedimentarë të Jurasikut të sipërm si në Surroj, Qinamak,Gjegjan e Morinë (sipas të dhënave nga shpimet). Kontakti në shumicën e rasteve ka rënie perëndimore me vendosje të shkëmbinjëve harcburgit mbi amfibiolitet e serisë efuzivo-sedimentarë (Gjegjan,Marth, Përbreg Qinamak etj. Në disa raste ky kontakt paraqitet i përmbysur me vendosje të amfiboliteve dhe fragmenteve të serisë efuzivo sedimentarë mbi shkëmbinjëtë ultrabazike dhe në rënie lindore si në Gjegjan dhe pjesërisht në Surroj-Aliaj.

Tektonika shkëputëse paraqitet tepër e zhvilluar dhe me influenca të konsiderueshme në dislokimin e trupave të ndryshëm xeherorë. Evidentohen kryesisht dy sisteme prishjesh tektonike: ai me shtrirje meridionale dhe afro meridionale, që karakterizohet kryesisht me spostime në planin vertikal dhe sistemi i prishjeve tërthore me karakteristikë kryesore spostimin në planin horizontal të llojeve të ndryshme shkëmbore. Bashkëveprimi i këtyre dy sistemeve kryesore të tektonikës shkëputëse dhe fenomeneve të tektonikës rrudhosëse që konstatohen në disa raste, ka bërë që deshifrimi strukturor i ndërtimit të brendshëm i masivit ultrabazik të jetë mjaft i veshtirë. Me tërësinë e këtyre shkëmbinjve ultrabazik lidhen pothuajse të gjitha shfaqjet dhe trupat kromifer si dhe formimet e mineralizimeve të kores së prishjes të hekur-nikelit gjithashtu takohen edhe shenja të mineralizimeve sulfide dhe asbeztizime e më rrallë edhe damare magneziti. Krahas këtyre xeheroreve në shkëmbinjtë ultrabazik me interes paraqiten olivinitet, piroksenitet, peridotitet plagjioklazike dhe lloje të ndryshme shumë të serpentinizuara e me ngjyrë deri te zeze të duniteve qe mund të sherbejne si materiale ndërtimi (gurë dekorativë) dhe lëndë të parë industriale për prodhime refraktare (olivinitet). Përvec sa u përshkrua më sipër lloje ultrabazike të shkëmbinjve takohen me kontakte tektonike në shumicën e rasteve edhe në brendësi të fushës së përhapjes së shkëmbinjve gabrore si në rajonin e Vrishit, Pistes e Gdheshtes dhe në Leproj e përgjatë lumit te Srriqes.

Shkëmbinjtë intruzive bazike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përfaqësohen nga dalje masive të shkembinjve gabrore të perfshirë në emërtimin konvencional "masivi gabror i Kaptines" që ka dalje që nga Mirdita me në jug e deri në Dobrune të Hasit në veri duke zënë një siperfaqe prej rreth 350 km2. Ato në pergjithësi Paraqesin një vazhdimësi normale të diferenciatit ultramafik. Gabrot në pjesën lindore vendosen mbi shkembinjtë ultrabazike nëpërmjet pirokseniteve të kontaktit (Rrune, laku i Qershisë, qafe Komi etj.) duke kompletuar kështu prerjen dhe monoklinalin e madh ultrabazik-bazik me shtrirje meridionale dhe rënie kryesisht perëndimore.Në këtë masiv gabror takohen lloje të ndryshme shkëmbinjsh si gabropiroksenite, gabro, gabronorite, gabro-amfibolite, gabro kuarcore etj, që paraqesin në vetvete diferencim të magmës gabroide. Llojet e ndryshme të shkëmbinjve gabrore janë të prekur nga seria dajkore prej damarësh pirokseniti, plagjiogranitesh mikrogabrosh, mikrodioritesh etj. Shtrirja e përgjithshme e shkëmbinjve gabrore pranohet në bazë të elementeve të matur si meridionale e afromeridionale me rënie perëndimore e jugperëndimore me kënde rënie 60-80 grade. Tektonika rrudhosëse e përmasave të vogla është e pranishme. Tektonika shkëputëse është mjaft e zhvilluar në teresine e daljes shkëmbinjve gabrore e sidomos pranë kontakteve me shkëmbinjtë ultrabazike. Dominuese janë prishjet tektonike të orjentimit meridional dhe të shtrirjes paralele e pothuaj paralel. Sistemi i shtrirjes meridionale afromeridionale është kryesori edhe për lokalizimin e mineralizimeve hidrotermale sulfure. Ky sistem prishjes e carjesh paraqitet me intensivisht i zhvilluar sidomos prane kontaktit dhe ne kontakt te shkëmbinjve gabrore me ato ultrabazik (duke bërë që ky kontakt disa herë të konsiderohej tektonik në kuadër edhe regjional). Shkëmbinjte gabrore në teresi takohen ne rajonin Qafe Komi-maja e Rrunës-Kalimash-Shemri e deri në Piste e Gdhështë, pothuajse gjithkund në kontakt me shkëmbinjte ultrabazike në anën lindore,duke plotësuar kështu prerjen e intrudimit. Me shkëmbinjtë gabrore janë të evidentuara lidhjet e mineralizimeve hidrotermale kuarc-sulfur e klorit-kuarc-sulfur si në zonën e Zezmës Camit, Shëmri Leproit, Vrish-Asdreni e Pistë Gdhështës etj. Kohët e fundit në pjesë të ndryshme të prerjes së gabrove sidomos afër kontaktit me shkëmbinjtë ultrabazike pa përjashtuar raste edhe në brendesi të shkëmbinjve gabrore takohen shenja të mineralizimeve sulfide të karakterit singjenetik që mund të kenë mjaft interes për studim dhe vlerësim industrial si në shtrirje ashtu edhe në rënie të prerjes ,ku vërehen këto shenja mineralizimi. Me interes vlerësimi janë edhe dalje të vecuara të gabro pegmatoideve që mund të shërbejne si gure dekorative.[5]

Shkëmbinjte mesataro-acid

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kanë përhapje relativisht të vogël në sipërfaqe dhe takohen në sektorin e Dugagjin-Shëmrise e Mgullë-Asdre. Kontaktojnë me shkëmbinjtë gabrore në mardhënie intruzive. Ndërtohen kryesisht nga plagjiogranite dhe diorite kuarcore. Kanë ngjyre te bardhe deri ne bezhe, rralle te kuqrremte deri roze. Ne teresine e shkembinjve ofiolitike intruzive te zones zene pjesët me apikale kryesisht të gabrove duke përbërë pjesën me acide të facies plutonike gabroplagjiogranitike. Shkëmbinjte mezoacide intruzive me serinë e dajkeve paralele diabaziko-keratofirike përbëjnë dhe pjesën ndërmjetëse kalimtare për në derdhjet e facies vullkanike të zonës "Mirdita" në përgjithësi. Me këto shkëmbinj në disa raste janë takuar mineralizime damarore sulfide (si në Asdrej, Mgulle etj.).

Pasurite minerale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rajoni është i pasur me minerale te shumta metalore (sidomos krom, dhe më pak Nikel-Silikat, Hekur Nikel e bakër) dhe jo metalore (kuarc, mermer). Keto te fundit përdoren kryesisht si lëndë ndërtimi ose zbukurimi. 930 km2 ose 43% e siperfaqes totale te rajonit, është e pasur me minerale. Nga këto 930 km2 , 96% është e pasur me Krom, sidomos zona e Tropojës (84%) dhe e Kukësit (12%). Mineralet e tjera ndodhen në sasi më të vogla: nikel-silikat (2.3% e sip totale me minerale), ferro-nikel (1%) dhe baker (0.13%). Janë 30 ndërmarrje në rajon që kanë leje minerare dhe ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor, 20 nga të cilët janë vetëm në Tropojë dhe Kukës.[10]

Mineralet metalore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Trup Kromi në Fushë Dukagjin
  1. Minerali i kromit takohet në të gjithë sektorët e përhapjes së shkëmbinjve ultrabazik. Kështu në zonën e Surroit janë takuar një sërë trupash si në Kapit, Leshnicë, Andrra, Trull ku dhe janë zbuluar 1.3 milion ton me mbi 25% Cr2O3 si dhe janë takuar mjaftë shfaqje të tjera si Thanëz, Kusias, Hekras në të cilët nuk janë kryer punime zbulimi. Në sektorin Kalimash-1 janë zbuluar 2.260 000 ton rezerva Kromi me mbi 25% Cr2O3. Në sektorin Kalimash-2 janë 2.450 000 ton në trupat 1 dhe 2. Në sektorin Kalimash-3 në trupat 2.3.6,6A 6B janë zbuluar 1.680 000 ton mineral kromi. Gjithashtu në zonën e Kalimashit janë takuar edhe mjaft objekte të tjerë si Përroi i Batrrës, Përroi i Rrunës e Marajth me 1.220 000 ton. Po kështu ka edhe mjaft trupa dhe shfaqje të tjera në të cilët nuk janë kryer punime zbulimi. Edhe në zonën e Hasit ka mjaft objekte si Vlahna me rreth 3.000 000 ton me përmbajtje 30%-32% Cr2O3 dhe në pjesë të veçanta të vendburimit mbi 40% Cr2O3, si dhe disa objekte të tjera si Gajrepi, Gzhime, Perollaj, Maçi me rreth 300 000 ton me përmbajtje mbi 25% Cr2O3.
  2. Minerali i bakrit është mjaft i përhapur në rajonin Kukës-Has.
    Miniera e Bakrit në Gjegjan, Kukës
    Eshtë i njohur vendburimi i Gjegjanit që ndodhet në serinë efuzivo-sedimentare me një sasi prej 3 600 000 ton me 3,5% Cu, i cili në pjesën më të madhe është shfrytëzuar. Përveç tij janë të njohur edhe mjaft objekte të bakrit damaror kuarc-sulfur në masivin Gabrorë të Kaptenës si në zonën e Shemrisë dhe në atë të Hasit.Kështu në zonën e Shemrisë janë objektet e Gdheshtës me 300 000 ton, Leproi me 460 000 ton si dhe objektet Mgull, Qam, Asdre, Kodra e gjetës Zezëm etj. me një sasi rezervash të zbuluara në total ~500 000 ton. Edhe në zonën e Hasit janë të njohura objektet e Nikoliq 1 dhe 2 me rreth 2 000 000 ton, Golaj me 1 000 000 ton si dhe Qarr, Zylfaj, Krumë, Zahrisht, Qaf Tobli etj. me sasi më të vogël rezervash. Gjithashtu edhe në shkëmbinjtë efuziv të rajonit Helshan - Shëmri janë takuar një sërë objektesh, trupash dhe shfaqjesh si në Spas, Petkaj, Shikaj, Helshan dhe Kosturr.
  3. Minerali i hekur-nikelit dhe nikelit silikat ka përhapje shumë të madhe në rajonin Kukës-Has në formën e kores së prishjes që zhvillohet mbi shkëmbinjtë ultrabazik dhe mbulohet nga gëlqerorët e kretakut. Më të studiuar deri tani janë vendburimet e Trullit, Mamzit dhe Nomes. Rezervat e zbuluara deri tani në keto objekte janë:
Vendburimi Minerali Sasia Përqindja e Min.I Përqindja e Min.II
Trull Nikel-Silikat 49 000 000 ton 0.9% Ni 22.82% Fe
Trull Hekur-Nikel 10 000 000 ton 0.993% Ni 32.35% Fe
Mamëz Nikel-Silikat 24 000 000 ton 0.988% Ni 18.66% Fe
Mamëz Hekur-Nikel 19 000 000 ton 1.101% Ni 35.84% Fe
Nome Nikel-Silikat 4 000 000 ton 1.226% Ni 21.75% Fe
Nome Hekur-Nikel 2 000 000 ton 0.859% Ni 43.38% Fe
Totali Nikel-Silikat 77 000 000 ton 0.94% Ni 21.47% Fe
Totali Hekur-Nikel 31 000 000 ton 1.05% Ni 35.20% Fe

Edhe në zonën e Hasit korja e prishjes e hekur nikelit dhe nikelit silikat është mjaft e zhvilluar duke filluar që nga Myç Hasi në drejtim të Gjinajve dhe Domajve në anën lindore si dhe nga Qafë Tobli-Sefoll-Vranisht-Krumë-Gajrep në anën perëndimore. Punime zbulimi në këtë sektor nuk janë kryer dhe nuk janë llogaritur rezerva, por e themi me siguri se edhe ne këtë ndodhet një sasi kolosale rezervash.

  1. Minerali i hekurit pa nikel takohet ne zonën e Korabit si në Bushtricë, Shishtavec, Sorokol, Kallabak ku janë zbuluar rreth 1 000 000 ton me 24.8% Fe dhe prespektiva për rezerva të tjera është e hapur.
  2. Minerali i aluminit takohet në zonën e Arrnit (Vrri), ndërmjet gëlqerorëve të triasit me kretakun dhe janë zbuluar rreth 450000 ton bokside me modul ~4 të cilësisë së II-të dhe të III-të.[5]

Mineralet jometalore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. Olivinitet takohen në Kalimash ku është i njohur vendburimi i olivinitit dhe me punime zbulimi janë konturuar 60 000 000 ton me 47.7% MgO dhe 38%SiO2. Janë përdorur për prodhimin e tullave zjarrduruese dhe për eksport, por me studimet e kryera gjatë viteve të fundit paraqet veti shumë të mira si gur dekorativ.
  2. Ortofiret takohen në sasira të mëdha në Turaj, Shishtavec, Shtrezë dhe permbajtja e K2O është 12%.
  3. Kersantietet (lëndë e parë biotitike) takohen në Çajë, Shishtavec dhe Nimçë. Rezervat janë në sasi shumë të madhe dhe rreth 65% e shkëmbit është biotit.
  4. Kuarcitet takohen me shumicë në zonën e Korabit ku objektet më të rëndesishme janë në sektorin e Kallabakut ku përmbajtja e SiO2 është 94%-97%. Përdoren si flus në metalurgji dhe në industrin e qelqit.

Mineralet ndërtimore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. Mermeret takohen në rrethin e Kukësit ne formën e Gëlqerorëve të mermerizuar si në Bicaj, Kolosjan, Vahna dhe në formën e mermerëve në Kolosjan dhe Ujmisht.
  2. Piroksenitet takohen në sektorin Përroi i Rrunës-Qafë Komi dhe kanë veti dekorative dhe kushte të favorshme shfytëzimi. Gjenden rezerva kolosale.
  3. Ranat karbonatike janë në fshatin Bicaj dhe janë shfytëzuar pjesërisht.Janë llogaritur gjithsej rreth 7.000 000 m3.
  4. Gëlqerorët për çimento gjenden në Bicaj dhe janë llogaritur 26 500 000 ton.
  5. Argjilat takohen kryesisht në gropën e Kukësit dhe në Myç Mamëz e Mamëz dhe ndahen në:
  • Argjila për tulla - takohen në Nangë dhe Bushat ku janë llogaritur 1 000 000 m3 dhe në Mamëz 100 000 m3.
  • Argjila për çimento - takohen në Kënetë dhe Nangë ku janë llogaritur rreth 300 000 m3.

Përveç sa trajtuam me sipër në rajonin Kukës - Has takohen edhe mjaft shenja mineralesh të tjera si diabazet (bazaltet), dioritet, serpentinitet, granatet, shenja të grafitit, magnezite, piriti, asbesti, por që deri tani nuk janë vlerësuar apo studiuar.

Liqeni i Fierzës

Resurset hidrike të rajonit Kukës-Has janë një pasuri e konsiderueshme. Një pjesë e tyre sot është në shfrytëzim dhe përdoret në ekonominë kombëtare (H/C Fierzës) si dhe për nevoja lokale si urbane, bujqësi dhe për nevoja teknollogjike, por megjithëse këto janë resurse të përseritëshme shkalla e shfytëzimit të tyre në kohën e sotme është mjaftë e ulët. Pasuritë ujore të rajonit përbëhen nga ujrat sipërfaqsore dhe ujrat nëntoksore. Rajoni në fjalë nga ana hidrologjike është pjesë e pellgut të Drinit. Rrjedhjet ujore përfaqsohen nga lumejtë e Drinit (Drini Bardhe dhe Drini Zi), ku sot ndodhet liqeni Hirocentralit të Fierzës, si dhe degëzimet e shumta të tyre si Lumi Lumës, Lumi Krumës prroi Lapave. Përroi I Serriqes etj. dhe mjaftë përrenjë të tjerë që në pjesën më të madhe të tyre janë të karakterit malor. Gjithashtu në hidrografinë e rajonit bëjnë pjesë edhe një serë rezervuarësh artificiale që ndodhen kryesishtë në zonën e Hasit. Ujrat nëntoksore dalin kryesisht në formën e burimeve të vegjël ose grup burimesh nga të cilët sigurohet uji i pijshëm për popullatën. Këto burime janë kryesishtë zbritës ku dallohen burimet poro-shtresore, të çarjeve dhe të karstit. Të tilla janë burimet e Kolosjanit, Ujmishtit dhe Lojmeve me ujrat e te cilëve furnizohet qyteti i Kukësit, burimi Vrella e Krumës që furnizon qytetin e Krumës dhe zonat për rreth. Gjithashtu ka raste që takohen bashkë burime uji arteziane, të infiltrimit dhe ujra kënetore, si në ekosistemin Ligatinor Këneta e Kukesit. Këto ujra janë të tipit Hodrokarbonat kalciumi, me mineralizim dhe fortësi mesatare. Zona kryesore e ushqimit dhe drenimit për këto ujra janë bjeshkët Koritnik-Gjallicë-Kallabak, gelqeroret e kretakut në rajonin e Hasit dhe Surroj-Arrën. Në pjesën e shkembinjve magmatik si Kalimash, Shëmri, pjesa qendrore e Hasit etj, ujrat nëntoksore janë kryesisht të carjeve dhe formojnë burime më të vegjël.

Hidroteknika ne rajon eshte marre me studimin, projektimin dhe zbatimin e punimeve te ndertimit te veprave hidroteknike per shfrytëzimin e energjise se ujrave të lumenjëve e përrenjëve nëpërmjet HEC-ve, për ujitjen e kullimin e tokave bujqësore nga vërshimet e lumenjëve si dhe nga gërryerjet, per furnizimin me ujë te pijshem dhe industrial të qendrave të banuara dhe ndërmarrjeve ekonomike.

Në Qarkun e Kukësit perveç lumit te Drinit, ka disa lumenjë te vegjël dhe perrenjë malor të cilët kanë përhapje pothuajse në të gjithë rajonin. Ndërtimin e H/c në ketë zonë e favorizon edhe fakti që këta përrenjë janë të karakterit malor me pjerrësi të madhe, gjë që nuk kerkon ndertimin e veprave te medha ujembledhese, dhe me prurje te konsiderueshme dhe te qendrueshme pothuajse gjithe vjetrore. Si me te përshtatshëm për ndërtimin e HEC-ve të vegjël lokal veçojmë:

  1. Përroin e Lapave (Bushtricë) dhe degëzimet e tij.
  2. Lumin e Lumës dhe përrenjtë që lidhen me të.
  3. Perroin e Serriqës (Shemri), ku kushtet gjeomorfologjike dhe prurjet e përroit te Serriqës dhe perroit te Leproit favorizojnë ndërtimin e një hec
  4. Lumin e Krumes dhe përroin e Vlahnës, ku kushtet për ndërtimin e veprave ujë-mbledhëse janë shumë të favorshme. Ndërtimi i tyre do të shërbente jo vetëm për prodhimin e energjisë, por do të kishte një rëndësi të veçantë dhe për vaditje dhe ujë industrial.
  1. ^ 1. Libri "Turqia Europiane"
  2. ^ Geologie und Geographie Nordalbaniens. Series geologica. Franz Nopcsa (Institutum Regni Hungariae Geologicum, Budapest 1929), fq.7-620
  3. ^ a b c Alaudin Kodra, "Gjeologjia dhe perspektiva e mineraleve te dobishme ne rajonin Resk-Shishtavec" - Dizertacion në vitin 1986
  4. ^ Alaudin Kodren, "Mbi moshen jurasike te formacioneve vullkanogjeno sedimentarë të zonës së Mirditës, Përmbledhje studimesh Nr. 3, viti 1976"
  5. ^ a b c d Grup autoresh, Harta gjeologjike dhe e mineraleve te dobishme per rreethin e Kukësit, viti 2000
  6. ^ Alaudin Kodra, Bilbil Shehu, Riza Selimi, Lulzim Goci "Gjeologjia e rajoneve qendrore e veriore të njësisë Gjalica", Përmbledhje studimesh Nr.3, viti 1981
  7. ^ Riza Selimi, Alaudin Kodra "Relacion i punimeve të kërkim-revizionimit për rajonin Nimçë-Orgjost", viti 1972
  8. ^ Alaudin Kodra, "Mbi moshën jurasike të formacioneve vullkanogjeno-sedimentarë të zonës Mirdita", Përmbledhje studimesh Nr.3, viti 1976
  9. ^ Haki Caslli, Bilbil Shehu "Rilevimi në shkallë 1:10000 i masivit ultrabazik të Kukësit"
  10. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 15 prill 2017. Marrë më 29 mars 2015. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)