Gjon Gjoni
Gjon Marash Gjoni (Gjonaj) ose Gjon Shuku, siç jemi mësuar ta thërresim, lindi në fshatin Ukth të Pukës më 20 shtator 1948. Arsimin fillor e ka kryer në Dedaj dhe 7-vjeçar në Qelëz. Pas mbarimit të shkollës së mesme pedagogjike "Shejnaze luka" në Shkodër, ka ushtruar profesionin e mësuesit në fshatrat Kryezi, Mardhnaq, Berishë, Qelëz. Në vitet 1973-1975 ka punuar kujdestar në konviktin e shkollës së mesme të përgjithshme të qytetit të Pukës. Është diplomuar në ish-shkollën e PPSh, dega filozofi në Tiranë. Ka kryer kursin e gazetarisë dhe ka fituar shkallë të lartë kualifikimi. Për shumë vite ka punuar në aparate të administratës partiake dhe shtetërore. Pasioni i tij ishte gazetaria. Që në vitin 1975 emrin e Gjon Gjonit e gjejmë në të gjitha organet e shtypit qendror të kohës, ku ka pasqyruar Jetën dhe veprimtarinë e rrethit të Pukës; për katër vite (1988-1991) ka qenë kryeredaktor i gazetës lokale të Pukës "Përpjekja". Në viteve zhvillimeve demokratike, krahas punës administrative në pushtetin lokal, ka drejtuar gazetat "Puka" dhe "Besa". Ka qenë anëtar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë dhe i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Pukës. Për merita pune në fushën e publicistikës është dekoruar me medaljen "Naim Frashëri". Një veprimtari të mirë ka Gjoni edhe në fushën e botimeve, sidomos të memoaristikës. Ka botuar librat:
1."Udhërrëfyesit e dijes I", (2005);
2 ."Modeli i një të riu shembullor" (monografi),(2005);
3. "Qelëza-vështrim historiko-etnografik", me bashkautor Marash Kolajn, (2005);
4. "Tri nderet e Mirditës" (Tregime), me bashkautor Zef Gjetën, (2008).
Gjoni ka bashkëpunuar, redaktuar ose ka bërë parathënien e mjaft librave të autorëve pukjanë.