Hamit Skenderi - Zasella
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
“Vetëm me shkollë mund ta bëjmë atë që duhet bërë për komb e atdhe.” (Hamit Skënderi - Zasella)
Kanë kaluar plot 114 vjet nga lindja dhe 32 vjet nga vdekja e veprimtarit të palodhshëm, Bacë Hamit Skënderit, nga fshati Zasellë i rrethit të Mitrovicës, po kujtimi e nderimi për veprën e tij madhore në të mirë të çështjes së kombit, në një anë dhe kësaj hiseje të atdheut, që lëngonte dergjur... shekuj me radhë, në anën tjetër, do të mbetet i paharruar nëpër breza e breza. Në ftesën për Akademinë përkujtimore në nderim të jetës dhe të veprës së tij, të mbajtur më 6 dhjetor 2003, thuhet: “Një jetë kushtuar arsimit dhe librit shqip”. Pra, një jetë e tërë kushtuar arsimit dhe librit shqiptar Dashuria për kombin e atdheun nuk njeh as moshë, as gjini. Dhe, një dashuri e tillë, nuk është e kushtëzuar që patjetër duhesh të jesh i shkolluar me ndonjë shkollë të lartë, fakultet apo akademi. Ama dashuria e tillë patjetër të drejton vetë drejt përvetësimit të shkrim-këndimit edhe pa kaluar fare nëpër bankat shkollore. Të tillët njihen ose identifikohen me nocionin Autodidakt... I tillë ishte edhe Bacë Hamit Skënderi, i cili: “Ndonëse nuk kishte vijuar ndonjë shkollë, Hamiti, falë atdhetarëve Muhamet Efendia, Xheladin Deda dhe Simon Shkreli, kishte mësuar si i ri shkronjat shqipe, numrat dhe katër veprimet themelore matematikore.”1) Se, thoshte ai, “Të punosh për kombin dhe vendin tënd, duhet të jetë qëllimi kryesor i kësaj jete.” Këndej, të themi shprehimisht, rrethanat e kohës nuk ia kishin mundësuar që ta lexojë edhe aq historinë e kombit dhe të atdheut të vet me sytë e ballit, por ai atë histori e kishte lexuar me sytë e mendjes dhe me sytë e shpirtit. Dhe, të gjitha ngjarjet madhore të kombit dhe të atdheut, nëpërmes kamerës së trurit, i kishte regjistruar në librin e zemrës e që i jepnin shkëndija flakëruese, të cilat e digjnin eshkë përbrenda. Ishte ndër të parët, në këto anët tona, që e kishte kuptuar drejt maksimën e poetit tonë të madh të Rilindjes sonë Kombëtare, Naim Frashrit: “Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë!”. Andaj jo vetëm se ishte rreshtuar në krahun e Rilindjes sonë Kombëtare, por ishte bërë edhe zëdhënësi i saj në këtë hise të atdheut, tok me atdhetarët e devotshëm Muhamet Efendinë, Xheladin Dedën, Simon Shkrelin, Bedri Gjinën etj., kur pothuaj se shqiptarët e kësaj hiseje të atdheut ishin gati qind për qind analfabet, si rezultat i intrigave e dredhive të pushtuesve se një popull të pashkolluar, madje në gjuhën amtare jo se jo, do ta mbash të pushtuar shumë më lehtë për një kohë më të gjatë, duke e joshur me lloj-lloj premtimesh të kota e boshe... Dhe, për ta ndryshuar sado pak gjendjen ekzistuese në arsimimin e bashkëkombësve të vet të kësaj hiseje të atdheut, edhe pse vetë ishte autodidakt, ia kishte shtruar veti detyrë që të sillte libra shqip nga Shqipëria Mëmë... Dhe, për ta realizuar këtë anë kaq madhore e kaq fisnike nuk i mungonte dëshira, vullneti, entuziazmi dhe mbi të gjitha nuk i mungonte guximi, që ishte çelësi i të gjithave. Po, në aso rrethanash, e vetmja gjë që i mungonte - ishte baza materiale për realizimin e atyre synimeve të larta, fisnike e atdhetare. Megjithatë, ai i ishte zotuar në heshtje kombit, të cilit i takonte, në njërën anë dhe hises së atdheut, që lëngonte, në anën tjetër në dy rrafshe: një, në rrafshin e përpjekjeve për çlirim nga zgjedha shumëshekullore dhe, dy, në rrafshin e përpjekjeve për arsimimin e tij në gjuhën e mëmës. Se vetëm një arsimim i tillë do të ngritët mbi themelet e shëndosha e frytdhënëse... Po si do të arriheshin këto, veçanërisht kjo e fundit?... Ai, për fillim, nga pasuria e tundshme (e lëvizshme) e tij kishte vendosur ta shiste një lopë tok me 15 krerë dele. Të hollat nga shitja e lopës dhe deleve nuk do t’i vinte në ndonjë biznes për të fituar a shtuar pasurinë, po për një kauzë shumë të madhe dhe tepër të rëndësishme për pjesën e hises së atdheut, të cilit i takonte, në arsimimin e kombit të vet të asaj hiseje, duke sjellë libra shqip nga Atdheu Mëmë – Shqipëria. Siç e pamë më lart për realizimin e asaj ideje madhore, krah mbështetës i kishte atdhetarët si Muhamet Efendinë, Xheladin Dedën, Simon Shkrelin, Bedri Gjinën etj., të cilët kishin edhe shkollë të kryer... (H. Syla) “Në pranverën e vitit 1924 Hamiti niset për Tiranë për të marrë libra në gjuhën shqipe. Këtë rrugëtim atij ia kishte mundësuar tregtari Sylë Baliqi nga Mitrovica, tokën e të cilit Hamiti e punonte përgjysmë dhe kishte miqësi shumë të fortë me te. Bashkë me të kanë shkuar edhe Mursel Dërvari dhe Zymber Kutllovci.”2) Tentimi i parë i Bacë Hamitit me dy përcjellësit e tij kishte përfunduar me sukses, gjë që i kishte dhënë zemër e shtytje shtesë për ta vazhduar me sukses rrugën e filluar... Dhe, pas një viti e gjysmë Bacë Hamiti tok me shokët e besës dhe të idealit do të nisej për kontingjentin e dytë të sjelljes së librave nga Shqipëria për nevojat në rritje të popullsisë shqiptare të Kosovës për atë kohë. Kësaj radhe Bacë Hamiti kishte shitur më shumë dele për të sjellë libra të ndryshëm. Sapo ishin kthyer në Mitrovicë librat e sjellë nga Shqipëria i kishin vendosur në depon e Sylë Baliqit. Nga aty i kishin bartur fshehurazi në shtëpinë e Sefedin Zasellës, që ishte brenda në qytetin e Mitrovicës. Prej andej Bacë Hamiti i kishte bartur në shtëpinë e tij në Zasellë. Ndërsa pas tetë vitesh ishin krijuar edhe 4 qendra të tjera për strehimin e librave shqip: në fshatin Bajgorë te Halit Bajgora, në fshatin Bradash te Abdullah Latifi (hoxha i Llapit), në fshatin Dërvar te Mursel Dërvari dhe në fshatin Kutllovc te Zymber Kutllovci... (H. Syla) Pra, ashtu si kishte vendosur Bacë Hamit Skënderi intimisht, ashtu kishte vepruar ilegalisht. Me rreziqe të panumërta e kishte kaluar, së bashku me shokët e idealit, kufirin shqiptaro-shqiptar... me trasta përplot me libra të ndryshëm, po mbizotëronte Abetarja e shenjtë, që do të bëhej dritare nëpër të cilën do të depërtonin shkëndijëza drite e diturie për breza e breza. Të sjellim një fragment të shkëputur nga artikulli i cituar në këtë shkrim të H. Sylës: “Përveç në Mitrovicë dhe në Zasellën e tij që e kishte qendër, Hamiti tani libra dërgonte edhe në Cërnushë, Tërstenë, Kutllovc, Bare, Bajgorë, Zhabar, Çabër... të gjitha këto fshatra të komunës së Mitrovicës; në Akrashticë, Drvar të Vushtrrisë dhe në vetë Vushtrrinë; në Abri e në Kostërc të Skenderajt; në Prishtinë, në Bradash e në Podujevë, si dhe kishte një qendër në fshatin Desivojcë të Kamenicës dhe një në Gjinovc të Therandës. Ka edhe një veçori shumë të rëndësishme për Hamitin. Ndoshta krahasimi nuk është ekuivalent, por megjithatë, ka një simbolikë në këtë krahasim. Ata që pak a shumë e kanë lexuar filozofinë, mund të kujtojnë se ka qenë një filozof shumë i njohur antik në Greqi që ka transmetuar dijeninë e tij rrugëve të Athinës e poliseve të tjera të helenëve. E kam fjalën për Sokratin e urtë, sofistin e çmuar. Hamit Zasella përveç shpërndarjes së librit, ka mësuar njerëzit të shkruajnë dhe të lexojnë shqip, jo nëpër shkolla, por nëpër livadhe, ara, rrugë, në biseda nëpër oda dhe kudo që i është afruar mundësia. Dhe atë jo vetëm në katundin e tij. Ishte një arsimdashës i flaktë dhe zemra i rritej sa herë që përmendej shkrimi, leximi e shkolla shqipe...” Kështu Bacë Hamit Skënderi – Zasella shpeshherë shërbehej në ndeja e në takime me ata që i mësonte edhe me aforizma... si fjala vjen: “Njeriu pa dituri, është si toka pa shi...” Kur qeveria shqiptare e kohës kishte vendosur që të fillojë e të dërgojë libra shqip nga Shqipëria për në Kosovë, që len për t’u nënkuptuar se një veprimtari e atillë kryhej përmes kanaleve, që i kishte miratuar qeveria e atëhershme shqiptare..., Muhamet Efendia i kishte ftuar krerët më të besuar, në mesin e të cilëve ishte edhe Bacë Hamiti, që të merreshin vesh se ku duheshin strehuar dhe si duheshin shpërndarë librat shqip të ardhur nga Shqipëria. Ai, atëherë, të pranishmëve u kishte thënë: “Zasellën e kemi shumë të sigurt, si Shqipëri të dytë dhe arsye e dytë është se këtu (në Zasellë v. i.) ka pasur edhe më parë aktivitete për përhapjen e librit dhe mësimin e shkronjave shqipe.” Ndërsa Bedri Gjinaj kishte shtuar: “Këtu (në Zasellë v. i.) ka njerëz të mirë, njerëz që e çmojnë shkollën dhe që janë në gjendje të sakrifikojnë për te.”3)
Në vend të përfundimit
Në vitin 1956 Bacë Hamiti shkon te ofiqari... për ta nxjerr një certifikatë të lindjes për djalin e dytë Skënderin. Por nëpunësi ofiqar heziton t’ia lëshojë një certifikatë djalit të tij me emrin Skënder, mbase për shkak të atij emri, që ishte identik me emrin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Bacë Hamiti, në zemërim e sipërm, i thotë nëpunësit ofiqar... se jo një herë, por dy herë do ta shkruash emrin Skënder... Dhe nga aty shkon drejt në organin kompetent për ndërrimin e mbiemrit nga Ibrahimi (H. Syla) në Skënder. Dhe, pasi e merr vendimin për ndërrimin e mbiemrit shkon te ofiqari, i cili kishte hezituar, herën e parë, që t’ia lëshojë certifikatën me emrin Skënder. Pas sjelljes së certifikatës për ndërrimin e mbiemrit, ai do t’ia lëshojë Bacë Hamitit, për djalin e tij të dytë, certifikatën e lindjes me Skënder Skënderi. Pra do ta shkruaj dy herë emrin Skënder, ashtu siç i kishte thënë Bacë Hamiti në ndarje herën e parë se vetë do ta shkruash dy herë këtë emër... Ky, pra, ishte Bacë Hamit Skënderi, që ishte bërë shembull i atdhedashurisë dhe shembull i shkrirjes së pasurisë vetjake për të mirën e kombit dhe atdheut... _______________ 1) Hysni SYLA: “Në 25- vjetorin e vdekjes, përkujtohet atdhetari dhe veprimtari për përhapjen e librit shqip, Hamit Zasella” – “FJALË E VALË”, nr. 8, Mitrovicë 2003, faqe 146. 2) Po aty, faqe 148. 3) Po aty, faqe 149-150