Shko te përmbajtja

Hasan Kurti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Doktor Hasan Kurti

Hasan Kurti (1933-2018) ishte një mjek shqiptar, me profesion radiolog si dhe autor librash.

Hasan Qamil Kurti lindi në 6 maj të vitit 1933 në Elbasan. Ai mbeti jetim që kur ishte fëmijë dhe në moshën 7-vjeçare, për shkak të varfërisë ekstreme, largohet nga shtëpia për të shërbyer në një familje. U detyrua të bëjë punë të rënda bujqësore, me lodhje dhe mundim.

Fillon të mësojë si audodidakt, por ëndrra për t’u arsimuar iu realizua pas çlirimit të Shqipërisë.

Fëmijëria e jetuar mes varfërisë dhe sëmundjeve zgjoi tek Hasan Kurti dëshirën për t’u bërë mjek e për të ndihmuar më të dobëtit e të pafatët. I jepet e drejta e studimit dhe më vonë fiton bursën për në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, në korrik 1954, doktor Hasani emërohet në Qendrën Sanitare, shef i Epidemiologjisë në Elbasan. Emërimi në punën e re koinçidon me përhapjen e epidemisë së kollës së mirë e, më vonë, me epideminë e fruthit - morbilli. Për të punuar atij i duhej të shkonte në zonën e Shpatit: në Gjinar dhe në Zavalinë apo në zona të tjera duke ecur për shumë orë në këmbë në kushtet e mungesës së rrugës automobilistike.

Pas përfundimit të Fakultetit, në shtator të vitit 1962 fillon zyrtarisht punën pranë Kombinatit të Drurit në Elbasan dhe më pas në Qendrën Sanitare në sektorin Epidemiologjik. Në shtator të vitit 1964 shkon në Tiranë për t’u specializuar në Rontgen Diagnostikë Radiologji. Pas përfundimit të specializimit fillon punën si mjek radiolog në Spitalin Civil në Elbasan.

Në 7 shkurt 1965 martohet me Sherife Mezini, që punonte në Bankën e Shqipërisë në Tiranë. Nga kjo martesë lindin tre vajza.

Pas shumë vitesh pune në spital transferohet në ambulancën e qytetit të Elbasanit, ku ushtron profesionin e mjekut radiolog në kushte të vështira, me orare të tejzgjatura, me një numër të madh njerëzish e me radiacion të lartë të rrezeve rontgen. U dallua për pasion, përgjegjësi dhe përkushtim, i gatshëm për të shkuar në çdo orë të natës në spital e për t’iu gjendur pranë pacientëve në situatë kritike.

Del në pension në vitin 1993. Në qershor 1995 transferohet familjarisht në Tiranë. Në 2006 shpërngulet së bashku me të shoqen në Itali, pranë vajzave.

Ishte lexues i apasionuar i letërsisë klasike dhe moderne duke ia transmetuar këtë dëshirë së bijës, poetes dhe shkrimtares Irma Kurti. Luajti një rol themelor në inkurajimin dhe mbështetjen e krijimtarisë së hershme dhe të mëvonshme të saj. Pas vdekjes së gruas, Sherife Mezini Kurti, ai i dedikohet dorëshkrimit të jetës dhe kujtimeve të punës si mjek.

Vepra “I ricordi di un medico” (Kujtimet e një mjeku) që përmban shënime të jetës së Hasan Kurtit, u shpall si një nga 200 librat më të bukur në Itali, i përzgjedhur nga rreth 600 vepra në Konkursin Kombëtar Letrar “Tre colori” në Lenola (Latina) në vitin 2021.

Libra me fragmente nga ditaret e tij janë botuar në gjuhën shqipe, italiane, angleze e franceze në Shqipëri, Kosovë, Itali, Filipine dhe Kamerun.

Mbylli sytë përgjithmonë në 19 prill 2018 në BergamoItalisë.

  • I ricordi di un medico, me bashkautore Irma Kurti, Kimerik, Itali, 2020;
  • Kujtimet e një mjeku, me bashkautore Irma Kurti, ADA,Tiranë, 2021;
  • Fragments from a doctor's diary, Poetry Planet Book, Filipine, 2022;
  • Prozë poetike dhe aforizma, Lena Graphic, Prishtinë, 2022;
  • Tra le righe di un diario, Youcanprint Edizioni, Itali, 2022;
  • Fragments du journal d’un médecin, Guiguess Editions, Kamerun, 2023;
  • The arrival of a new season, Poetry Planet Book Publishing House, Filipine, 2024;
  • L'arrivo di una nuova stagione, Youcanprint Edizioni, Itali, 2024;
  • Ardhja e një stine të re, Youcanprint Edizioni, Itali, 2025.
  • I ricordi di un medico (Kujtimet e një mjeku) u shpall si një nga 200 librat më të bukur në Itali, i përzgjedhur nga rreth 600 vepra në Konkursin Kombëtar Letrar “Tre colori” në Lenola (Latina) në vitin 2021.
  • I ricordi di un medico nderohet me vendin e tretë në Konkursin Letrar Filippo Maria Tripolone “La lanterna bianca"(Feneri i bardhë) në Messina të Siçilisë, korrik 2022.
  • Fragments from a doctor's diary u shpall si libri më i mirë në konkursin e organizuar nga Shtëpia Botuese Poetry Planet Book dhe Çmimet Ophir të akredituara nga Departamenti i Arsimit në Filipine në Seksionin e Poezive të shkurtra dhe Citimeve, në 2022.
  • I ricordi di un medico vlerësohet me çmimin e tretë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Universum Academy”, në kategorinë e veprave të botuara, organizuar nga Akademia Ndërkombëtare Universum në Lugano, Zvicër, 2022.
  • Hasan Kurti nderohet pas vdekjes me Çmimet Letrare Naji Naaman, 2024, në Liban.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]