Jump to content

Sherife Mezini Kurti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sherife Mezini Kurti (1935-2006) ishte një arsimtare dhe ekonomiste shqiptare.

Mësuese Sherife Mezini Kurti


Sherife Mezini (Kurti) lindi në Gjirokastër më 20 mars të vitit 1935 në një familje qytetare të njohur dhe me ndjenja patriotike. I ati, Latif Mezini, punonte në Postë, ndërsa e ëma ishte shtëpiake. Për arsye të punës së babait, shpërngulen në qytete të ndryshme të Shqipërisë si në Shkodër, Berat, Delvinë etj. Në 1942 transferohen në Tiranë, ku babai i Sherifes nis punën si inspektor i përgjithshëm i të gjitha postave shqiptare. Pas përfundimit të tetëvjeçares e shkollës së mesme ekonomike, Sherifja fillon punë në Bankën Qendrore në Tiranë dhe njëkohësisht studion e përfundon me sukses Fakultetin Ekonomik. Në vitin 1964 njihet me doktor Hasan Kurti, i cili në atë periudhë ndodhej në Tiranë për t’u specializuar në Rontgen Diagnostikë Radiologji. Në 7 shkurt 1965 martohen në një ceremoni të thjeshtë e nga kjo martesë lindin tri vajza. Transferohet në Elbasan ku punon për disa vite si ekonomiste në Ndërmarrjen Tregtare Shtetërore (NTSH). Në 1971 hapet shkolla e Mesme Ekonomike në Elbasan dhe ajo ishte një nga mësueset e para të stafit pedagogjik: jepte lëndët e Planifikimit dhe Kontabilitetit. Në 1975 me çeljen e Shkollës Ekonomike të Natës për kuadrot që vazhdonin shkollën pa shkëputje nga puna, Sherife Kurti vazhdon mësimdhënien dhe atje, duke u shquar si mësuese e përgatitur, me kërkesa të larta ndaj vetes dhe nxënësve, e dashur, e sjellshme dhe e edukuar. Në kërkim të perfeksionimit të metodave bashkëkohore mësimdhënëse, ajo u bë shembull i figurës intelektuale. Punonte dhe jashtë orëve të mësimit me maksimumin e forcave e energjive. Nxënësit shikonin tek ajo mishërimin e figurës së edukatores kërkuese e korrekte, por njëkohësisht të thjeshtë, që dinte t’i trajtonte ata me respekt dhe si të barabartë. Që në fillimet e punës në moshën 18-vjeçare e deri në daljen në pension në vitin 1990, Sherife Kurti iu dedikua me pasion e dedikim profesionit të ekonomistes dhe arsimtares. Gjithnjë pranë nxënësve, për t’i shoqëruar ata në praktikat mësimore e profesionale nëpër ndërmarrje, apo në aktivitetet që organizonte shkolla në Labinot - Mal, Shelcan, Shushicë, Byshek, Shalës, në malin e Dajtit në Tiranë etj. Nuk mungonte asnjëherë në aksionet e organizuara për mbledhjen e ullinjve, ujitjen etj., si dhe në punët e ndryshme në kohë fushatash, korrje gruri e mbjellje me kubikë. Në qershor 1995 Sherife Mezini (Kurti) transferohet familjarisht në Tiranë. Në fillim të vitit 2006 shpërngulet në Itali, pranë vajzave së bashku me të shoqin, doktor Hasan Kurtin.

Ndërroi jetë në Bergamo të Italisë më 25 tetor 2006.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

https://adsh.al/s/elbasani/item/14103 Arkivuar 29 tetor 2021 tek Wayback Machine

https://www.youtube.com/watch?v=af69zfN8Spw

https://diasporashqiptare.al/2021/11/17/irma-kurti-boton-shelgu-lotues-nje-leter-dashurie-ne-vargje/[lidhje e vdekur]

http://www.panorama.com.al/irma-kurti-mes-dy-brigjeve/

https://www.botimetada.com/shelgu-lotues/