Haxhi Hajdar Mani
Haxhi Mani (Golem, 1913 - Rrjoll, 8 prill 1963) ka qenë ushtarak, veprimtar i rezistencës antifashiste me LNÇ-në, më pas kolonel i ushtrisë popullore dhe deputet i zonës së Mbishkodrës në Kuvendin Popullor. Pasi kundërshtoi kolektivizimin e bagëtive të zonave veriore, u përfol arrestimi i tij dhe pasi ia arriti të fshihej në një shpellë të Rrjollit, u ndoq dhe u vra duke u gjuajtur me top artierie.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind më 1913 në Golem, i biri i Hajdar Manit, i ati kishte qenë plak kanuni dhe kishte ndarë pleqni dhe pajtuar gjaqe nga krahina e vet e deri në Kosovë si dhe kishte marrë pjesë në luftën e Koplikut. Ndonëse mbeti jetim i ri, me vdekjen e të atit më 1928-ën, ai u rrit e formua me traditat atdhetare, me vetitë e ndershmërisë e besës, trimërisë dhe guximit për të thënë të vërtetën, e mbi të gjitha, me ndjenjën e respektit e mospërbuzjes për ato që vuajnë. Në vitet 1932- 1933 ai mbaron një kurs për ushtri në Turqi, por rikthehet në Shkodër. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore tenton të shkojë te disa miq të familjes në Stamboll, por pasi qëndron disa muaj në Ulqin, kthehet në vendlindje. Aktivizohet me lëvizjen nacionalçlirimtare dhe në vitin 1942 del në mal partizan, duke formuar çetën partizane të nënshkodrës, e cila vepronte në zonën e Pentarit e Dajçit. Në luftë kundër pushtuesve merr pjesë aktive dhe menjëherë pas çlirimit të vendit aktivizohet në detyra ushtarake. Ishte i aftë dhe i përkushtuar për të dhënë e bërë gjithçka në të mirë të vendit e popullit të varfër.
Ushtarak me gradën e kolonelit, ishte deputet i zonës së Mbishkodrës në kuvendin popullor që nga çlirimi i Shqipërisë e deri më 8 prill 1963, kur dhe u vra me armë artilerie, një ditë para se të mbushte 50 vjeç.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Kaloçi, Dashnor (17 janar 2021). "Historia e panjohur e kolonel Haxhi Hajdarit, deputetit që ekzekutuan me artileri në shpellë pas takimit me Enver Hoxhën". gazeta-shqip.com.