Historiku i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Prishtinë
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Historiku i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Prishtinë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fakulteti i Elektroteknikës fillimisht është ngritur në themelet e Shkollës së Lartë Teknike, e cila ka filluar të punojë në Prishtinë si institucion profesional për drejtimin e ndërtimtarisë, elektroteknikës dhe makinerisë,më 20 tetor 1961. Më 1965, Këshilli Ekzekutiv i Kosovës miratoi Ligjin për themelimin e Fakultetit Teknik me Seksionin e Ndërtimtarisë. Fakulteti ia filloi punës më 9 dhjetor 1965.
Më 30 tetor 1967 u hapën në Prishtinë edhe Seksioni i Elektroteknikës dhe i Makinerisë, ndërsa mësimi në këto seksione filloi në vitin shkollor 1967/68. Në vitin 1970 u formua edhe Qendra Llogaritëse Elektroteknike e Fakultetit Teknik në Prishtinë.
Seksioni i Elektroteknikës i ka pasur dy drejtime: Drejtimin e Energjetikës dhe të Elektronikës me Telekomunikacion.
Në vitin shkollor 1967/68 në Fakultetin Teknik, përkatësisht në Seksionin e Elektroteknikës, për herë të parë janë regjistruar 47 studentë me mësim në gjuhën shqipe. Në Seksionin e Elektroteknikës kanë qenë të punësuar 10 arsimtarë shqiptarë (më 1968 dy dhe më 1969 tetë arsimtarë).
Në vitin 1978, Fakulteti Teknik u transformua në tri Organizata Themelore të Punës së Bashkuar: Ndërtimtaria dhe Arkitektura me Institut, Elektroteknika me Institut dhe Makineria me Institut. OTHPB Elektroteknika ka pasur 8 katedra: Katedrën e Lëndëve të Përgjithshme, të Elektroteknikës Teorike, të Matjeve Laboratorike, të Rregullimit Automatik dhe të Teknikës Analoge Digjitale, të Makinave Elektrike, të Elektronikës me Telekomunikacion, të Prodhimit dhe Bartjes së Energjisë Elektrike dhe të Energjetikës Industriale.
Në vitin 1988, Fakulteti Teknik u nda në tri fakultete: Fakultetin e Elektroteknikës, Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës dhe Fakultetin e Makinerisë.
Kuvendi i Kosovës, më 25 shkurt 1988, miratoi Ligjin për themelimin e Fakultetit Elektroteknik në Prishtinë ("Gazeta zyrtare e Kosovës" nr. 28/88).
Prej vitit 1988, Fakulteti i Elektroteknikës në Prishtinë e ka zhvilluar mësimin në katër profile arsimore dhe ato janë: Sistemet elektroenergjetike, Energjetika industriale, Telekomunikacioni me informatikë dhe Automatikë me elektronikë.
Në kuadër të Fakultetit Teknik, në drejtimin e Elektroteknikës, nga 24.10.1972 deri më 24.12.1987 kanë diplomuar 635 studentë, ndërsa në Fakultetin e Elektroteknikës, prej 01.1.1988 deri më 25.03.2010, kanë diplomuar: Inxhinierë të diplomuar 1.148 studentë, Bachelor 369 studentë. Që prej fillimit të punës, në Fakultetin Teknik, përkatësisht Elektroteknik, deri më 25.3.2010 kanë diplomuar 1.783 inxhinierë të diplomuar dhe 369 bachelor.
Në vitin 2001, Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi planet mësimore të mbështetura në Deklaratën e Bolonjës për nivelin bachelor. Po këtë vit, Fakulteti u riemërua në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Në qershorin e vitit 2004 u miratua plani mësimor për studime në nivelin Master në Departamentin e Elektronikës, Departamentin e Kompjuterikës dhe Departamentin e Telekomunikacionit.
Në vitin shkollor 2007/08 u miratua plani i ri mësimor për studimet Bachelor.
Në këtë vit shkollor 2009/10, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike ka 1.700 studentë në studimet bazike, 121 studentë në studimet Master, ndërsa në procesin mësimor janë të angazhuar në marrëdhënie të rregullt pune 31 mësimdhënës dhe asistentë dhe 60 në punë plotësuese.
Nga viti 2009, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike organizoi studimet e doktoratës në Departamentin e Lëndëve Fundamentale Inxhinierike, Departamentin e Automatikës, Departamentin e Kompjuterikës dhe Departamentin e Elektronikës.