Ibrahim Berisha
Ibrahim Berisha (1955) është profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, shkrimtar, gazetar dhe ish-politikan. Është shqiptar nga Kosova.
Gjatë viteve 1999-2000 ishte një nga shkrimtarët bursist të Parlamentit Botëror të Shkrimtarëve në Strasburg, Francë.
Libri i tij Vdekja e Kolonisë i botuar në vitin 2016 konsiderohet një ndër librat kyç në fushën e studimeve të kolonializmit të Kosovës nga Serbia gjatë shekullit XX. Libri u botua në gjuhën angleze nga shtëpia botuese Jalifat Publishing në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) me emrin Death of Colony në vitin 2019. Në vitin 2017 intervista e Ibrahim Berishës "Trashëgimia e Kolonializmit në Kosovë" u botua në revistën prestigjoze Global Dialogue në kuadër të International Sociological Association (ISA), me ç'rast u përkthye në 17 gjuhë.
Aktualisht është kryetar i bordit të Kosova Pen Center.
Karriera Akademike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Studioi për sociologji në Universitetin e Prishtinës dhe në Univeristetin e Zagrebit dhe titullin Doktor i Shkencave e fitoi në Universitetin e Prishtinës. Ligjëron si Profesor në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, Katedra e Sociologjisë.
Fushat e interesit hulumtues kanë të bëjnë me komunikimin masiv, trashëgiminë e kolonializmit dhe nënsistemet kulturore në shoqëritë postkomuniste. Libri i tij "Vdekja e Kolonisë" ofron një analizë sociologjike karshi politikave represive demografike, politike dhe kulturore që targetonin qytetarët shqiptarë të Kosovës.
Në vitin 2009 ishte fitues i "Çmimit letrar për librin më të mirë për kritikë dhe eseistikë" nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) të Republikës së Kosovës me librin "Konvergjenca Intelektuale".
Karriera Gazetareske dhe Intelektuale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nga viti 1978-1999 ishte gazetar dhe redaktor për kulturë në të përditshmen Rilindja. Punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazeta të kohës, si Rilindja, Bujku, Fjala, Ekskluzive etj.
Gjatë viteve 1970 dhe 1980 shkrimet dhe paraqitjet e tij mediale kryesisht përqëndroheshin në fushat e letërsisë dhe artit, arsimit dhe kulturës.
Në vitet 1990, ndërkaq, analizat e tij preknin marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës karshi zhvillimeve gjeopolitike.
Në vitin 1991 në një analizë në revistën Fjala (numër 15) me titullin "Pse Shqiptarët heshtin" Berisha avokoi për një filozofi politike "të shqiptarëve për zgjidhjen e problemit të Kosovës, dhe të çështjes së shqiptarëve me mjete demokratike dhe në kuadër të proceseve integruese në Evropë" duke shtuar se kjo "është filozofi e përkrahur dhe pranuar nga pjesa dërrmuese e Evropës, nga Amerika dhe shtete në kontinente të tjera".
Duke ideuar dhe mbajtur një pozicion të hershëm, të qartë dhe konsistent, Ibrahim Berisha paraqet një ndër ideologët kryesorë të viteve 1990, duke avokuar për sistemin demokratik, orientimin properëndimor, qëllimin strategjik të shtetësisë së plotë, dhe synimin e integrimit multilateral euroatlantik në BE dhe NATO si zgjidhje afatgjatë e arkitekturës së sigurisë.
Karriera Politike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 1989 ishte një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishte anëtar i kryesisë së parë dhe të dytë të LDK. Ibrahim Berisha themeloi dhe ishte udhëheqësi i parë i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK). Si institucion informues në kuadër të shtetit paralel të Kosovës QIK luajti një rol qenësor në shpalosjen e represionit dhe shkeljes së të drejtave të shqiptarëve, para mediumeve dhe audiencave të huaja.
Letërsia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ka botuar libra në poezi dhe prozë.
Njihet si një ndër autorët më origjinal dhe cilësor të tregimit të shkurtër në Kosovë. Motiveve të poezisë së tij ndërlidhen me marrëdhëniet ndërnjerëzore, ndjenjat e brendshme dhe raportin e njeriut me natyrën dhe atdheun.
Debutin e kishte me librin poetik "Gur që nuk prekesh" në vitin 1982, ndërsa librin e parë me tregime "Fryma e shiut" e botoi në vitin 1983.
Në vitin 2000 fitoi çmimin "Naim Frashëri" libri më i mirë në prozë me veprën "Gruaja e vetmisë" në Tetovë, Maqedoni e Veriut. Në vitin 2021 PEN Qendra e Shqipërisë dhe PEN Qendra e Kosovës e shpallën fitues të çmimit të përbashkët letrar PEN për veprën me tregime “Aroma e qiellit”.
Poezia dhe proza e tij janë botuar në disa gjuhë, duke përfshirë gjuhën gjermane, angleze, frënge, rumune, sllovene, boshnjake, maqedone dhe turke.
Është i martuar dhe jeton bashkë me familjen në Prishtinë.