Ideja Kombëtare

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ideja Kombëtare ishte gazeta e parë lokale opozitare e Beratit. Numri i parë i saj doli në 8 shkurt të vitit 1991,si organ i Degës së Partisë Demokratike të Beratit.

Gazeta ishte projektuar për të qënë e përjavëshme, mirëpo sapo doli në qarkullim ( numri i saj i parë ishte me format diçka më i madh se "A-4" i sotëm), të 2500 kopjet u shpërndanë brenda një kohë rekord. Kjo bëri që gazeta të çensurohej nga qeveria komuniste e kryesuar prej Adil Çarçanit, nëpërmjet një urdhëri shkresor të lëshuar prej Ministrisë së Drejtësisë.

Në të thuhej se ende nuk kishte një ligj që ta përligjte nxjerrjen e gazetes dhe botuesit duhej të prisnin deri sa ky ligj të dilte. Grupi botues i numrit të pare ishin Simon Vrusho, Pirro Leka, Xhovan Shyti, Valentin Veizi, Balil Gjini.

Duke iu bindur urdhërit të Ministrisë së Drejtësisë, gazeta nuk doli më, deri në muajin nëndot të vitit 1991, kur pas një dyluftimi shkresor me ministrinë u lejua vazhdimi i botimit.

Numri i dytë, mban datën 23 nëntor 1991, formati diçka më i madh se “A-3” i sotëm, sa “ALBANIA”, me 4 faqe. Grupi botues ishin kryeredaktor : Xhovan Shyti, dhe stafi: Balil Gjini, Valentin Veizi, Pirro Leka, Yzedin Hima. Tirazhi i gazetës ishte 2000 kopje, për të arritur më vonë botimin deri në 5000 kopje, si e përjavëshme. Me të ardhurat e nxjerra prej shitjes së saj financohej dega e Partisë Demokratike.

Botimi i gazetës vazhdoi deri nga fund të vitit 1993, me formate herë pas here të zvogëluara, deri sa u mbyll fare.

Pas dorëheqjes së detyruar të kryeredaktorit Xhovan Shyti, në tetor të vitit 1992, drejtimin e saj e mori Agim Mehqemeja.

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Emri “Ideja Kombëtare”, nuk ishte rastësor, por vijonte paraardhësen e saj të fundviteve ‘20-të, të botuar nga Islam Vrioni & një grup intelektualësh beratas. Kjo ishte e vetmja gazetë lokale, që pa dritën e botimit në disa numra , pasi u çensurua nga qeveria e Ahmet Zogut. Politika e gazetës ishte kundër esadistëve, por edhe kundër politikës zogiste. Esad Pashë Toptanin, Islam Vrioni e tipizonte si “Tiran dhe tradhëtarin më të madh në historinë e popullit shqiptar”. Për këtë arsye esadistët i dogjën atij shtëpinë. Edhe pse pinjoll i derës së bejlerëve Vrionas, Islam Vrioni renditet ndër patriotët e çështjes shqiptare.

Pas pushtimit të vendit nga Italia, Islami u largua nga Berati për tu vendosur në fshatin Çiflig të Lushnjes, ku edhe vdiq në vetmi të plotë në vitin 1941.