Instituti i Fizikës Bërthamore
Instituti i Fizikës Bërthamore të Aplikuar është Institut shkencor kërkimor me qendër ne Tirane.
Themelimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprimtaria e Institutit të Fizikës Bërthamore është vazhdim i veprimtarisë së Laboratorit të Rrezatimeve Bërthamore, te themeluar në vitin 1970, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 9, datë 16.1.1970.
Instituti i Fizikës Bërthamore - IFB është krijuar në vitin 1971, si institucion kërkimor shkencor në fushën e fizikës atomike dhe bërthamore dhe duke pasur për qëllim zbatimin e metodave bërthamore në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe jetës shoqërore.
Fillimisht, Instituti ishte në varësi të Universitetit të Tiranës dhe më pas, me themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, bën pjesë në rrjetin e institucioneve shkencore të saj. Pas viteve 90, mori emrin Instituti i Fizikës Bërthamore të Aplikuar.
Fushat e veprimtarisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Instituti i Fizikës Bërthamore, në bashkëpunim me institucione e kompani prodhuese, zhvillon veprimtari kërkimore - shkencore nëpërmjet projekteve për kërkim dhe zhvillim. Detyra themelore e IFB është te realizojë veprimtari shkencore, kryesisht me karakter zbatues, dhe të transferojë metodat dhe teknologjitë e reja të fizikës dhe kimisë bërthamore në fusha të ndryshme.
Drejtorët që nga krijimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- 1971 – 1987 - Prof. Skënder KOJA
- 1987 – 1990 - Prof. As. Dr. Servet DANI
- 1990 – 1993 - Prof. Dr. Përparim FUGA
- 1993 – 1994 - Prof. Dr. Dukagjin REXHA
- 1994 – 1999 - Prof. As. Dr. Robert KUSHE
- 1999 – 2000 - Prof. Dr. Xhevdet MYTEBERI
- 2000 – 2008 - Prof. Dr. Fatos YLLI
- 2008 – 2013 Prof. Dr. Nikolla CIVICI
- 2013 – vazhdim Ass. Prof. Dr. Elida BYLYKU [1]
Drejtimet e veprimtarisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprimtari kërkimore që kontribuojnë në përdorimin e metodave atomike e bërthamore në fusha të ndryshme të ekonomisë, shëndetsisë, mjedisit, kulturës, kërkimit shkencor etj. Realizimi i teknikave dhe metodave të reja analitike me synim transferimin e tyre në sektorët publik dhe privat.
Kryerja e shërbimeve të specializuara në fushën e monitorimit dhe mbrojtjes nga rrezatimet jonizuese, Arsimimi universitar dhe pasuniversitar në fizikë, kimi dhe elektronikë, trainimi i përdoruesve të rrezatimeve jonizuese nëpërmjet programeve speciale etj.
Fushat e veprimtarisë dhe tematika
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Monitorimi dhe mbrojtja e mjedisit dhe publikut - Instituti realizon përcaktimin e radioaktivitetit në kampione ambientale, biologjike dhe ushqimore për qëllime kërkimi e monitorimi. Janë realizuar matje të radioaktivitetit për të vlerësuar efektet e aksidentit bërthamor të Çernobilit (1986) në mjedis dhe shëndetin e njerëzve. Ekipet e tij kanë realizuar matje në zonën verilindore të vendit për problemet e ndotjes me uranium të varfëruar, si pasojë e përdorimit të tij gjatë konfliktit të Kosovës. Prej vitesh realizohen matje të radioaktivitetit natyror në sistemet e ujërave të pishëm, sipërfaqësore e termale. Për mbrojtjen e shëndetit të publikut është kryer monitorimi i përqendrimit të radonit dhe gazeve radioaktive në ndërtesat e banimit dhe mjediset publike.
Mbrojtja radiologjike - Mbrojtja dhe siguria nga rrezatimet jonizuese përbëjnë një drejtim tradicional. Instituti kryhen monitorimin e dozës së ekspozimit të punonjësve të tij dhe të qëndrave e kompanive që përdorin burime të rrezatimeve jonizuese duke mbajtur edhe regjistrin e dozës së ekspozimit për të gjithë punonjësit në shkallë vendi. IFB realizon në nivel kombëtar trajtimin dhe kondicionimin e mbetjeve radioaktive dhe burimeve radioaktive të konsumuara.
Emergjencat radiologjike - Emergjencat radiologjike janë pjesë e emergjencave civile. Pranë Institutit është ngritur dhe funksionon Qëndra e Emergjencave Radiologjike, e lidhur me rrjetin e monitorimit të dozës së rrezatimit Rrjeti përbëhet nga 5 stacione automatike të matjes së dozës së rrezatimit dhe transmetimit të informacionit në Qendrën e Emergjencave. Stacionet automatike janë vendosur në Tiranë, Shkodër, Kukës, Korçë dhe Vlorë.
Mjekësia - Perdorimi i izotopëve radioaktive për qëllime diagnostikuese e terapeutike është një nga verimtaritë e para të Institutit në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare. Pranë Institutit është ngritur Laboratori i Prodhimit te Radiofarmaceutikateve, ku janë përgatitur kite të ftohta të 99mTc dhe kapsula xhelatinoze, të miratuara nga Drejtoria e Pergjithshme e Barnave. Krahas Laboratorit të Prodhimit funksionon Laboratori i Kontrollit të Cilesisë së Radiofarmaceutikateve, i cili realizon kontrollin e të gjithë parametrave cilësorë.
Gjeologjia - Me anë të teknikave unikale (Aktivimi Neutronik, Floureshenca e Rrezatimit X etj), Instituti realizon analiza shumë-elementore në kampione të gjeologjisë metalifere dhe naftës, përcaktimin e moshës absolute gjeologjike, analizën e izotopëve stabël të karbonit nga gazi metan dhe nafta etj. IFB ka dhënë një kontribut në përgatitjen e Atlasit Gjeokimik të Shqipërisë me anë të përcaktimit të rreth 25 elementëve në kampione dheu dhe sedimentesh.
Hidrogjeologjia - Prej gati 20 vjetësh studjohet lëvizja e ujërave siperfaqësore e nentokësore duke përdorur izotopët radioaktive. Vitet e fundit me perdorimin e gjurmuesve ambientale, hidrokimike dhe fluoreshente janë realizuar studime masive dhe komplekse për rezervat e baseneve ujore, komunikimet e tyre nëntokësore, kohën e tranzitimit të ujit, përcaktimin e bilanceve ujore, etj. Rezultatet tregojnë për epërsitë e ketyrë metodave, duke dhënë përfytyrime të reja hidrologjike të sistemeve të studiuar.
Sedimentologjia - Lëvizja e sedimenteve detare dhe dherave është studiuar me metoda radioaktive duke përdorur izotopë radioaktive jetëshkurtër dhe ambjentale. Metodat bërthamore janë përdorur për të studjuar dinamikën e sedimenteve të Gjirit të Durrësit dhe atij të Vlorës, për të monitoruar ndryshimin e vijës bregdetare, erozionin e tokave dhe mbushjen e baseneve ujore, etj.
Bujqësia dhe Biologjia - Instituti përdor rrezatimet bërthamore për stimulim të farërave, ndryshime gjenetike nëpërmjet mutagjenezës fizike dhe kimike dhe konservimin e produkteve bujqësore. Izotopët radioaktive dhe stabël janë përdorur për studime agrokimike dhe zooteknike, plehërimin racional, efektivitetin e përdorimit të mikro dhe makroelementëve në ushqimin e blegtorisë etj.
Metrologjia - Metrologjia e radioaktivitetit dhe fushave të rrezatimeve X, gama dhe neutronik, si dhe përgatitja e burimeve për zbatime në industri, mjekësi, radio-mbrojtje, etj përbëjnë një veprimtari të rëndësishme. Këtë vit përfundon ngritja e Laboratorit të Kalibrimit të instrumenteve matëse dozimetrike, i cili do të realizojë detyra të rëndësishme në nivel kombëtar.
Shkenca e materialeve - Me anë të teknikave specifike si Spektroskopia Mössbauer dhe Spektroskopia Raman janë realizuar studime për strukturat magnetike dhe kristalografike të materialeve kristalore, nanokristalore dhe amorfe, për gjëndjet strukturore të karbonit, për veshjet mbrojtëse ndaj oksidimit dhe korrozionit në formën e shtresave të holla, etj.
Industria - Gjatë viteve janë realizuar studime në industrinë metalurgjike, kimike, ushqimore etj, duke përdorur izotopet radioaktive si gjurmues në proceset teknologjike si: efektiviteti i filtrave në metalurgjinë e hekur–nikelit, proceset e korrodimit të veshjeve zjarrduruese në furra, përcaktimi i homogjenitetit të përzierjeve, kontrolli i uniformitetit dhe trashësisë së letrës etj. Janë kryer studime për modifikimin e vetive të fletëve të polietilenit e të tubave PVC (efekti i kujtesës) nëpërmjet rrezitjes.
Arkeologjia dhe veprat e artit - Metodat analitike përdoren për vlerësimin e origjinës së materialeve arkeologjike, teknikës së përgatitjes dhe temperaturës së pjekjes së terakotave dhe objekteve qeramike nga vendbanime antike ilire. Është studiuar përbërja e pigmenteve në pikturat e autoreve të vjetër shqiptare dhe bëhen përpjekje për datimin e objekteve arkeologjike me metodën e karbonit.
Elektronika dhe Informatika - Grupi përkatës realizon kontrollin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e parametrave të pajisjeve elektronike. Është realizuar projektimi dhe prodhimi i moduleve të sistemeve detektues dhe matës për disa zbatime të metodave bërthamore në industri. Po punohet për ngritjen e rrjetit lokal të informacionit dhe krijimin e bazës së të dhënave të veprimtarive shkencore.
Legjislacioni - Instituti jep kontribute në përgatitjen dhe permiresimin e legjislacionit shqiptar si dhe ka realizuar punën përgatitore për një sërë aktesh ndërkombëtare që është finalizuar me miratimin e tyre nga Parlamenti shqiptar.
- ^ "Faqja e Institutit të Fizikës Bërthamore të Aplikuar (e ruajtur në archive.org)". Arkivuar nga origjinali më 20 dhjetor 2014. Marrë më 6 janar 2019.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)