Justina Shiroka Pula
Justina Shiroka Pula (1953, Prishtinë) është ekonomiste dhe profesoreshë universitare kosovare, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Justina Shiroka Pula u lind më 1953 në Prishtinë. Shkollën fillore (1968) dhe të mesmen (1972) i kreu në Prishtinë. Diplomoi me sukses në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në vitin 1976. Studimet pasuniversitare, në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik, i vijoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku u diplomua në vitin 1984. U doktorua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1977), duke mbrojtur tezën e doktoratës me titull ”Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Pas diplomimit, u punësua në Bankën Popullore të Kosovës (1977), pastaj hyri në procesin mësimor në Fakultetin Ekonomik (1978), ku vazhdon edhe sot karrierën akademike. Ajo fillimisht u punësua si asistente për lëndën “Kërkimet operacionale”, pastaj u avancua në thirrjen e ligjëruesit, docentit (1978) dhe profesorit ordinar (2004). U angazhua në një fushë të re, ku edhe kuadri mësimor dhe shkencor ishte deficitar, në fushën e kërkimeve operacionale, përkatësisht në fushën e zbatimit të metodave dhe modeleve matematikore dhe statistikore në planifikimin dhe në optimizimin e proceseve biznesore, duke e zgjeruar fushën e saj të interesimit, më vonë, edhe në zbatimin e këtyre metodave në zgjidhjen e problemeve të zhvillimit të bizneseve, në menaxhment dhe në procesin e marrjes së vendimeve. Në këtë aspekt, ajo u zhvillua në vazhdimësi në një karrierë shumë të pasur, përgjatë tërë kësaj periudhe, në Fakultetin Ekonomik, prej vitit 1978 e deri sot. Mund të thuhet se ajo ka pasur një rol prej një pionieri për zhvillimin e fushës së kërkimeve operacionale, jo vetëm në këtë fakultet, por edhe më gjerë në Kosovë, nëpërmjet mësimdhënies në studime bazike dhe master, e sidomos nëpërmjet udhëheqjes së studentëve në punimet e diplomës, në tezat e masterit dhe në tezat e doktoratës.
Në Fakultetin Ekonomik ka qenë kryesuese e Departamentit të Matematikës dhe Statistikës (1999), kryetare e Bordit të masterit në Menaxhment Shëndetësor (2002), anëtare e Senatit të UP-së (2000) dhe anëtare e Bordit të UP (2001), anëtare e Komisionit të Universitetit Veror të Prishtinës (2002). Është anëtare e Këshillit të Fushës Shkencore-Burimet Natyrore, Energjia dhe Mjedisi (2011) në MASHT, anëtare e Këshillit Botues të UP ”Hasan Prishtina” (2013). Është anëtare e Këshillit Shkencor për njohje e barasvlerë të diplomave (2016), në MASHT dhe anëtare e Komisionit për Ekonomi të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut (2017). Krahas studimeve të rregullta, ajo ka punuar në zhvillimin e saj të vazhdueshëm në aspektin kërkimor-shkencor dhe profesional, duke marrë pjesë në studime të pasdoktoratës në kuadër të këmbimit ndëruniversitar, Universiteti i Lincit në Austri (2013) dhe Universiteti i Arizonës në SHBA (2013), si dhe në trajnime dhe përsosje profesionale: Menaxhimi në sistemin e kujdesit shëndetësor, Itali (2002), Hulumtimi i programeve dhe përgatitja e teksteve mësimore, Belgjikë (2004), Çështjet e zhvillimit të biznesit dhe sipërmarrësisë, SHBA (2003) dhe shumë trajnime e specializime në vend. Aktivitetin akademik e ka ushtruar edhe jashtë vendit. Në vitet 1994-99 ka ligjëruar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës dhe në vitet 2003-2004, në UEJL-Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.
Pas luftës (që nga vitet 2001-2005), ka zhvilluar edhe një aktivitet të admirueshëm me shoqërinë civile, në fushën e fuqizimit të gruas, barazisë gjinore dhe në zhvillimin e bizneseve dhe të ndërmarrësisë: Themeluese e Rrjetit të Biznesit të Grave Kosovare-KBWN (2001), Anëtare e Star Network of World Learning-Washington (2001), Eksperte lokale e Grupit Punues në Ekonomi të Qendrës Evropiane për Çështjet e Minoriteteve –ECM (2001), Anëtare e grupit punues-Nisma Kosovare për Barazi Gjinore (2002), Anëtare e Aleancës Ndërkombëtare të Grave (2003). Ajo ka udhëhequr bordet e disa OJQ-ve nga kjo fushë dhe, që nga viti 2012, është edhe anëtare e Bordit të Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike në Tiranë.
Publikime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- (2013). “Vendimmarrja menaxheriale”( Bashkëautor me B. Krasniqi), Prishtinë: Instituti për Hulumtime Ekonomike, “Globus” (tot. fq. 201): ISBN 978-9951-582-06-3.
- (2007). “Metodat e transportit të programimit linear”, Prishtinë: Universiteti i Prishtinës (tot.fq. 302): ISBN 9951-00-044-4.
- (2006).“Menaxhmenti dhe vendosja” (Bashkëautor me I. Kuka dhe Krasniqi, B.), Prishtinë: Universiteti i Prishtinës (tot. fq. 399): ISBN 9951-00-057-6.
- (2004). “Metodat kuantitative në marrjen e vendimeve”, Prishtinë: Universiteti i Prishtinës, MASHT dhe Wus Austria (tot. fq. 75).
- (2009). “Kristalet dhe Mineralet e Kosovës”, Prishtinë: Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM), (tot. fq. 206).
- (1997). “Zhvillimi ekonomik dhe investimet demografike në Kosovë”, Prishtinë: Instituti Ekonomik (tot. fq. 304).
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Justina Shiroka-Pula – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës". ashak.org. Marrë më 2024-02-18.