Jump to content

Kaçaku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kaçaku është emërtim për personat shqiptarë të përndjekur nga ushtritë dhe qeveritë pushtuese e që nuk ju binin në dorë atyre dhe për luftëtarët që sulmonin ushtit e tyre nga malet. Në fjalorin e gjuhës shqipe si Kaçakë merret: Ai që ikte nga shtëpia, jetonte fshehur si cub (zakonisht në mal) dhe luftonte kundër padrejtësive shoqërore, kundër klasave shfrytëzuese e pushtuesit të huaj[1].

Kaçakëria është një fenomen i perandorisë osmane i shtrirë jo vetëm ne Shqipëri, por në të gjithë shtetet dhe kombet mbi të cilët ajo kishte shtrirë sundimin e saj. Ky fenomen në vende të ndryshme kishte emra të ndryshëm. Në Greqi quheshin andartë, në Rumani hajdukë, në vendet sllave çetnikë... Kaçakë janë quajtur ata njerëz që në rrethana të ndryshme janë konfliktuar me administratën turke, disa pse s'kanë dashur të shkojnë të kryejnë shërbimin ushtarak mbasi Turqia i dërgonte në vise të largëta të Anadollit, një pjesë e të cilëve nuk ktheheshin më. Disa pse s'kishin mundësi të shlyenin taksat ose s'kanë dashur t'i shlyejnë. Disa pse grindeshin me feudalët në shërbim të të cilëve ishin, disa edhe për vrasje. Të gjithë këta fshiheshin nëpër male, bashkoheshin me njëri-tjetrin dhe më i zoti i tyre, më i vjetri, më trimi apo më i dituri, dilte në krye, i dëgjohej fjala dhe bëhej kapedani i të gjithëve. Kështu formoheshin çetat që me kalimin e kohës bëheshin formacione të organizuara. Kështu që në Gorë e ndjenin veten mirë të dy palët edhe kaçakët edhe banorët, të cilëve bujaria s'u ka munguar asnjëherë. Gora njeh shumë çeta që kanë vepruar në territorin e saj. E para dhe më e lashta që njohim është çeta e Shahin Matrakut dhe pastaj vijnë me rradhë çetat e Kajo Babjenit, i cili njihet si figura legjendare e Gorës, njeriu që i rezistoi kaçakllëkut mbi tridhjetë vjet. Ndër çeta të tjera përmendim atë të Ismail Dëdushës, Malke Zvarishtit e Xhelo Selcës. Gora përbënte familjen e madhe, ku gjenin prehje të gjithë sidomos kaçakët dhe hallexhinjtë, trimat dhe luftëtarët e lirisë.[2]

Përderisa në Republikën e Shqipërisë fjala mbanë kuptimin e mëparshëm në territoret e mbetura në Jugosllavi, komunistët fillojnë që të ndryshojnë kuptimin e fjalës dhe si Kaçak marrin tregtuesit ilegalë të duhanit përgjatë kufirit të Republikës së Shqipërisë dhe pjesëve tjera të Shqipërisë.


Burim i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe - Tiranë, 1980
  2. ^ Kreka, Selami. Historiku krahinor i Gorës Qarku Korçë. fq. 104. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)