Kamenica (e Delvinës)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjeografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fshati mesjetar i Kamenicës ndodhet në rrethin e Delvinës, rrëzë shpatit jugperëndimor të Malit të Gjerë.

Ato shtrihen mbi dy kodra të ulëta, me pjerrësi të butë të bashkuara me një qafë prej lindjes në drejtim të perëndimit Fshati në të kaluarën zinte dy lartësitë e kodrave, qafën që i bashkon ato si dhe shpatin e tyre jugor.

Terreni rreth tyre paraqitet mjaft i favorshëm për zhvillimin ekonomik : poshtë, nga jugperëndimi shtrihet një fushë e gjerë me toka pjellore, në veri gjenden kullota të mira për bagëti, ndërsa klima e butë favorizon rritjen e ullirit.

Nga ana tjetër, para Kamenicës kalonte rruga që ndërlidhte Finiqin dhe Delvinën me luginën e Kardhiqit dhe më tej me atë të Drinos. Rruga që të çonte në fshat kalonte duke ndjekur qafën ndërmjet dy kodrave në jug të tij. Ajo përfundon në qendër të fshatit, i cili është sheshi më i gjerë, në masën e dendur të ndërtimeve. Kësaj qendre i përket dhe toponimi: Qafa e Pazarit. Në pjesën jugore shpati zbret në një shesh të gjerë që përfundon në një kanion të thellë dhe vazhdon të ngrihet në krahun tjetër të kanionit drejt majës së lartë të Ljulies.

Në faqen e pjerrët pranë kanionit tarracat kanë dhënë mundësi për ndërtime të disa banesave dhe kishave si në vendin e quajtur Fiqtë e Lapes dhe te kisha e Jominait. Në anën lindore kodra e Kamenicës zbret duke krijuar mundësinë për t’u lidhur me njëra-tjetrën luginën e përroit Vrisit (Qafëdardhë), përroit Gjovarakës.

Më pas kodra lartësohet drejt kreshtës së Malit të Gjerë, kurse lugina e përroit të Vrisit shkon drejt fshatit Varfit. Kodra e Kamenicës në anën veriore ka një pjerrësi shumë të theksuar drejt përroit të Gjovarakës, që e bënë të pamundur ngjitjen drejt fshatit. Në krahun tjetër të përroit terreni ka dhënë mundësi për ndërtimin e fshatit të ri të Kopaçës.

Në perëndim, ashtu si dhe në jug, kodra zbret drejt një sheshi që më pas ngrihet në një kodër të ulët, ku është ndërtuar fshati i Palavlisë, i cili është ndërtuar pas braktisjes së fshatit Kamenicë.

Nga kodra e Kamenicës syri të kapë një hapësirë të gjerë të fushës së Vurgut drejt liqenit të Butrintit, detit Jon dhe ishullit të Korfuzit, kurse më tej drejt perëndimit dhe veriut vargjet kodrinore mbyllin shikimin. Edhe qafa e Skërficës, që e lidh pellgun e Delvinës me luginën e Drinosit, humbet nga vështrimi.

Në jug rruga në rrëzë të kodrave të çon drejt manastirit të Mesopotamit dhe Delvinës. Përrenjtë e shumtë që zbresin nga Mali i Gjerë, furnizojnë lumin e Kalasës, ku duket se kanë qenë ndërtuar dhe mullinjtë e fshatit Kamenicë.

“Kushtet klimatike dhe relievi bëjnë të mundur që kjo krahinë të ketë lulëzuar në kulturat e saj kryesore: drithërat, pemët frutore dhe bagëtitë e imëta (dhentë dhe dhitë). Këto burime natyrore dhe afërsia me detin kanë bërë të mundur që të lulëzojë gjatë periudhës antike qyteti i Foinikes”, - shpjegon arkeologu Muçaj, duke vërejtur se gjatë periudhës prehistorike tregues janë varrezat tumulare të Bajkajt.

Ndërsa për periudhën mesjetare “manastiri i Mesopotamit, kisha e Shën Janit dhe Nivicës janë dëshmi të një zhvillimi të pandërprerë dhe në nivele të larta prosperiteti”.

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Burimet historike të autorëve që e përmendin dhe që na japin informacione rreth këtij fshati, janë relativisht të pakta. Në regjistrin e vitit 1431-1432 fshati Kamenicë, i përfshirë në vilajetin e Vajonetës, kishte gjithsej 267 familje, duke pasur si pronë të fshatit 400 rrënjë ullinj. Të ardhurat nga ky fshat ishin 19 740 akçe. Këto të dhëna e bënin Kamenicën një nga qendrat e banuara më të mëdha të kësaj zone.

Mjafton të përmendim se Gjirokastra, kryeqendra e sanxhakut të Shqipërisë, kishte 163 familje dhe të ardhurat pa taksat e vilajetit dhe tregut ishin 16 938 akçe. Në regjistrin e vitit 1583 fshati kishte 606 familje dhe katër lagje. Këto janë dy të dhënat më të sakta që disponohen deri më sot për Kamenicën.

Çelebiu, i cili kaloi në mesin e shekullit XVII, nga Delvina në Kalasë, përbri Kamenicës nuk e përmend këtë të fundit. Aravantionoi në listën e hollësishme të fshatrave të Epirit, që i përket gjendjes së fillimit të shekullit XIX nuk e përmend po gjithashtu Kamenicën si fshat, por në një pasazh ai flet për vendin e quajtur Kamenicë.

Pukëvili përshkruan rrënojat e Palavlisë, për të cilat shpreh mendimin se duhen indetifikuar me Helaon e Ptolemeut. Nga përshkrimi i tij mund të mendohet se Pukëvili për mbeturinat ″antike″ të Palavlisë të ketë pasur parasysh pikërisht rrënojat e Kamenicës.

Ugolini dhe Hamondi gjithashtu e përmendin Kamenicën pa prurë ndonjë të re. Së fundi Dh. Budina mendon se ndoshta rrënojat e Kamenicës duhen identifikuar me ato të qytetit të vjetër Baiake, të përmendura nga Stefan Bizantini.

“Duke gjykuar nga gjendja dhe karakteri i ndërtimeve që trashëgojmë në Kamenicë, përjashtohet mundësia e identifikimit të tyre me qendrat e përmendura nga Pukëvili dhe Budina, sidoqoftë fjalën e saktë e japin gërmimet arkeologjike. Së fundi mendimin më të plotë e kanë shprehur E. Riza dhe A. Meksi, duke e përcaktuar atë si një fshat të ndërtuar në shek. XIV”, - nënvizon Muçaj, duke shtuar se ndryshimet rrënjësore që ndodhën në Perandorinë Bizantine pas kryqëzatës së katërt (1204), u pasqyruan edhe në territoret shqiptare dhe sidomos në territorin e Kamenicës.

Sipas Traktatit të ndarjes së tokave, i nënshkruar nga Venediku dhe fuqitë e tjera pjesëmarrëse në kryqëzatë, në prag të sulmit përfundimtar mbi Kostandinopojën, në 1205, parashikohej, që provincat bregdetare nga Durrësi në Prevezë apo ndryshe nga Glyky-a në Dyrrhachium të kalonin nën sundimin e Venedikut, ku përfshiheshin “provinca e Durrësit dhe Arbërisë me kartularatët e Glavinicës, Vagenetias, provincën e Janinës, provincën e Drinopojës...”

Theksohej veçanërisht provinca Vagenecie, e cila do të ishte në mënyrë të drejtpërdrejtë e varur prej Venedikut. Podesta venedikase në Kostandinopojë dekretoi në vitin 1205 se provinca bregdetare me emrin provincia Vagenecie duhej të ishte nën urdhrat e drejtpërdrejta të Venecias, por venedikasit nuk ishin të interesuar për të marrë edhe prapatokën Epirote dhe për këtë ata caktuan Mihail Komnen Dukas (Michael Comnanus Dux) për të qeverisur si vasal të tyre nga kufijtë e provincës (venedikase) së Dyrrachiumit deri ne Naupakt.

Mihail Komnen Duka, vasali i Venedikut përfitoi duke zgjeruar kufijtë e Despotatit të Epirit ose ndryshe i Artës. Gjatë jetëgjatësisë më shumë se dy shekullore, ky despotat e ndryshoi disa herë shtrirjen e tij, megjithatë bërthama e qëndrueshme territoriale mbeti tema e dikurshme bizantine e Nikopojës. Në të përfshiheshin qytete e kështjella të rëndësishme, ku përveç Artës, kryeqendër e tij, përmenden Janina, Ajdonati (Paramithia), Himara, Berati, Kanina dhe për një kohë të shkurtër edhe Durrësi (1213-1253)...

Ndërtimet

E pasur me plot ndërtime karakteristike, studimi sistematik që pritet t’u bëhet rrënimeve të kësaj qendre të banuar në të ardhmen, pa dyshim do t’i japë një përgjigje më të bazuar e më të saktë shumë çështjeve e sidomos vendosjes në kohë të këtyre ndërtimeve.

“Ndërtimet rrethojnë Qafën e Pazarit, duke u shtrirë kryesisht nga kodra e madhe në perëndim të saj dhe më pak në kodrën e vogël në lindje”, - vijëzon arkeologu Muçaj.

Ndërtimet kanë një dendësi të madhe, por kjo është veçanërisht e theksuar në zonën rreth qendrës së fshatit. Ato janë të orientuara, përgjithësisht nga jugu dhe më pak nga juglindja e jugperëndimi, duke ndjekur pjerrësinë e terrenit. Të vendosura buzë rrugëve, kurse në mjaft raste në zonat periferike jugore dhe perëndimore ndërtimet rrethohen me mure që krijojnë oborre të vegjël dhe duke u lidhur me njëri-tjetrin ose me banesat ata krijojnë një lloj fortifikimi.

Në anën veriore, ku terreni bie në mënyrë të thiktë për shkak të vegjetacionit tepër të dendur është tepër e vështirë për të përcaktuar nëse rrugët përfundojnë deri në fund apo ndërpriten nga shtëpitë, ashtu siç e vërejmë në fshatin e vjetër të Qeparoit, ku rrugët nga ana e greminës nuk kanë dalje.

Në brendësi të fshatit mungojnë kopshtet, kurse hapësirat e lira vërehen vetëm në pjesën e qafës, ku duket se kanë qenë vendosur dyqanet, e shprehur kjo dhe nga toponimia Qafa e Pazarit.

“Në sheshin poshtë kodrës ruhen vetëm rrënojat e një kishe, kurse disa mure të dëmtuar gjatë punimeve të një pusi nafte. Në anën lindore, te Gryka e Mirës, në një shesh të përshtatshëm për ndërtime ruhen gjurmët e dy banesave, njëra nga të cilat njihet nga banorët si kisha Nominajt. Kurse në fshatin e sotëm të Palavlisë, ku mund të ketë pasur ndonjë lagje të paktën në shek. XVI, deri tani nuk janë kryer kërkime”, - vijon Muçaj, duke arritur në përfundimin se fshati Kamenicë në pikëpamje të urbanistikës është me tipare të qarta të një qyteti mesjetaro-bizantin.

“Në gjendjen e sotme fshati i rrënuar i Kamenicës ruan deri diku mirë një numër të madhe ndërtimesh, ku pjesën dërrmuese e zënë banesat, krahas tyre ruhen dhe disa kisha. Numri më i madhe i tyre ndodhet në pjesën jugperëndimore të kodrës së madhe. Muratura e ndërtimeve për shkak të punimit të mirë dhe lidhësit të fortë, ruhet shpesh, thuajse deri në lartësinë origjinale, ndërsa nga elementet e drurit kanë mbetur vetëm gjurmë.”