Jump to content

Kampi i Bedenit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kampi i Bedenit ishte një nga kampet e internimit dhe të punës së detyruar për të burgosurit politikë gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Kampi e mori emrin nga një kanal i cili duhet të ndërtohej nga të internuarit në zonën kënetore të Bedenit (quhej edhe këneta e Zhabjakut) e që përfundonte në lumin e Shkumbinit. Në vitin 1948, për hapjen e këtij kanali punonin 1200 të burgosur të ndarë në brigada. Të burgosurit erdhën nga burgjet e Shkodrës, Vlorës, Beratit, Elbasanit dhe Durrësit si dhe disa nga këneta e Maliqit. Ata u vendosën në baraka të sajuara për disa muaj punë.[1][2]

Qëllimi punës në kamp ishte që të hapej një kanal vigan rrëzë kodrave të Bedenit, 7 kilometra i gjatë dhe i gjerë sa të shkonte lirisht një (makinë tip) “Skoda” në fundin e tij, si dhe përfundimi i këtij kanali në kënetën e Zhabjakut. Kjo e fundit do të thahej nga të internuarit, kurse ujërat e kanalit do t’i hidhnin në Shkumbin kullimet e kodrave, si dhe makrrosat dhe mbetjet e kësaj kënete. Puna ishte e organizuar në brigada, që kishin një efektiv për 150-200 të burgosur secila. Komanda e kampit, ngrinte dhe frynte normat me qëllim që të justifikonte dhe normat e atyre të shumtëve që nuk punonin. [3]

Këtu punuan në një brigadë të vetme 29 priftërinj katolikë të ardhur të gjithë nga burgu i Shkodrës.Të dënuarit punonin 8 orë në ditë, por shtohej një orë “për nder të shokut Stalin”, e pas saj një orë “për nder të shokut Tito”, e në fund një orë “për komandantin, shokun Enver”. Kushtet e jetesës në kamp ishin të gjitha të këqija. Përveç lodhjes në punë, me kalimin e kohës u bë e lodhshme edhe largësia e frontit të punës nga vendi i banimit. Gjatësia e kanalit rriste gjatësinë kilometrike prej kampit e në këtë mënyrë kthimi i tyre atje ishte gjithnjë i lodhshëm e i mundimshëm.[1]

Dhuna dhe tortura

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dëshmia e Sami Rrepishtit tregon dhe torturat të cilave ju nënshtroheshin të dënuarit që nga dërgimi në kamp dhe gjatë qëndrimit dhe orëve të punës së detyruar:

Në nji ditë të nxehtë qershori, u ngarkuem në kamiona ushtarake, të lidhun dorë më dorë dy nga dy, e trupat me litar. Ishte e pamundun me lëvizë për mungesë vendi, të radhitun si sardelet në kuti. Përreth kishim roje me dru, e dy të tjera me automatike. Nuk kishim të drejtë me u ngrejtë në kambë, me lëvizë ose me fol. Gjatë udhëtimit, rojet rrahshin me dru, çdonjenin që ankohej ose lëvizte kambët e mpime. [4]

Sipas kujtimeve të ish- të dënuarve, nga vështirësitë e jetës dhe puna e rëndë, u sëmurën dhe vdiqën më shumë se njëzet të dënuar. Sipas Tanush Kasos, e tmerrshme ka qenë në këtë kamp, vdekja e një të burgosuri nga Mirdita të quajtur Nikollë Bardhoku, nga Bushkashi. Vetëm për kapriçon e një polici, ai u zhvesh lakuriq, u lidh pas një shtylle në oborrin e kampit dhe u la nën saçin e diellit përvëlues të korrikut, gjersa trupi i’u bë plagë. Ulërinte nga dhimbjet e kërkonte shpëtim, por askush nuk guxonte t’i afrohej e të pësonte fatin e tij. Të nesërmen vdiq aty, si një shenjtor i lidhur. Komandant i kampit ishte Haxhi Pela ose Peçe, nga Qarku i Beratit. [2][5] Të tjerë ish-të burgosur dëshmojnë se komandanti i Kampit ishte një toger Hysniu nga Labëria.[3]

Puna në kanal, oficerët mbikqyrës, policët me dru që rrahshin punëtorët, sidomos ata që guxojshin me ngrejtë kokën ose, pushojshin me marrë frymë. Kjo pamje e çoroditun, më sillte në mend leximet mbi jetën e skllavëve, në ndërtimin e piramidave të faraonëve egjiptiane, e djersën e të lidhunve me zinxhirë, në barkat e ose minierat e Vjetërsisë, të lundërtarëve-robër, që kalojshin jetën si vozitës me rremat e gjatë e të mundimshëm, në rreshta dy nga dy, ose katër nga katër, në lëvizje pa pushim, ditë e natë, nën kamxhikun e mbikqyrjen e xhelatit, të shfrytëzuem deri në palcë, deri në vdekje, kufoma të hedhuna në valët e detit të pafund, nga shokët e tyne që shihshin në viktimën e sotme, fatin e tyne të nesërm. [4]

Të dënuar në këtë kamp kanë qenë gjithashtu:

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kampi i Bedenit[lidhje e vdekur]

  1. ^ a b "Kampi i Bedenit". Harta e Kujteses. Arkivuar nga origjinali më 2023-12-13. Marrë më 2023-12-13.
  2. ^ a b "Të vdekurit në kampet e Vloçishtit dhe të Bedenit". Albspirit (në anglishte amerikane). 2017-01-28. Arkivuar nga origjinali më 2023-12-13. Marrë më 2023-12-13.
  3. ^ a b Krasniqi, Valon (2023-08-02). "Dëshmi rrëqethëse: Ja pse e humbnin shikimin të burgosurit në kampet e Kavajës". ObserverKult (në anglishte amerikane). Arkivuar nga origjinali më 2023-12-13. Marrë më 2023-12-13.
  4. ^ a b Rrepishti, Sami (2023-12-10). ""Drejtori i kampit Bedenit, më futi shkopin në gojë dhe më tha; nesër në mëngjes, po të gjeta këtu në krevat, do të". Memorie.al. Arkivuar nga origjinali më 2023-12-13. Marrë më 2023-12-13.
  5. ^ Kaso, Tanush (2020-11-26). ""Në kampin e Bedenit ku ishte komandant Haxhi Pela, një të dënuar nga fshati Bushkash, e lidhën pas shtyllës dhe aty ai…"/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik". Memorie.al. Arkivuar nga origjinali më 2023-12-13. Marrë më 2023-12-13.