Shko te përmbajtja

Sami Repishti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sami Repishti është shkrimtar, humanist dhe historian shqiptar. Ka shërbyer shumë për njohjen e çështjes shqiptare në perëndim.

Leu në gjirin e familjes së Hafiz Ibrahimit dhe Hava Bushatit në lagjen Dudas në Shkodër6 prill 1925, i ati figurë me autoritet në shoqërinë shkodrane të asaj kohe dhe më pas deputet në Kuvendin Kombëtar.

Në vendlindje kreu mësimet fillore në shkollën «Oso Kuka» dhe të mesmen pranë gjimnazit të Shkodrës ku ra në kontakt edhe me lëvizjen komuniste që lëvronte ngahera në mjediset rinore të qytetit por sidomos pas 7 prillit 1939.

Më 1942 mbaron maturën. Niset në Tiranë për të marrë pjesë në një konkurs për shkollën e lartë jashtë shtetit. Ishin 112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme. Mbas 2 ditëve, ai merr vesht se ka fituar bursë nga ministria e Arsimit për në Fakultetin e Historisë së Firences[1].

Me mbërritjen në atdhe më 1943 shkon të verojë në Repisht, prej ku kishte origjinën familja e tij. Prejse strehoi një nip të tijin që kishte ide komuniste, autoritetet fashiste ia arrestojnë të jatin dhe e torturojnë gjer në vdekje nga hemoragjia më 29 shtator 1943. Kështu bëhet i pari i shtëpisë detyrohet t'i sigurojë bukën familjes.

Punon në Sektorin e Rindërtimit me të hyrë në pushtet regjimi i ri. Themelon me shoqërinë e tij një Organizatë të Rinisë Demokratike, shpërndanë trakte dhe i dorezon një Memorandum një deputeti anglez që vizitoi Shkodrën dhe ndihmonin familjet e të arratisurve. Në maj të 1946 merr pjesë në varrim të Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçi. Ishte data 22 tetor 1946, kur në vendin e punës mbërrijnë forcat e Sigurimit dhe marrin nën pranga të riun me akuzën «Agjitacion e propagandë kundër shtetit». Për 14 muaj, Samiu u nënshtrohet hetimeve intensive, me ç’rast takon dhe prof. Kolë Prelën. Dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie dhe në burg shoqërohet me P. Çiprian Nikën, si dhe të vëllanë e prof. Kolës, Markun. Më 28 nëntor 1947 dërgohet në Burgun e Madh, dhe më tej në kampin e Vloçishtit, kampin e Bedenit, në BedenKavajës më 1948. Mbas kampit të punës së detyruar në Orman PojanKorçës, Samiu rikthehet në burgun e Shkodrës, në fund të muajit nëntor.

Mbas daljes nga burgu më 1956 punoi javën e parë si pastrues i barit të keq në stadium, javën e dytë e caktojnë të punojë në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike. Kështu e gjeti edhe viti 1956. Më vonë, si ndihmës i zdrukthtarit në vendlindje, deri në ditën e arratisjes, 22 gusht 1959. Në Jugosllavi izolohet dhe mandej lirohet nga ky izolim në prill 1961[2] dhe punësohet përkohësisht (ndërkohë studion serbokroatishten dhe anglishten.) Por shumë shpejt (qershor 1961), përfundon në kampin e refugjatëve të Gerovës, Kroaci.

Më 1 shtator 1961, arratiset nga kampi i Gerovës dhe vendoset në Itali. Qëndroi në Trieste, në kampin e refugjatëve San Sabba, ku në tri javë fitoi të drejtën e azilit politik. Mbas një qëndrimi gjashtëmujor në kampet Kapua [https://en.wikipedia.org/wiki/Capua] dhe Latina pranë Napolit, dhe Romës, mbas shumë vuajtjesh, më 9 prill 1962, emigroi për në ShBA. Merr pjesë në takimin e pesëdhjetë vjetorit të Vatrës, ku dhe takon mikun e të atit në periudhën e opozitarizmit, Imzot Nolin. E fitoi nënshtetësinë amerikane më 1968. Doktoroi pranë Departamentit të Frëngjishtës në City University of New York (1977). Për 25 vjet me rradhë, ka dhënë mësim në universitete të SHBA. Ka qenë kryetar i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për shkollat e qytetit Malverne, New York, Koordinator i programit për studime të avancuara, Lice-University, Adelphy, Garden City, NY, 1976-1991, dhe po aty pedagog i jashtëm. Udhëtimin e vetëm në Kosovën e shliruar e bëri në prillin e 2000.

Angazhimi intelektual dhe atdhetar

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Eshtë autor i më shumë se 100 studimeve e artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut. Tematika e tyre, përfshin kryesisht vuajtjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe të çamëve, dhe janë botuar në shtypin amerikan dhe shqiptar.

Intelektuali erudit Prof. Repishti, ka qenë koordinues për ish-Jugosllavinë e Shqipërinë pranë Amnesty International në ShBA, për periudhën e vitëve 1979-1982. Është i pari shqiptaro-amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve të kongresit dhe të qendrave amerikane për studim, kryesisht të problemit kosovar. Ne vitin 1968 e formoi organizaten «Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë». Në nëntor 1982, me Arshi Pipën e organizuan Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën me pjesëmarrjen e 14 profesorëve evropianë dhe amerikanë, duke i bërë edhe peticion Pjesëtarit të Parlamentit Evropian Otto von Habsburg. Punimet e Konferencës janë botuar në librin «Studies on Kosova» (C.U.P.1984). Në vitin 1978, shoqërinë «Kosova Relief Fund, USA, Inc.» për ndihmë financiare familjeve të persekutuara në Kosovë, fondacion të cilit i qëndroi në krye gjer më 2000. Për më se dhjetë vjet ka mbajtur rubrikën mbi Kosovën për gazetën Dielli.

Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë të Kosovës në Washington, që u miratua nga Presidenti i 46-të i SHBA, Mr. William Jeferson Clinton (1993). Është bashkthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutiv (1989-1992), bashkthemelues i American Friends of Albania e sekretar/arkëtar i saj (1992-1996), bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC 1996) dhe president i parë (1996-1998) — i grupit të lobimit me ndikim të fortë në Washington D.C[3].

Vazhdoi të merret me studime shqiptare dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Vdiq më 27 Nëntor të vitit 2024.

Fryt i martesës së tij me Dianën janë dy fëmij: i biri, Dareni, me profesion mjek, dhe e bija Ava, avokate, si dhe nipat e mbesat. Jetoi në Ridgefield, CT ShBA.[4].

  1. Repishti S., Shënime Personale, letër dërguar studjuesit shkodran Islam Dizdarit më dt. 20 prill 2008 nga Baldwin, New York, ShBA.
  2. Repishti S., «Pika loti» tregime burgu, Bot. «At Gjergj Fishta», Shkodër, 1997.
  3. Repishti S., Si asht e mundun që ish-komunistët drejtuen Lëvijen Demokratike në Shqipni (I & II), Intervistë e Ajet Nuro për Tribunën Shqiptare, 21 & 29 maj 2014.
  4. Kapinova K., Repishti: Shqipëria, sot jeton në pellgun e padrejtësisë, Republika. - Nr. 250, 24 tetor, 2008, f. 14 - 15.