Kolë Prela
Kolë Prela (Pepsumaj - Shosh, 19 tetor 1916 - Shkodër, 13 prill 1948) qe arsimtar, kritik letrar, organizator i Lëvizjes Antifashiste dhe deputet në Asamblenë Kushtetuese më tej të quajtur Kuvendi Popullor.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lindi në shtëpinë e Marash Demës, i biri i Prelë Gjokës dhe Katës së Vatë Gjeloshit. Gjatë Luftës së Parë Botërore serbo-malazezët ia djegin shtëpinë kështuqë shtrëngohen të banojnë në një jerevi derisa më 1922 bien në Shkodër. Kola nis Kolegjin Saverian qysh më 1923, ku merr mësim nga Dom Ndre Mjeda.[1] I vdes i ati më 1929, duke bërë kësodore që e ëma të shërbente në një shtëpi reshperësh. Përfundon më 1932 dhe nis gjimnazin e shtetit ku merr "Dëftesën e Pjekurisë në degën klasike" më 1935. Përfiton bursë studimi më 1936 deri më 1940. Regjistrohet në fakultetin e Letërsisë-Filozofisë në universitetin e Torinos.
Nga viti 1940 deri më 1943 punon mësues i letërsisë, greqishtes dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës. Prela ka qenë një nga organizatorët e demonstratës antifashiste të 22 shkurtit të vitit 1942. Ai ishte një nga nacionalistët e parë indipendent që përqafoi platformën politike të Konferencës së Pezës, hyri në FNÇ dhe së bashku me Riza Danin, Dom Luigj Picin, Xhemal Brojën, Rexhep Hakën, Sadik Bekteshin, Shyqyri Hafizin, formuan Këshillin e parë Krahinor Nacionalçlirimtar të Qarkut të Shkodrës me në krye major Sabri Gjonin. Në qershor vitit 1943 doli ilegal në malet e Dukagjinit për të organizuar lëvizjen antifashiste, atje ngriti Çetën partizane teritorriale të Dukagjinit, koordinoi veprimtarinë antifashiste mes Shkodrës-Dukagjinit dhe Malësisë së Gjakovës. Në dimrin e vitit 1943 strehoi në Dukagjin dhe siguroi kalimin e batalionit "Perlat Rexhepi" në sektorin Bogë-Theth-Vuthaj. Në vitin 1944 në Shkodër, ishte përgjegjës i Seksionit Ekonomik për dy muaj dhe drejtor i Normales së Elbasanit, deri në nandor 1945.
Me zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 zgjidhet deputet i zonës nr. 11 në Nënprefekturën e Dukagjinit.[2] Në shkurt të 1946 paraqitet para gjyqit të P. Gjon Shllakut duke deklaruar se qe antifashist që veproi në lëmin ku ishte më i përgatitur: atë të kulturës. Pas Lëvizjes së Postrribës arrestohet më 14 shtator 1946 me akuzën e themelimit të një partie demo-kristiane, bashkëpunimin me figura si Riza Dani dhe se qe në lidhje me Klerin Katolik. Pushkatohet më 13 prill 1948, pa iu ditur varri ende sot.[3]
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Prela K., Dom Ndré Mjedja dhe kritikët, HD viti XVIII 1942, 1-2, fq. 87.
- ^ Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 14 maj 2011 tek Wayback Machine - Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005. fq. 47.
- ^ Milani P., Si e sfidoi Kolë Prela gjyqin komunist, i pushkatuari pa varr, Shqiptarja.com, 12 maj 2013.