Jump to content

Kisha e Zojës së Bekuar në Letnicë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kisha Katolike në Letnicë

Kisha e Zojës së Bekuar ose Kisha e Zojës së Zezë është një kishë katolike që ndodhet në fshatin LetnicëKomunës së Vitisë.[1]

Kisha e parë është ndërtuar këtu diku në shekullin XIV, në një kohë kur Letnica duhet të ketë qenë një qendër minerare e vogël, por në lulëzim e sipër. Më 1584, të dhënat osmane paraqesin rreth 500 familje të krishtera që jetonin në kuadër të zonës së kishës. Thuhet që Zoja është shfaqur tri herë në Letnicë, duke u bërë thirrje fshatarëve të ndërtonin një kishë. Në vitin 1737, të dhënat arkivore tregonin se kishës iu bënë riparime të mëdha, por u rindërtua më pas nja njëqind vjet më vonë, më 1866. Kjo ndërtesë u dëmtua rëndë gjatë një tërmeti, ndërsa ndërtimi i strukturës së tanishme filloi më 1928, si dhe përfundoi më 1934. Brenda kishës gjendet një trupore e drurit afër 400 vjeçare që i përket Zojës së Zezë (Cernagora), punuar nga druri i katranosur, nga ku e ka marrë edhe emrin, e cila sipas besimeve lokale mund të ndihmojë çiftet pa fëmijë, si dhe nderohet njëlloj nga katolikët, të krishterët ortodoksë, dhe myslimanët. Një tjetër legjendë që rrethon “Zojen e Zezë” është edhe udhëtimi i saj mrekulli nga vendndodhja e saj origjinale në Shkup përmes Malit të Karadakut e deri në kishën e Letnicës, si dhe mbijetesa e saj gjatë tërmetit, përkundër shkatërrimit të gjithë ndërtesës përreth saj.

Pikërisht në këtë kishë, “në vitet e 20-ta, një vajzë e re e quajtur Agnesë Gonxhe Bojaxhiu, u nis për një pelegrinazh në Letnicë, vendi ku ajo mori thirrjen e saj për jetë fetare. Disa vite më vonë, ajo nisi një udhëtim jetësor, për të ndihmuar të sëmurët dhe të varfrit kudo në botë.” Ajo njihet më mirë si Nënë Tereza e Kalkutës, e cila u shenjtërua më 4 shtator 2016, në përvjetorin e vdekjes së saj.[2]

  1. ^ https://www.osce.org/sq/mission-in-kosovo/425876
  2. ^ https://www.osce.org/files/f/documents/f/a/461200.pdf