Klasifikimi i zanoreve të gjuhës shqipe
Gjuha shqipe ka 7 zanore: [a, e, ë, i, o, u, y]. Tiparet e përgjithshme nyjëtimore që sigurojnë dallimim e tyre janë: radha, ngritja dhe buzorëzimi. Gjuha dhe buzët luajnë rolin kryesor për formimin e timbrit të zanoreve, prandaj klasifikimi i zanoreve mbështetet pikërisht në tiparet që lidhen me pozicionin e tyre.[1]
Zanoret e gjuhës shqipe | A | E | Ë | I | O | U | Y |
---|
Zanoret mund të jenë të theksuara dhe të patheksuara. Shqipja letrare nuk ka zanore që të dalin vetëm në pozicion të theksuar, as të tilla që të dalin vetëm në pozicion të patheksuar.[2]
Klasifikimi sipas pozicionit të gjuhës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pozicioni i gjuhës përcakton dy tipare të zanoreve: radhën dhe ngritjen.
Gjuha mund të lëvizë në dy drejtime kryesore: para-prapa (lëvizje horizontale) dhe lart-poshtë (lëvizje vertikale).
Radha e zanoreve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nga lëvizja horizontale varet radha e zanoreve, d.m.th. vendi i ngritjes së gjuhës. Kur themi vendi i ngritjes, kemi parasysh pjesën më të ngritur të shpinës së gjuhës në drejtim të qiellzës.
- Kemi zanore të radhës së përparme atëherë kur trupi i gjuhës shtyhet përpara, ndërsa pjesa e mesme e shpinës së gjuhës ngrihet drejt qiellzës së fortë. Zanore të tilla në gjuhën shqipe janë i, y, e. Këto zanore quhen shkurt zanore të përparme.
- Kemi zanore të radhës së mesme (zanore të mesme) atëherë kur gjuha zë një pozicion të ndërmjetëm midis zanoreve të përparme dhe të prapme. Zanore të tilla në gjuhën shqipe janë: a, ë. Këto zanore quhen edhe qendrore (centrale).
- Kemi zanore të radhës së prapme (zanore të prapme) atëherë kur trupi i gjuhës tërhiqet prapa, ndërsa pjesa e përparme e shpinës së gjuhës ngrihet drejt qiellzës së butë. Zanore të prapme në gjuhën shqipe janë: u, o.[3]
Ngritja e zanoreve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nga lëvizja vertikale e gjuhës, d.m.th. nga shkalla e ngritjes së saj drejt qiellzës përcaktohet ngritja e zanoreve.
- Kemi zanore të ngritjes së ulët, kur gjuha ngrihet fare pak drejt qiellzës. Zanore e tillë në gjuhën shqipe është ë-ja. Kjo quhet edhe zanore e hapur, meqë largesa midis gjuhës që ngrihet dhe qiellzës është e madhe.
- Te zanoret e ngritjes së mesme, gjuha ngrihet mesatarisht drejt qiellzës. Të tilla janë: e, ë, o.
- Kemi zanore të ngritjes së lartë, kur gjuha ngritet më lart se te zanoret e tjera dhe i afrohet qiellzës. Zanore të tilla në gjuhën shqipe janë: i, y, u. Këto quhen edhe zanore të mbyllura.[4]
Klasifikimi sipas pjesëmarrjes së buzëve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas pjesëmarrjes ose mospjesëmarrjes së buzëve në nyjëtimin e zanoreve këto mund të jenë të buzorëzuara dhe të pabuzorëzuara.
- Në nyjëtimim e zanoreve të buzorëzuara o, u, y, buzët zgjaten dhe rrumbullakohen.
- Te zanoret e pabuzorëzuara a, e, ë, i, buzët nuk marrin pjesë, janë asnjanëse.[5]
Variantet themelore të zanoreve të shqipes
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kur përshkruajmë nyjëtimin e fonemave zanore, zakonisht kemi parasysh nyjëtimin e varianteve themelore të tyre. Si variante themelore në radhë të parë konsiderohen ato që përfitohen gjatë shqiptimit të veçuar të zanoreve.
Formimi i variantit themelor të zanores [a]
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në shqiptimin e zanores a, goja hapet më shumë se te të gjitha zanoret e tjera. Gjuha zë një pozicion të ndërmjetëm midis zanoreve të përparme dhe të prapme. Pjesa e prapme e shpinës së gjuhës ngrihet fare pak në kufirin midis qiellzës së butë dhe qiellzës së fortë. Trupi i gjuhës tërhiqet pak prapa (por jo aq sa te zanoret e prapme), kështu që hapësira e faringut ngushtohet. Buzët nuk marrin pjesë në nyjëtim, qiellza e butë është e ngritur.
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Fonetika dhe Fonologjia e gjuhës shqipe - Anastas Dodi, faqe 37
- ^ Fonetika dhe Fonologjia e gjuhës shqipe - Anastas Dodi, faqe 37
- ^ Fonetika dhe Fonologjia e gjuhës shqipe - Anastas Dodi, faqe 38
- ^ Fonetika dhe Fonologjia e gjuhës shqipe - Anastas Dodi, faqe 38 dhe 39
- ^ Fonetika dhe Fonologjia e gjuhës shqipe - Anastas Dodi, faqe 39