Kol Mjeda
Kol Mjeda | |
---|---|
Lindi | 4 dhjetor, 1895 |
Vdiq | 24 prill, 1951 |
Kombësia | Shqiptare |
Profesioni | Kryetar i Bashkisë së Shkodrës, Prefekt i Qarkut të Dibrës, deputet, Zv. President i Asamblese Kombëtare. |
Kol Mjeda (Shkodër, 4 dhjetor 1895 - 24 prill 1951) ka qenë themelues i Lëvizjes Sindikaliste të Shkodrës, Kryetar i Bashkisë së Shkodrës, deputet, Zv. President i Asamblese Kombëtare, Prefekt i Qarkut të Dibrës.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Shkodër më 4 dhjetor 1895, i biri i Pashkut dhe Angjelina Ljarjes. Njëri nga njerëzit e shquar të familjes Mjeda (dega e shkodrës). Pasi mbaroi shkollën fillore në Shkodër, kryen shkollën e mesme teknike dhe shkollën teknike superiore për veshjet e modes për burra, në Drezden të Gjermanisë.
Me kthimin në Shqipëri, Kola fillon të ushtrojë profesionin e stilistit në zejen e rrobaqepësisë, duke hapur një sallon mode për burra, ku qepeshin me nivel stilistik të lartë veshje për burra: “Bonjeure”, “Rontigeau”, frak të modës së fundit etj. Gjurmët e ekzistencës së këtij salloni mode, ekzistojnë në udhërrëfyesin ose në Guidën e qytetit të Shkodrës së asaj kohe.
Falë aftësive të tij profesionale, Kola e zgjeroi aktivitetin e tij duke punësuar profesionistë të shquar të asaj kohe në Shkodër, si: Kol Tivari, Gjon Laca etj. Ai arriti ta zmadhojë aktivitetin e tij në një punëtori të madhe për kohën, me 60-80 punëtorë. Për shkak të kontakteve që nga koha e shkollës, Kola arriti të lidhë kontrata pune me sipërmarrës austriakë për qepjen e veshjeve me porosi të klientelës së huaj.
Më 1 prill 1907, u krijua “Shoqëria Ndihmëtare e Punëtorëve” në Shkodër, me në krye: Simon Rranxin, Kolë Mjedën, Kolë Lukën, vëllezërit Daija dhe Dajçi, Hilmi Drishtin, Anastas Zaqorën, Gjon Lacajn, Et’hem Behrin, Kel Marubin, Abdyl Jasharin etj. Aktiviteti i kësaj shoqërie, vazhdoi deri në vitin 1939.
Kolë Mjeda ka qenë një nga themeluesit kryesorë të Lëvizjes Sindikaliste të Shkodrës dhe në periudha të ndryshme, ka qenë edhe sekretar, nënkryetar dhe kryetar i kësaj shoqërie. Ai është nismëtar i veprimeve dhe aktiviteteve, sikurse krijimi i Shoqërisë Artistike Muzikore “Rozafa”.
Më pas, kjo shoqëri bëhet bërthama e krijimit të një shoqate, në të cilën arrijnë të aderojnë deri në 60 mijë persona, si: punëtorë, zejtarë, tregtarë të vegjël e të mesëm. Shoqatë që u bë shembull i lëvizjeve punëtore në Mal të Zi, Mitrovicë, e deri në Kroaci. [1] [2]
Kola, ishte zejtar rrobaqepes, i binte klarinetës me grupet orkestrale qe jepnin shfaqje për popullin në festat kombëtare, por edhe zotëronte 4 gjuhë të huaja: gjermanisht, italisht, serbo-kroatisht dhe turqisht. Për aftësitë e tij dhe reputacionin që gëzonte në masën e punonjësve, shoqëria e zgjodhi edhe anëtar të Këshillit të Bashkisë së qytetit, ku me shumë përkushtim, ai mbrojti të drejtat qytetare.
Për më se 20 vjet, Kolë Mjeda, ka punuar pa u lodhur si një nga drejtuesit e kësaj shoqërie, deri në triumfin e Legalitetit. Me eksperiencën e fituar në Lëvizjen Sindikaliste, çka e ndihmoi të njihet me problemet sociale të vendit, Kolë Mjeda, qysh në vitin 1924, filloi t’i përkushtohet edhe politikës dhe të merret edhe me qeverisjen e shtetit shqiptar, në detyra të ndryshme.
Në fillim ai kreu funksionin e Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës. Për disa legjislatura ai ka qenë deputet i Shkodrës dhe më vonë zgjidhet Zv/President i Asamblesë Kombëtare. Në fund të karrierës së tij, Kola ka qenë edhe Prefekt i Qarkut të Dibrës. [3]
Por aktiviteti i tij shoqëror shtrihet edhe në publicistikë. Ai që nga viti 1925 ka drejtuar për një kohë të gjatë fletores së përjavëshme "Zani i Popullit" si dhe bashkëpunoi me revistën pretigjioze shkodrane "Leka". Të njohur u bënë artikujt e tij: "Si t'i pshtojmë inondatave", "Ekonomi komtare e bujqsi" ("Leka" 16-11-930). Kolë Mjeda së bashku me kushëririn e tij, Dom Ndre Mjeda, në qershor të vitit 1930, vizituan vendlindjen e Budit, ku u njohën nga afër dhe bënë studime mbi trojet, fisin, gjuhën e Imzot Pjetër Budit. Për këtë vizitë, Kola shkroi artikullin: "Emz. Pjetër Budi" ("Leka" Nr.4, 7 Korrik 1930)
Me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri Kolë Mjeda u arrestua më 1 dhjetor 1944. Me pas me vendim nr. 249, datë 17 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi "kriminel lufte", "armik të popullit dhe sabotator të pushtetit" dhe e dënoi me burgim të përjetshëm dhe 10 vjet punë të detyruar. (F. 5, Viti 2016, D. 35, f. 52-53). [4] [5]
Kole Mjeda u nda nga jeta në Burgun e Burrelit më 24 prill 1951.
Pema familjare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Kristaq Misha, libri "Lëvizja punëtore në Shqipëri" (1970), Tiranë: Naim Frashëri
- ^ Dr. Dorian Koçi, Prof. As. Dr. Marenglen Kasmi, libri "Historia e Sindikalizimit Shqiptar 1905-1961" (1970), Tiranë: Turdiu 2022, ISBN: 978-9928-4691-6-8
- ^ "Parlamenti i Shqiperise, Ligjevenesit ne vite" (PDF). Parlamenti Online.
- ^ Dr. Dorian Koçi, Prof. As. Dr. Marenglen Kasmi, libri "Historia e Sindikalizimit Shqiptar 1905-1961" (1970), Tiranë: Turdiu 2022, ISBN: 978-9928-4691-6-8
- ^ "Doc Dr Zyhdi Zekja dhe Namik Kruja. Historia e shkodranit të njohur që vdiq në burgun e Burrelit". Memorie.