Koronarografia

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Koronarografia është një ekzaminim, që siguron një pamje të hollësishme të enëve që furnizojnë me gjak zemrën (arteriet koronare) nëpërmjet përdorimit të rrezeve X. Ky ekzaminim realizohet duke futur brenda trupit të pacientit përmes një porte hyrëse, zakonisht një enë gjaku që kalon në pjesën e sipërme të kofshës apo në krah, një tub plastik të gjatë, të hollë dhe fleksibël të quajtur kateter. Maja e kateterit vendoset në hyrje të arterieve koronare ndërsa pjesa fundore e kateterit, e cila ndodhet jashtë trupit të pacientit, është e lidhur me një shiringë nëpërmjet së cilës injektohet në arteriet koronare një lëng i posaçëm (lënda e kontrastit). Lënda e kontrastit ka vetinë të bëhet e dukshme nën veprimin e rrezeve X. Aparati i rrezeve X mundëson realizimin e një numri imazhesh, të cilat japin informacion të detajuar mbi pamjen e brendshme të arterieve koronare. Në përfundim të koronarografisë, mjeku specialist është në gjendje të përcaktojë numrin dhe shkallën e ngushtimeve brenda arterieve koronare, si edhe mënyrën më të përshtatshme të trajtimit të këtyre ngushtimeve, zakonisht nëpërmjet zgjerimit me balon dhe stent apo ndërhyrjes kirurgjikale (bajpasit koronar).

Koronarografia iu rekomandohet atyre personave, të cilët kanë simptoma të sëmundjes së arterieve koronare si p.sh. dhimbje gjoksi (angine), dhimbje të nofullës, të qafës, të krahut të cilat nuk shpjegohen nga ekzaminimet e tjera, dhimbje gjoksi e shfaqur për herë të parë apo dhimbje gjoksi, e cila vjen duke u rënduar (angina e paqëndrueshme). Janë edhe dhimbjet e gjoksit si pasojë e infarktit të miokardit, vështirësi në frymëmarrje, lodhje, çrregullime të ritmit të zemrës apo dëmtim të funksionit të zemrës (insuficiencë kardiake) të cilat nuk shpjegohen nga shkaqe të tjera. Koronarografia i rekomandohet edhe personave mbi një moshë të caktuar, të cilët kanë sëmundje të valvulave të zemrës apo defekte të lindura në zemër për trajtimin e të cilave është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.