Jump to content

Kronika e Janinës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kronika e Janinës është një Kronikë Anonime, shkruar në greqish rreth vitit 1439.

Kronika vjen nga manastiri i shën-Pandelejmonit (shek. 17) në Janinë. Fillimisht, Kronika u mendua të ishte shkruar nga murgjit Prokël dhe Komnen dhe u njoh si "Kronika e murgjve Prokël dhe Komnen". U botua për herë të parë nga konsulli frëng pranë Ali Pashë Tepelenës, Fransua Pukëvil, më 1805[1].

Më pas u quajt me emrin e qytetit ku u gjend “Kronika e Janinës”, kur u botua nga Leandro Vranusi[2].

Kronika përmban ngjarjet politike-ushtarake që u zhvilluan në Epir dhe Etoli-Akarnani, kryesisht në Janinë e Artë: që nga lënia e sundimit të Artës, Niqiforit II nga Simeon Uroshi më 1355 deri në vdekjen e despotit Gjin Bua Shpata sundimtar i Artës.

Kronika na njeh me krijimin dhe shtrirjen e formacioneve shtetërore feudale, si: Despotati i Angjelokastrës me despot Gjin Bua Shpata, Despotati i Artës me despot Pjetër Ljosha. Me vdekjen e despotit Pjetër Ljosha, Gjin Shpata merr edhe despotatin e Artës. Kryeqendër mbetet vetëm Arta.

Kronika përshkohet nga përpjekja politike-ushtarake e Gjin Bua Shpatës për ta lidhur në një sundim të vetëm Artën dhe Janinën.

Vend me rëndësi në Kronikë zënë midis tyre ngjarjet e 1379 në Janinë dhe njoftimet mbi shtrirjen dhe veprimtarinë e shqiptarëve në këto treva.

Në Kronikë përmendet sebastokrator Gjon Zenebishi, sundimtar i Gjirokastrës.

Kronika flet për konfliktet e armatosura të arbërve udhëhequr kryesisht nga Gjin Bua Shpata gjatë viteve 1356 – 1358 me despotin Niqifori II Dukas Orsini me qendër në Artë; më 1370 – 1373 dhe 1377 e 1379 me despotin Thoma Komnen Paleologu ose Preljuboviç, sundimtar në Janinë; më 1384 me mbretëreshën Maria Angjelina Dukaina Paleologjina ose Nemanjiç; si dhe më 1388 e 1399 me despotin Izau Buondelmonti.

Despoti Gjin Buja - Gjin Shpata (Gjin Bua Shpata) në këtë Kronikë cilësohet si burrë aktiv dhe nga të gjitha i shkëlqyer, i stolisur me vepra e fjalë dhe nga bukuria serioz. Tek ai gjendeshin me të vërtetë teoria dhe veprimi[3]. Autori apo autorët e Kronikës Anonime duket tërhiqeshin nga Gjin Bua Shpata dhe ishin përkrahës të politikës së despotit të Artës.

Despoti shqiptar Gjin Bua Shpata vdiq më 1399 në Artë.

Tabelë kronologjike e figurave, ngjarjeve dhe datave, nxjerrë nga Kronika e Janinës. A është Kronika Anonime e Janinës, Kronika e Gjin Bua Shpatës?[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më dhjetor 1355 vdes Krali (Stefan Dushani). Niqifori II, vjen nga Kostandinopoja për të përvetësuar pushtetin e Vllahisë (Thesalisë) dhe të Despotatit të Etolisë (dhe Akarnanisë). Simeoni (Uroshi) i lë sundimin (e Artës dhe Rogisë) Niqiforit II.

Më janar 1356 Simeoni merr Kosturin pas vrasjës së qezar Preljubit në një përpjekje me shqiptarët. Shumë nga fisnikët romej, serb dhe shqiptar, kaluan me të. Simeoni krijoi ushtrinë e tij prej katër ose pesë mijë vetash dhe shpallet prej tyre mbret.

Më 1358 Simeoni niset me ushtri drejt kufijve të Serbisë (Zetës – Gentës). Niqifori II, thirri në aleancë turqit, që arbërit (pushtetar në Angjelokastër) kërkon t’i dëbonte nga vendi plotësisht.

Po këtë vit zhvillohet Beteja e Akelout në Etoli. Niqifori II, i cili sundoi tre vjet, dy muaj dhe disa ditë, mundet prej arbërve dhe vritet në betejë (pranë një vendi të fortifikuar që quhej Akelo, shkruan J. Kantakuzeni[4]). Arbërit bëhen zot të krejt Etolisë (dhe Akarnanisë).

Gjin Buja (fama e arbërve[5]) bëhet zot i Akelout (bashkë me Akromerin) despot të Angjelokastrës e nderoi fisi arbëror[3][5].

Despot Pjetër Ljosha përvetëson Artën dhe Roginë.

Vetëm qyteti i Janinës nuk iu nënshtrua sundimtarëve të arbërve.(Fitorja e shqitarëve kundër Niqifori II, pati ndikim politik dhe tregoi se luftëtarët arbër nuk ishin “arvaniçela” [5] – arbërshaluar [çobenj], por prijësa arbër ushtarë trima). Më 1359, Simeoni merr Janinën, shpallet despot. Ua njeh sundimin arbërve: Angjelokastrën (dhe Akeloun) Gjin Shpatës dhe Artën (dhe Roginë) Pjetër Ljoshës dhe vendoset në Tërhallë, ku më pas kryeson një gjykatë me fisnikë romej, serb dhe shqiptar.

Më 1366 janjotët me më fisnikët (përfaqësuesit e aristokracisë dhe administratës së vjetër bizantine dhe serbe[6]) nga kështjella të Vagenetisë[7] (Ajdonatit) ardhës në Janinë, dërgojnë një delegacion tek mbreti Simeon dhe kërkuan t’u jepej një sundimtar prijës. Simeoni u njofton për Thomanë (Komnen Paleologu ose Preljuboviç). Më 1367, Thomai bëhet despot në Janinë (dhe Ajdonat). Por janjotët (me më fisnikët) humbën lirinë me Thomanë.

Më 1370, despoti i Artës, Pjetër Ljosha me mazarakë dhe malakasë nis sulmet (pas vdekjes së Simeon Uroshit) kundër sundimit të Thomait, duke e rrezikuar atë për tre vjet rresht.

Më 1373, Ljosha dhe Thomai lidhin miqësi midis tyre. Thomai marton të bijën e tij, Irenën me Gjonin, të birin e Pjetër Ljoshës.

Më 1374, një murtajë vdekjeprurëse pllakos qytetin e Artës, ku despoti Pjetër Ljosha u nda së gjallësh.

Despoti Gjin Shpata vjen prej Akelout dhe merr Artën (e Roginë) nën pushtetin e tij.

Më 1375, murtajë vdekjeprurëse bie në qytetin e Janinës. Irena, e shoqja e Gjon Ljoshës, vdiq. Gjin Shpata bën një mësymje kundër Thomait, derisa ai shpalli martesën e motrës së tij Helenës me Shpatën. (Gjin Shpata martohet me Helenën me prikë: Vellanin, Drinopolin dhe Ajdonatin).

(Më 1376, Gjin Shpata fama-buja e arbërve u merr katalanëve Eupaktin-Naupaktin-Lepantin).

Më 14 shtator 1377, Gjin Frati sulmon me malakasët Janinën, por mundet. Kjo është fitorja e parë e Thomait kundër shqiptarëve.

Thomai mban pengje fëmijët e shqiptarëve, ndërton burgje, kuvli dhe paluri (kaushe). Thomai tiranizon qytetin e Janinës. Janjotët vendas i urrente që të gjithë me mënyra të ndryshme, kurse të huajt (ardhur kryesisht nga kryeqyteti i Bizantit) i donte. Thomai në Kronikë cilësohet si djallëzor. Një me më shumë përvojë në çëshjtet hyjnore (kryeprifti i kishës së Janinës Sebastiani të cilin Thomai e dëboi; i besuar i Shpatës) me autoritet dhe i njohur me atë kohë e cilëson si koprac, të padrejtë, grykës, rrëmbyes, shpifës, sharës, paditës, frikacak, vrasës dhe mashtrues.

Më prill 1378 zhvillohet Beteja e Artës, ndërmjet mjeshtrit të madh Huan Fernandez De Heredia kundër Despotatit të Artës të despotit Gjin Bua Shpata (dërguar nga Papa Grigori XI dhe mbretëresha anzhuine Xhovana e Napolit për fuqizimin e pozitave të tyre në Ballkan). Anzhuinët pasi zbarkuan në Vodixë (Vonicë) morën Eupaktin dhe më pas arritën në Artë. Në Betejën e Artës, arbërit e mundin kryekomandantin (aragonas), i cili iu dorëzua despotit Shpata. Pas disa ditësh Shpata e shiti. Arbërit shtinë në dorë një pasuri të madhe 9.000 franga. (Fitorja e shqiptarëve kundër anzhuinëve pati ndikim politik. Republika e Venedikut, Komuna e Firences dhe Perandoria Bizantine lidhin marrëdhënie me prijësin shqiptar, Gjin Bua Shpata[6][8]).

Më 29 shkurt 1379 zhvillohet Kryengritja e Janinës kundër sundimit të Thomait. Niqifor Perati i quajtur Kufo (Shurdhi), zbarkon malakasët, një shumicë që nuk numërohet dot, i kalon në ishullin e Liqenit me mjet lundrimi, si dhe prin kryengritësit brenda në Janinë. Perati me më tepër se 200 më të shquarit, marrin Gulën (kullën) e sipërme (e sundimtarit prijës të qytetit). Shqiptarët nga jashtë e mbanin të rrethuar qytetin, kurse nga brenda shtrëngoheshin midis tyre duke bërtitur: rua! rua! (ruaju! ruaju!). (Tri ditë e tri netë nuk pushuan, duke luftuar me popullin derisa u grumbullua një shumicë e pallogaritshme). Në Liqen (mbështetësit e Thomait) zunë luftë me flotën e kundërshtarëve. Kundërshtarët u vunë në ikje dhe humbën tërësisht. Kryengritësit shqiptar që plaçkitën Gulën e sipërme u dorëzuan vullnetarisht. Thomai, prijsit dhe shqiptarët i vuri në arrest. Bullgarëve dhe vllehëve (që luftuan nën prijsa arbër) Thomai, preferoi t’u presë hundët (për të treguar se ata, futën hundët në sundimin e tij, gjë e cila çoi në kryengritjen e Janinës). Kusi me gjak ishte bërë atëhere qyteti i Janinës. Thomait i pëlqente të quhej Albanitokton (shqiptarvrasës). (Mitropoliti Mateo u detyrua të linte Janinën bashkë me të tjerë dhe të strehohej te Gjin Bua Shpata[6]).

Më maj 1379 Gjin Shpata ngrihet sërish kundër Thomait. Thomai tiranizon shqiptarët duke i rrëzuar ata prej kullave, duke u prenë pjesët e trupit ose duke u nxjerrë sytë dhe ua dërgonte Shpatës si kanisk. Despoti Shpata tërhiqet. (Në Janinë ndodheshin rrobaqepës e këpucarë që tërhiqeshin më mirë nga sundimtarët shqiptar[5]).

Armiqësia ndërmjet Shpatës dhe Thomait bëhet shumë e fortë.

Më 2 qershor 1380 Thomai thërret Isaimin (Shahin beun) kundër Zenebishit (dhëndër dhe aleat i Shpatës[6]). Isaimi robëron kështjellën e Vellanit dhe Opanit kur rrethoi në Poliçan mazarakasit dhe Zenebishët. Thomai mori në dorëzim kështjellat: Vursinën, Krecunicën, Dragomën, Velçistën dhe Arahovicën deri në rrjedhën e sipërme të lumit Kalama (Thiam).

Më 5 maj 1382 Isaimi pushton Reunikun.

Në maj 1382, Myrsi Markazan, dhëndër i Shpatës, pajton në Arul më një marrëveshje të rreme Shpatën, për Helenën prikën e saj. Markazan i nënshtroi Zenebishët dhe regjistroi: Vëllanin, Drinopolin dhe Vagenitin (Ajdonatin) dhe vendet e malakasëve (Dangut-Dagavit[9]) deri në Katunë (Grekohori).

Më 6 shtator 1382, Isaimi robëron Drinopolin, kur Helena e shoqja e Shpatës vdes.

Më shtator 1384, Timurtashi vjen në Artë në kohën e vjeljes së rrushit, merr robër dhe kthehet në vendin e vet. Shpata me anë të Arkiereut (kryepriftit të Artës dhe të gjithë despotatit të tij) dhe Kallognomit (këshilltarit, besnikut të tij me autoritet dhe i njohur me atë kohë) i kërkon Tiranit (Thomait) që të dëbojnë së bashku turqit.

Më 23 dhjetor 1384, Tirani vritet prej rojeve të tij. E veja e Thomait (Maria Angjelina) merr sundimin në Janinë. Në këtë kohë ndodh rrethimi i Janinës nga despoti Gjin Bua Shpata në krye të ushtrisë së arbërve. Maria Angjelina, e quajtur mbretëreshë, në Kronikë cilësohet si mbretëreshë me të vërtetë e artë, së bashku me të vëllanë Joani (i biri i Simeonit) murg me emër Joasaf dhe me arkondët e shquar thirrën për sundimtar dhe burrë të saj (kunatin e kontit Leonard Toko të Palatinës së Qefalonisë dhe Zantes) Izau Buondelmonti.

Më shkurt 1385, Izau vjen prej Qefalonisë bëhet despot në Janinë. Gjin Bua Shpata sulmon Janinën. Izau mblodhi ushtritë e tij. Shpata tërhiqet. (Më shtator 1385, pas Betejës së Savrës, sundimtari i Gjirokastrës dhe Vagenitisë, Gjon Zenebishi quhet sebastokrator. Më 1387, Izau bëhet aleat i sulltanit).

Më 7 korrik 1388, Shpata merr Velçistën, ndërsa kështjella e Vellanit iu dorëzua Shpatës nga peshkopi i vendit, i cili nga ana e vet mbajti Vribianin (Konicë). Më korrik 1388 pati kundërvënie midis despotit Shpata dhe despotit Izau, me anë të galerave të tyre në liqen të Janinës.

Më 1389, Sulltani dërgon Melkushin komandant turk në ndihmë të Izau. (Shpata merr kështjellën Shën Maura, Katunën-Katuna dhe të gjithë Leukadën-Lefkadhën). Armiqësia ndërmjet Shpatëve dhe Tokove bëhet e fortë[5]).

Më 4 dhjetor 1390 vjen Evrenozi (Ali bej Vranezi) në Janinë.

(Më dhjetor 1390 Karl Toko krijon ushtri me frengë, romejë, serbë, por më tepër me shqiptar me stratiot Gallas Pekatorin. Shpata kthen në Artë trupat e tij. Toko merr Shën Maurën, Katunën dhe të gjithë Leukadën, deri në Zaverdë të Akarnanisë[5]).

Më dhjetor 1394 vdes Maria Angjelina. Shpata dhe Izau pajtohen dhe lidhën miqësi midis tyre.

Më janar 1396 bëhet martesa e Izaut me Irenën, bijë e Shpatës e nxitur edhe nga arkondët e shquar të Janinës.

Evrenozi dhe Jashi (Jaksi beu) me forcat e tyre nisen kundër Gjonit (Zenebishit). Despoti Gjin Shpata i pret në kthim në pozicionin e Driskut. Në Betejën e Driskut, arbërit me Shpatën i mundën trupat e Evrenozit dhe Jashiut dhe i ndoqën deri në Faneromen. Kjo është fitorja e parë e shqiptarëve kundër trupave osmane.

Më 6 prill 1399, Izau (Buondelmonti) niset kundër Gjon Zenebishit sebastokratorit të Gjirokastrës dhe Vagenitisë. Izau me: malakasë, mazarakë, papingas, zagoritas, drinopolas, gjirokastritas dhe me të Zagorit të Madh niset për luftë. Beteja e Mesopotamit fillon me terr dhe stuhi. Gjon Zenebishi (i ashpër[5]) i mund tërësisht, Izaun me arkondët e tij i mbyll në burgun e Gjirokastrës.

Më 1399, Izau nxirret nga burgu kundrejt 10.000 florinjsh. Izau kalon në Korfuz, në Shën Maurë dhe në Gjirbolea (në Fushën e Artës) ku e priti me gëzim vjehrri i tij, Gjini me të vëllanë Sguro.

Më 17 korrik 1399 Izau hyn në Janinë.

Më 29 tetor 1399, vdes sundimtari Gjin Bua Shpata - despot shqiptar i Artës dhe Eupaktit. (Gjin Shpata i fuqishmi, i admirueshmi, fama e arbërve [5]) në moshën 89 vjeçare.

Vëllai i tij, Sguro Bua Shpata (sundimtar në Eupaktë, Akelo e Ksiromer[5]) merr menjëherë në dorëzim sundimin në Artë (dhe Rogi). Pas pak ditësh, (fisniku Zardari) Bogoi serb-arbër-bullgar-vllah, sulmon dhe përzë nga Arta, Sguron (despotin e Shpatës [10]), kurse më të nderuarit artjotë i burgosi, i zhduku krejt banesat e tyre dhe i dëboi nga Arta[3].

Kronika mbyllet me vdekjen e Gjin Bua Shpatës.

Referimet:[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Fr. Pouqueville, Voyage en Morée, à Constantinople, en Albanie, et dans plusieurs autres parties de l’Empire Ottoman, Paris 1921, vëll. V, f. 200-268
  2. ^ L. Vranousi, To Chronikon ton Ioanninon kat anekdoton dimodi epitomin, Athina 1965
  3. ^ a b c K. Bozhori, - F. Liço. Kronika e Janinës në Burime tregimtare Bizantine për Historinë e Shqipërisë, Tiranë 1975, f. 239 – 250
  4. ^ K. Bozhori, - F. Liço. Gjendja në Perandorinë serbe pas vdekjes së Stefan Dushanit dhe Lufta e shqiptarëve me despotin Niqifori II (1355 – 1358), në Burime tregimtare Bizantine për Historinë e Shqipërisë, Tiranë 1975, f. 230 – 233
  5. ^ a b c d e f g h i K. Bozhori, - F. Liço. Kronika e Tokove në Burime tregimtare Bizantine për Historinë e Shqipërisë, Tiranë 1975, f. 252 – 256
  6. ^ a b c d P. Xhufi, Despotati Shqiptar i Artës, Principata e Zevebishëve në Historia e Popullit Shqiptar, vol 1 Tiranë 2002, f. 279 – 287
  7. ^ P. Lapie, Thesprotie ou Chamouri (Document cartographique). Geographe (1823)
  8. ^ Gj. Shuka, Beteja e Artës dhe dy prijësit kundërshtarë të Gjinit, Në: Tridhjetë Legjenda dhe këngë Ballkanike (Studim mbi origjinën historike) Botimet Naimi, Tiranë, 2015, f. 29 – 39
  9. ^ P. Aravantinos (Topografia 1858), H.Kiepert. Ethnographische Karte von Epirus (Dokument Karte) (1878)
  10. ^ V. Papadopoulou, Sgouros Despotis o Spatas (Sguro Despot i Shpatës), në: Epitymvia parastasi sto nao tis Panagias Parigoritissas stin Arta, në: Deltion tis Christianikis Archaiologikis Etaireias, Athinë, 2004, f. 141-154