Jump to content

Ku vemi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Ku vemi (gazetë))

Ku vemi është gazetë e përjavshme e drejtuar nga Salih Çeka në vitin 1924[1]. 10 numrat e parë janë botuar në Elbasan dhe më pas është transferuar në Tiranë ku u botuan dhe 10 numra të tjerë. U rendit ndër gazetat më përparimtare të kohës të cilat luftuan për demokratizimin e arsimit që ai të ishte laik e të drejtohej nga shteti. Shkrimet e saj më së shumti janë nënshkruar nga vetë drejtuesi i gazetës. Në gazetë ka dhe shkrime të nënshkruara nga P. Pogoni, Lumo Skëndo, Aleksandër Xhuvani etj.

Në programin e saj të paraqitur në numrin e parë thuhej se kjo gazetë do të ishte e pavarur dhe do të udhëhiqej nga e drejta dhe e vërteta. Kjo gazetë mbajti anën e forcave demokratike që realizuan Lëvizjet e Qershorit 1924 dhe mbështeti luftën e tyre për çrrënjosjen e mbeturinave të feudalizmit.

Gazeta ka rubrika të ndryshme, ku ajo më kryesorja trajton problemet politike të kohës. Një vëmendje të veçantë kanë problemet arsimore. Rubrika "Sqimet e plakës" me anë të ironisë dhe satirës mishëron zgjuarsinë dhe mençurinë popullore në lidhje me plagët e shoqërisë, qeverisë dhe abuzimet në kurriz të popullit.[2]

Në fondin e bibliotekës publike "Qemal Baholli" Elbasan gjenden të gjithë numrat e kësaj gazete.

  1. ^ Kontributi i atdhetarëve elbasanas në shtypin e kohës. Elbasan: Biblioteka Publike "Qemal Baholli" Elbasan. 2012. fq. 42. ISBN 978-9928-115-15-7.
  2. ^ Bevapi, Kujtim (2003). Elbasani - Enciklopedi. Elbasan: Sejko. fq. 325. ISBN 99927-962-1-9.