Jump to content

Kulla e Kadri Vebi Zeqirit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kulla e Kadri Vebi Zeqirit
LlojiArkitekturore
VendndodhjaHaxhaj, Gjilan, Kosovë
NdërtuarShek. XIX
Emri zyrtar: Monument /Ansambël
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës346

Kulla e Kadri Vebi Zeqirit është një monument i trashëgimisë kulturore në Haxhaj, Gjilan, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër.

Në fshatin Haxhaj, 17 km në jug të Gjilanit, gjendet kulla dykatëshe e Kadri Vebi Zeqirit. Ky ndërtim u realizua në dekadën e tetë të shek. XIX, përkatësisht në vitin 1880. Kulla ka dy etazhe, ku çdo ambient ka pasur funksion të caktuar të banimit. Ka planimetri drejtkëndëshe. Në përdhese gjendet oda e mysafirëve dhe dhomat tjera përcjellëse për banim dhe ruajtje të ushqimit dhe mbajtje të kafshëve.

Në katin e parë është një ndarje e madhe - divanhanja e cila ka shërbyer për ndeja gjatë ditës, por nuk ka dalje jashtë nga muri i jashtëm. Kjo mund të quhet edhe çardak. Ndërtimi është realizuar nga gurët gjysmë të latuar dhe të latuar, me teknikë fshatare të ndërtimit. Muret janë suvatuara me llaç balte. Kulla mbulohet me kulm katër ujor, të mbuluar me qeramidhe tradicionale nga argjila. Në pamjen ballore të kulmit dalin edhe dy baxho që shërbejnë për ndriçim të kulmit. Fasadat janë lineare, ku dinamikën e vetme e krijojnë hapjet e dritareve të vendosura në mënyrë ritmike. Karakteristikë e kësaj kulle janë dritaret, të cilat nga ana e jashtme kanë formë harkore në pjesën e sipërme, të punuar me kornizë nga guri, kurse nga ana e brendshme kanë formë drejtkëndëshe. Në enterier janë ruajtur elemente origjinale, sikurse oxhakët dhe shtyllat e drurit me kapitel.

Kulla ruan nivelin e lartë të autenticitetit, por është në gjendje shumë të dëmtuar dhe ka nevojë për intervenim restaurues. Paraqet një shembull karakteristik të arkitekturës së banimit fshatar në fund të shek. XIX. Në vitin 2014, MKRS në bashkëpunim me CHwB kanë realizuar projektin e renovimit të objektit në fjalë. Janë renovuar disa pjesë të mureve, kulmi e intervenime tjera të paprapara nga investitori.

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]