Lakër turshi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Më parë përgatitet shëllira. Për 10 litra ujë 2 1/2 filxhanë çaji me kripë. Zihet dhe lihet të qëndrojë 12 orë. Zgjidhen lakra të ngjeshura të bardha, u hiqen gjethet jeshile, koçani i tepërt, lihen të tëra ose ndahen përgjysmë. Në fuçi druri, balte ose qelqi shtrohen gjethe lakre, vendosen kokat e lakrës të ngjeshura njëra pranë tjetrës, hidhen gjethe selinoje e kopër, dhe sipër gjethe lakre. Vihet një kapak prej dërrase me nj peshë të rëndë (gur të pastër) pastaj hidhet shëllirë dhe uthull ose më mirë pak acid acetik. Mbulohet sipër me napë të pastër, lidhet gryka e enës dhe lihet 8-10 ditë. Herë pas here i hiqet cipa që krijohet në sipërfaqe dhe pas 10-12 ditësh i kullohet lëngu një ditë po, një ditë jo dhe i hidhet përsëri sipër. Shëllira sipër lakrës duhet të jetë rreth 10 cm. Lakra është gati pas 20 ditësh dhe ruhet në vende të freskëta. Sipas dëshirës, gjatë përgatitjes së saj mund t'i shtohen karota ose panxharë. Në disa krahina të vendit tonë lakrës turshi i hedhin edhe speca.

Për 10 kg lakër duhen :

  • kripë 2 1/2 filxhanë çaji,
  • ujë 10 l,
  • selino 4-5 gjethe,
  • kopër,
  • uthull 4 gota ose acid acetik 1/2 gote.