Liturgjia bizantine
Në kishën ortodokse ekziston një larmi e madhe e praktikës adhuruese. Liturgjitë e universit të krishterë klasifikohen në tipa liturgjikë, ku çdo tip liturgjik ka një ose edhe më shumë liturgji, por edhe sistem të tërë adhurimi, të përbërë nga: - shërbesat e mistereve dhe të ceremonive të tjera të shenjta - shërbesat që kryhen brenda ciklit ditor (natë-ditës) - shërbesa që kryhen sipas kalendarit kremtues etj. Bëhet fjalë për një pasuri shumë të madhe adhuruese.
Liturgjia Hyjnore është akti i mbledhjes së pjesëtarëve të komunitetit të krishterë ortodoks dhe veprimi i përbashkët i tyre, për adhurim, për t’u lutur, për të kënduar dhe për të dëgjuar Fjalën e Perëndisë, për të blatuar dhuratat me falënderime në Krishtin e për të pasur përvojën e gjallë të mbretërisë së përjetshme të Perëndisë, nëpërmjet Kungimit me Krishtin. Liturgjia Hyjnore [nga greqishtja: Θεία Λειτουργία - Thía Liturgjía] quhet edhe Meshë Hyjnore [Divinae Missa]. Liturgjia gjithmonë është rishfaqje e Krishtit të Ngjallur tek besimtarët, zbritje e Shpirtit jetëbërës si dhe Eukaristi (Falënderim). Eukaristia është ngrënia e shenjtë e Trupit dhe Gjakut të Krishtit, Darka Mistike e Zotit, si dhe i gjithë akti i mbledhjes adhuruese, si falënderim ndaj Perëndisë në Krishtin e në Shpirtin e Shenjtë për gjithçka që Ai ka bërë për krijimin dhe shpëtimin e botës. Pra, pjesëmarrja dhe bashkëpërjetimi mistik i njerëzve me Perëndinë dhe midis tyre është kuptimi i Banketit të Zotit. Aq i madh është ky mister saqë ne nuk mund ta shprehim dot, por vetëm falënderojmë Zotin. Liturgjia Hyjnore është misteri qendror dhe më kryesor i Kishës, është vetë jeta, shtimi dhe përsosja e saj në Krishtin. Të gjitha shërbesat dhe misteret e shenjta të parapërgatitin për pjesëmarrjen në të dhe përsosen me anë të saj.
Si pikënisje ka Darkën Mistike të Zotit (Mateu 26:17-29; Marku 14:12-25 etj.) , gjatë së cilës vetë Jisu Krishti, e kreu duke ofruar Trupin e Tij në ngrënie dhe Gjakun e Tij në pirje për shpëtimin dhe shenjtërimin e njerëzve, “për ndjesë të mëkateve dhe për jetën e amshuar”.
Këtë mister morën apostujt edhe ua dhanë pasuesve të tyre dhe kështu Kisha e vazhdon e do ta vazhdojë “deri sa të vijë Zoti” (Lluka 22:19. 1 Korinthianëve 11:24-25,26). Zoti gjatë Darkës Mistike drejtoi lutjen e quajtur kryepriftërore (Joani 17:1-26), u mësoi nxënësve (Joani 13:31-16:33) dhe “himnuan” bashkë (Mateu 26:30), d.m.th. psalën psalmet e parashikuara nga tipikoja e Pashkës judaike. Në bazë të këtij modeli të Darkës Mistike (lutje – psalje – mësimdhënie – kryerje të falënderimit – kungim) dhe të praktikës së mbledhjeve të sinagogës së judenjve, që trashëgoi Kisha, Izraeli i ri, u formua nga Kisha gjatë kohës apostolike dhe pasapostolike tradita e pashkruar (deri atëherë) e kryerjes së Liturgjisë Hyjnore. Apostujt bashkë me mësimdhënien e Ungjillit jepnin edhe mënyrën e kryerjes së misterit dhe të mbledhjes që lidhet me të. Kjo traditë u ribrumos në çdo vend, sipas Ekonomisë hyjnore, me elementët vendorë dhe me kontributin shpirtëror në Krishtin të çdo populli sipas mundësive dhe kushteve të secilit. Kështu, kur në shek. IV u shkrua kjo traditë, dolën tekste të ndryshme liturgjish, që ose mbajnë emrin e shkruesve (Etër të Kishës), ose, për arsye të lashtësisë së tyre, iu dha emri i apostujve themelues të kishave, prej të cilëve fillonte tradita liturgjike e çdo kishe vendore. Këto tekste evoluuan përmes shekujve dhe pranuan shtesa ose heqje gjatë periudhave të ndryshme e gjer më sot. Por në esencë mbetën besnikë në traditën fillestare dhe në bërthamën që u kristalizua gjatë shek. IV dhe V.
Liturgjia Hyjnore kryhet gjithmonë të Dielën - Ditën e Zotit, që është dita e Ngjalljes së Krishtit dhe dita e parë e krijimit. Gjithashtu ajo kryhet edhe në ditët e festave (kremteve) të veçanta, por edhe çdo ditë. Për të kryer Liturgjinë të gjithë anëtarët e Kishës mblidhen së bashku me episkopin ose me priftin e tyre, në një vend dhe në një kohë të caktuar. Liturgjia nuk është lutje personale me rregulla sipas dëshirës, por është adhurim i përbashkët i Kishës, i drejtuar nga vetë Kisha, dhe si rrjedhojë shpresëtaria jonë ndërthuret me rregullin liturgjik të adhurimit. Në të kemi dialog të klerit me popullin dhe në momente të caktuara kemi qëndrim të përcaktuar lutësor, si “Urtësi; drejt”, “Kryet tanë le t’ia ulim Zotit” etj.
Liturgjitë Hyjnore kryesore që kryhen nga Kisha Ortodokse janë: Liturgjia e Shën Joan Gojartit[1], që është më e përdorura, Liturgjia e Shën Vasilit të Madh[2], që kryhet vetëm dhjetë herë në vit, Liturgjia e Dhuratave të Parashenjtëruara[3], që kryhet gjatë ditëve të Kreshmës së Madhe, përveç të Shtunës e të Dielës.
Liturgjitë fillojnë me thirrjen e priftit: “E bekuar është Mbretëria e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve”. Mbretëria e Perëndisë, që erdhi në botë nëpërmjet Jisu Krishtit, Birit të Perëndisë. Kjo është jeta e përjetshme, që Krishti u dha njerëzve me Mishërimin, Kryqëzimin dhe Ngjalljen e Tij, jeta e bashkuar me Trininë e Shenjtë. Jeta e përjetshme është edhe qëllimi i ftesës së pagëzimit të të krishterëve. Dhe populli, duke u përgjigjur me “Amin” (Ashtu qoftë!), pohon solemnisht se kjo mbretëri është gjëja më e dashur dhe më e shtrenjtë për të.
Pjesa e parë është “Mbledhja”, që e ka origjinën në mbledhjet e sinagogave të Dhiatës së Vjetër, dhe është e përqendruar në shpalljen dhe meditimin e Fjalës së Perëndisë. Në Dhiatën e Re, Jisu Krishti është Fjala e Gjallë e Perëndisë. Ndaj janë pikërisht ungjijtë e krishterë dhe shkrimet apostolike që shpallen e meditohen. Pra, kjo është pjesa didaktike e mbledhjes, që përmban të psalura, lexime dhe lutje. Kjo karakterizohet edhe si “Liturgjia e Fjalës”.
Pjesa e dytë është Flijimi Eukaristik, që e ka origjinën në Dhiatën e Vjetër: në adhurimin në Tempullin e Solomonit, në flijimet priftërore të popullit të Izraelit dhe në ngjarjen shpëtimtare të Pashkës. Dhe në Dhiatën e Re: në ngjarjen shpëtimtare të Jisu Krishtit, të vetmit Kryeprift të madh, i Cili është gjithashtu edhe Qengji i Perëndisë, i therur për shpëtimin e botës, Pashka e Re. Në Liturgjinë Hyjnore besimtarët e krishterë marrin pjesë në blatimin e vullnetshëm të Krishtit. Kjo pjesë përmban kryerjen e misterit të Falënderimit Hyjnor (Eukaristisë) dhe karakterizohet si “Liturgjia e Misterit”.
I - LITURGJIA E FJALËS (MBLEDHJA)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Paqësoret “Me paqe le t’i lutemi Zotit...”. Janë një grup kërkesash lutëse që përfshijnë gjithçka që bëhet për çdo njeri dhe për çdo gjë, për shpëtimin e shpirtrave dhe trupave tanë, për ata që janë të pranishëm dhe jo, për Kishën, institucionet shtetërore dhe popullin, për begatinë, prodhimet ushqimore, për udhëtarët, të sëmurët, vuajtësit, robërit etj. Emërtohen paqësore për arsye të fillimit të kërkesave të para “Me paqe...”.
Antifonet. Janë vargje psalmesh me refrenet “Me ndërmjetimet e Hyjlindëses...”, “Shpëtona, o i Biri Perëndisë...”, përlëshorja (himni) e Ngjalljes ose e shenjtit të ditës. Në manastire antifonet mund të jenë dy psalme dhe Lumërimet. Antifonet janë parapërgatitje për adhurimin në vazhdim. Liturgjia Hyjnore ka tri antifone.
Hyrja e Vogël. Është procesioni solemn i klerit celebrues drejt Tryezës së Shenjtë, i udhëhequr nga Ungjilli. Kryhet gjatë këndimit të përlëshores së ditës, ku kleri del nga dera e veriut, përshkon shkurt kishën, psal në mes “Ejani t’i falemi...” dhe pastaj hyn nga dera qendrore e ikonostasit. Hyrja është lëvizja e tërë Kishës, nëpërmjet Jisu Krishtit, Kreut të Saj, e përfaqësuar nga kleri celebrues. Kjo lëvizje mundësohet nga Ungjilli i Krishtit, i cili është Rruga për në Mbretërinë e Perëndisë. Hyrja në këtë Mbretëri realizohet vetëm duke ndjekur Jisu Krishtin, Fjalën e Gjallë të Perëndisë së mishëruar (Joani 1:1-18), duke përmbushur porositë e shpallura në Ungjillin e Tij. Pas Hyrjes në Hierore këndohet Himni Trishenjtor i engjëjve “Shenjt Perëndi! Shenjt i Fuqishëm! Shenjt i Pavdekshëm! Mëshirona!”(Isaia 6:1-5[4]). Ky himn i hershëm i është kushtuar Trinisë së Shenjtë.
Leximet (Apostulli dhe Ungjilli). Janë fragmente biblike nga Dhiata e Re, të përcaktuara nga Kisha për çdo ditë[5] dhe thuhen me pak melodi. Vetë Perëndia po i mëson njerëzit, me anë të Krishtit dhe Shpirtit të Shenjtë. Ai është me ta në Kishë, duke e zbuluar kështu Vetveten dhe Vullnetin e Tij hyjnor dhe duke shpallur Lajmin e Mirë për shpëtimin e njerëzimit.
Lutja e Gjerë “Le të themi të gjithë...”. Është një grup kërkesash lutëse specifike, ku Kisha lutet për klerin dhe popullin, për mëshirë, jetë, paqe etj., për nevojat e popullit që banon në atë vend, për të fjeturit, si edhe për “ata që sjellin pemë (fryte) dhe bëjnë punë të mira në këtë kishë të shenjtë...”. Pas mbarimit të Lutjes së Gjerë bëhet një lutje për katikumenët (të papagëzuarit që marrin mësime katekizmi), ku i kërkohet Perëndisë që t’u mësojë Ungjillin e së Vërtetës, t’i bashkojë me Kishën e Shenjtë dhe që “në kohën e duhur t’i bëjë të denjë për banjën e rilindjes, për ndjesën e mëkateve dhe për rrobën e mosprishjes”. Pastaj, ata përlëshohen prej Liturgjisë Hyjnore, meqenëse nuk janë të pagëzuar dhe nuk mund të kungohen me dhuratat eukaristike. Më pas thuhen dy lutje për besimtarët e pagëzuar, tashmë anëtarë të Kishës, që Perëndia t’i bëjë të denjë të blatojnë dhe të kungohen me dhuratat eukaristike.
II - LITURGJIA E MISTERIT (EUKARISTIA)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Hyrja e Madhe. Është procesioni solemn i klerit celebrues që ofron dhuratat e bukës dhe verës, në disk dhe kupë (potir), nga Tryeza e Blatës (Proskomidhisë) rrotull kishës dhe nëpërmjet derës qendrore të ikonostasit në Tryezën e Shenjtë (Altar). Pak përpara këtij procesioni populli këndon Himnin Keruvik, ndërkohë prifti thotë një uratë dhe temjanis Tryezën e Shenjtë, ikonat dhe popullin. Ky himn lavdërimi nxit besimtarët që të largojnë çdo kujdes për jetën gjatë orës së Liturgjisë, ku më pas buka dhe vera do të shenjtërohen. Ofrimi i dhuratave ose blatimi, është lëvizja e të gjithë Kishës, e cila ofron vetveten tek Perëndia Atë, nëpërmjet Jisu Krishtit, Kreut të Saj, Kryepriftit, Mbretit, Qengjit të Perëndisë që ngre mëkatin e botës, flijimi i vetëm i mjaftueshëm, i përsosur e i plotë. Besimtarët japin vetveten së bashku me Krishtin, duke blatuar gjithçka që ata janë dhe gjithçka që ata kanë. Kjo realizohet nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë dhe fillon me Pagëzimin dhe Mirosjen, ku vdesim dhe ngjallemi me Krishtin dhe vazhdon me ofrimin e vazhdueshëm të vetvetes. Nëse ndonjë anëtar i Kishës nuk është në flijim të vazhdueshëm në Krishtin dhe nuk “mbart kryqin e tij” blatimi për të kthehet në një simbol shterpë dhe nuk është më një lëvizje drejt Perëndisë, por drejt gjyqit dhe dënimit.
Dashuri dhe Besë. Janë dy kushtet themelore që duhet të plotësohen nga besimtarët, pa të cilat nuk mund të ketë vetëblatim dhe pjesëmarrje në Perëndinë. “Le të duam njëri-tjetrin, që të rrëfejmë me një mendje...” thirren vazhdimisht ata në dashurinë e Krishtit. Pa këtë dashuri Liturgjia nuk mund të vazhdojë. Më pas, thuhet Simboli i Besimit[6] “Besoj në një Perëndi...” nga anëtarët e Kishës, të cilët vazhdojnë ta pohojnë këtë besim brenda jetës së tyre më Krishtin, që nga pagëzimi i tyre. Pa këtë besim Liturgjia nuk mund të vazhdojë më tej. Simboli i Besimit duhet të thuhet pa përjashtim nga të gjithë, sepse është pohimi personal dhe i përbashkët i besimit të komunitetit.
Anafora. Fillon me thënien “Le të qëndrojmë mirë, le të qëndrojmë me frikë... që të blatojmë me paqe theroren e shenjtë” dhe vazhdon me “Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht...”, “Le t’i ngremë lart zemrat”, “Le ta falënderojmë Zotin”. Besimtarët ftohen që bashkë me lartësimin e dhuratave eukaristike të lartësojnë edhe zemrat e tyre dhe të falënderojnë Perëndinë për gjithçka që ka bërë. Më tej lutja falënderuese përqendrohet në ofrimin flijues të Zotit Jisu Krisht, që blaton Vetveten si therore për të gjithë botën “Merrni, hani, ky është trupi im, që thyhet për juve, për ndjesën e mëkateve. Pini prej këtij të gjithë, ky është gjaku im i Dhiatës së Re, që derdhet për juve dhe për shumë, për ndjesën e mëkateve”. Ai është therorja e shenjtë e gjallë, blatimi paqësor, i përkryer dhe i mjaftueshëm, i cili është i vetmi që sjell mëshirën pajtuese me Perëndinë. Nuk ka asgjë tjetër me të cilën njerëzit mund të lavdërojnë e falënderojnë denjësisht Krijuesin. Më pas kleriku celebrues me “Të tuat nga të tuat, Ty të blatojmë nga të gjitha dhe për të gjitha”, shpall se ato që ne blatojmë tek Perëndia Atë janë të Tijat dhe lartëson drejt qiellit dhuratat eukaristike (diskun me bukën dhe kupën [potirin] me verën). Në momentin eukaristik të Liturgjisë qielli e dheu janë një, darka mistike, kryqi, varri, ngjallja, ngjitja në qiej, mbretëria e ardhshme, të gjitha bashkohen në lavdinë e Perëndisë. Muret e ndarjes janë shembur krejt, mëkatet e njeriut janë falur, natyra e tij është restauruar. Në këtë kohë populli gjunjëzohet, përveç të dielave dhe 40 ditëve të Pashkës.
Thirrja e Shpirtit të Shenjtë (Epiklisis). Mbas ngritjes lart të dhuratave eukaristike në kujtim të Krishtit, nga Tryeza e Shenjtë drejt Perëndisë Atë, prifti i bekon ato në formë kryqi dhe lutet që Shpirti i Shenjtë të zbresë mbi to dhe të ndryshojë bukën në trup dhe verën në gjak të Krishtit. Lutja “Të blatojmë këtë therore shpirtërore e të pagjakshme…” dhe thirrja “Dhe bëje këtë Bukë, Trup të çmuar të Krishtit tënd. Dhe atë që është në këtë Potir, bëje Gjak të çmuar të Krishtit tënd. Duke i ndryshuar me anën e Shpirtit tënd të Shenjtë...” quhet Epiklisis. Në Liturgjinë Hyjnore thirrja e Shpirtit të Shenjtë, i cili ndodhet “kudo dhe i mbush të gjitha” dëshmon solemnisht se e gjithë vepra e Perëndisë: krijimi i botës, mishërimi i Birit të Perëndisë nga Virgjëresha Mari, shpëtimi i njeriut me anë të Kryqëzimit dhe Ngjalljes së Tij, janë kryer me fuqinë dhe praninë e Shpirtit të Shenjtë. Ai garanton banimin e Perëndisë tek njerëzit në Kungimin e Shenjtë të Kishës, si edhe në jetën e Mbretërisë së ardhshme.
Përkujtimet. Pas shenjtërimit të dhuratave prifti përkujton Hyjlindësen Mari, Shën Joan Pagëzorin, apostujt, shenjtin e ditës, të gjithë shenjtorët, besnikët e fjetur (të vdekur), tërë Kishën dhe tërë botën, ndërsa kori këndon “Madhështimin e Hyjlindëses”, himn kushtuar së Tërëshenjtës Mari. Më pas prifti lartëson naforën dhe kujton episkopin (kryepiskopin) e Kishës vendore, dhe populli i përfundon përkujtimet me fjalët: “Dhe të gjithë e të gjitha”. Vazhdohet me lutje për qytetin, vendin, udhëtuesit, të sëmurët, vuajtësit, robërit, bamirësit e Kishës, për ata “që kujtojnë të varfrit”, për të gjithë popullin dhe në këtë çast mund të kujtohen me emër personat që kanë nevojë.
Lutja Zotërore. Prifti kërkon që Zoti të na bëjë të denjë së bashku me popullin të thërresim Atë, Perëndinë qiellor e të themi “Ati ynë që je në qiejt...”. Në Dhiatën e Vjetër, Populli i Perëndisë nuk guxonte t’i drejtohej Perëndisë në lutje me emrin intim Atë. Vetëm për shkak të Krishtit dhe nëpërmjet Tij njeriu mund ta ketë këtë guxim. Vetëm të krishterët, që kanë vdekur e janë ngjallur me Krishtin në Pagëzim dhe kanë marrë fuqinë të bëhen e të quhen bij të Perëndisë më Krishtin me anë të Shpirtit të Shenjtë në Mirosje, guxojnë t’i luten Perëndisë si Atit të tyre.
Kungimi. Lutjet vazhdojnë për denjësimin e pjesëmarrjes në Kungatën e Shenjtë. Prifti ngre lart Trupin e Krishtit, me thirrjen “Të shenjtat, të shenjtëve” dhe e ndan atë në 4 pjesë e i fut në kupë. Gjithashtu, hidhet edhe një kupë e vogël me ujë të nxehtë që simbolizon karakterin e gjallë të Krishtit dhe nxehtësinë e besimit të mbushur me Shpirtin e Shenjtë. Në fillim kungohen klerikët dhe më pas populli. Thirrja: “Me frikë Perëndie, besë e dashuri afrohuni”, i fton të gjithë pjesëmarrësit e pagëzuar, anëtarë të Kishës Ortodokse, të të gjitha moshave, në gëzimin kulmor të Banketit të Zotit, në kungimin me Krishtin, i Cili është vetë “buka e jetës”, “buka e gjallë që zbriti prej qiellit”. Ortodoksët besojnë se kungata është vetë Krishti, Trupi dhe Gjaku i vërtetë i Tij. Gjatë kungimit këndohen vargje psalmesh, që quhen kungatore “Lavdëroni Zotin...” etj. E gjithë Liturgjia është një përgatitje e përbashkët, e mjaftueshme, e të gjithë bashkësisë për kungim. Përgatitja për kungim është edhe një përgatitje dhe përjetim personal “Besoj dhe pohoj se Ti je me të vërtetë Krishti...”. I gjithë veprimi adhurues i Liturgjisë presupozon kungimin e besimtarëve, i cili nuk bëhet vetëm në disa ditë të veçanta të vitit, por në çdo kohë kur kryhet Liturgjia Hyjnore. Këtu duhet të theksojmë përgatitjen shpirtërore dhe trupore, pendimin, rrëfimin me atin shpirtëror, pastërtinë dhe kreshmimin.
Falënderimi pas Kungimit. Prifti bekon popullin me “O Perëndi, shpëto popullin tënd...” dhe populli përgjigjet me falënderim ndaj Zotit me “Pamë dritën e vërtetë, morëm frymën qiellore...”, me mirënjohje për bekimin e pjesëmarrjes në “misteret e pavdekshme dhe qiellore”, si edhe lutet që t’i ruajë tërë ditën “të përsosur, të shenjtë, me paqe dhe të pamëkatshëm...”. Më pas prifti thotë uratën përpara ikonës së Krishtit, bekon popullin me “Bekimi dhe mëshira e Zotit...” dhe ndan pjesët e bukës, nga u mor dhurata e ofruar për shenjtërim, në fillim të Liturgjisë. Këto pjesë buke quhen naforë ose andidhoro, që do të thotë “në vend të dhuratës”. Fillimisht nafora u jepej atyre që nuk kungoheshin, sot u jepet të gjithëve.
Përlëshimi. Është veprimi përfundimtar i mbledhjes liturgjike, ku popullit i bëhet thirrje të largohet në paqe. Kështu ai bëhet një dëshmitar në botë për Mbretërinë e Perëndisë, për ato që dëgjoi, pa dhe përjetoi brenda Kishës.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Κωνσταντίνος Αθανασόπουλος, Ορθόδοξη Λειτουργική, Αλεξανδρούπολις, 1975.
- Ιωάννης Φουντούλης, Λειτουργική Α' - Εισαγωγή στη Θεία Λατρεία, Εκδ. Πουρναρά, Θεσσαλονίκη, 1995, ISBN 960-7431-03-0.
- Orthodoxalbania.org
- Besimi Orthodhoks, Kosherja Ortodokse, Selanik, 1997.
- Anastas Janullatos, Mesazhe Hyjnore, bot. Ngjallja, Tiranë, 2009.
- Liturgjia Hyjnore e Shën Joan Gojartit në 5 gjuhë (shqip, greqisht, anglisht, frengjisht, italisht), botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2015, ISBN 978-9928-4251-4-0
- Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse, Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 1994.
- ^ "Liturgjia Hyjnore e Shën Joan Gojartit".
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Liturgjia e Shën Vasilit të Madh".
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Liturgjia e Dhuratave të Parashenjtëruara".
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Libri i profetit Isaia - Dhiata e Vjetër".
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ "Kalendari 2019 i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2018".
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Hopko, Protopresviter Thomas (2010). Besimi Orthodhoks, Vëllimi I Doktrina. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 51–55. ISBN 83-906958-2-0.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)