Luan Haradinaj
Luan Haradinaj (17 Nëntor 1973 – 6 Maj 1997) i lindur në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit. Ishte njëri nga luftëtarët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Ra dëshmorë më 6 Maj të vitit 1997 gjatë luftimeve me forcat serbe në vendin e quajtur Qafa e Prushit, në kufirin e asaj kohe të Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Pas përfundimit të luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.
Luan Haradinaj | |
---|---|
Lindur më | 17 Nëntor 1973 Gllogjan, Komuna e Deçanit, Kosovë |
Vdekur më | 6 Maj 1997 Qafa e Prushit, kufiri Kosovë–Shqipëri |
Në aleancë me | |
Vite shërbimi | 1993 – 1997 |
Grada | Komandant |
Në komandë | Zona Operative e Dukagjinit, Kosovë |
Betejat/luftrat | Lufta e Kosovës (1997–1999) |
Çmimet | Urdhëri Hero i Kosovës (pas vdekjes) |
Jeta e hershme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Familja Haradinaj e Gllogjanit është ndër familjet më të njohura të historisë sonë kombëtare, sidomos prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në epopenë e lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rezistenca e Haradinajve kundër pushtuesve të ndryshëm të trojeve të Shqipërisë është e mirënjohur. Në fillim të viteve ’81, të frymëzuar nga mësuesi, patrioti e kushëriri i Luanit, Ismail Haradinaj, kontributi i vëllezërve Haradinaj në luftën tonë çlirimtare kundër barbarisë serbe, shënon njërën ndër faqet më të ndritura të historisë sonë më të re, jo vetëm në Dukagjin.
Luan Haradinaj ka qenë djali i tretë me radhë nga shtatë bijtë e tri vajzat e babë Hilmiut dhe nënës Rukie. Ai lindi në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit më 17 nëntor të vitit 1973. Luani mësimet fillestare i mori në Rrezarë, ish-Isniq. Ishte nxënës i qellshëm, i zgjuar dhe tejet i vëmendshëm. Natyra e kishte pajisur me tipare fizike shumtë të harmonishme. Ishte kurdoherë buzagaz, i çiltër e i dashur.
Në vitin shkollor 1988-1989, regjistrohet në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit, të cilin pas katër vjetësh e kryen me sukses të shkëlqyeshëm.
Në vitin shkollor 1992-1993, Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Kulturës Fizike, në Universitetin e Tiranës. Asokohe i kishte filluar studimet në Shqipëri, por interesimi i tij parësor ishte angazhimi për t’i dhënë impulse të reja lëvizjes së rezistencës në Kosovë.
Luani ka qenë në kontakt me grupet ilegale guerile, të cilat qysh nga viti 1991 kishin shkuar në Shqipëri me qëllim të stërvitjeve dhe aftësimit ushtarak.
Ai i takon brezit të parë të rinisë dukagjinase, që mori përsipër furnizimin me armë të ideatorëve të luftës çlirimtare, të shokëve të tij më të ngushtë me të cilët sa e sa herë ilegalisht e kishte kaluar kufirin, duke sjellë armë për grupet e para të çlirimtarëve, jo vetëm në Gllogjan e në Dukagjin.
Karriera Ushtarake
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Luani me vëllanë e tij Shkëlzenin dhe me bashkëmendimtarë të tjerë ishin ndër pjesëtarët e bërthamave të para të rezistencës së armatosur në Dukagjin qysh nga nëntori i vitit 1993.
Prej asaj kohe, Luan Haradinaj me vëllezër, veçmas me Ramushin, Shkëlzenin, Dautin dhe me shokët e idealit, si: Lahi Brahimaj, Agim Zeneli, Adrian Krasniqi, me tërë forcën e tij djaloshare iu kishte rrekur punës në organizimin e grupeve të armatosura. Duke qenë se kishte treguar zell të veçantë, por edhe shkathtësi të jashtëzakonshme organizative, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, qysh në vitin 1994, i cakton detyrën e shefit të logjistikës.
Luan Haradinaj me vëllezër e shokë të idealit, përveç punës në furnizimin me armatim të luftëtarëve të ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka marrë pjesë edhe në organizimin dhe kryerjen e një mori aksionesh luftarake kundër policisë serbe, sidomos nëpër pika strategjike dhe mbi stacione policore, si në Baballoq, në Isniq, në Deçan, në Junik, Hylaj e në vendqëndrime të tjera të forcave armike.
Luani shquhej në mesin e shokëve për çiltëri, afëri, solidarësi e mbi të gjitha për kujdesin që tregonte për ta, me rastin e kalimit ilegal të kufirit. Pasi që hapërimi i tij çlirimtar nuk ishte ndalur vite të tëra, ai kishte mësuar përmendësh shtigjet nga ku duhej kaluar, andej ishte kurdoherë në çetat e para të çlirimtarëve.
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Luani ishte njoftuar me një rreth të gjerë të bashkëluftëtarëve, nga të gjitha trojet e robëruara të Shqipërisë, veçmas të Kosovës. Luani ka mbajtur kontakte edhe me komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, pastaj me Hashim Thaçin nga Buroja e Drenicës, me Sahit dhe Musë Jasharin nga Prekazi, me Rexhep Selimin dhe Sylejman Selimin nga Açareva, me Abedin Rexhën, me Fehmi Lladrovcin e Ramiz Lladrovcin e me shumë trima të tjerë të Drenicës. Ka mbajtur kontakte me Zahir Pjazitin e Ilir Konushevcin nga Llapi, me Mujë Krasniqin e Ali Krasniqin nga Çabiqi dhe me luftëtarë të tjerë të Dukagjinit si: Adrian Krasniqi, Edmond Hoxha, Sadri Zneli, Lahi Brahimaj e të tjerë. Kontributi i vëllezërve Haradinaj në zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është gjithsesi një kapitull shumë i rëndësishëm i luftës sonë për liri, ndërsa vrulli, temperamenti, zgjuarsia e vendosmëria e Luan Haradinajt, kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesë të të gjithë bashkëluftëtarëve të tij dhe të të gjithë atyre që e kanë njohur.
Në përballje me forcat okupatore në pranverë të vitit 1997, grupe të shumta çlirimtarësh venin e vinin nga Kosova në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Kosovë, edhe pse forcat okupatore serbe kishin bërë përforcime në të gjitha vendkalimet, shtegtarët dhe shpëtimtarët e parë të lirisë kishin depërtuar shtigjeve, të cilat nuk i kontrollonin dot ushtria e policia okupatore.
Kufiri më i ruajtur dhe më i përforcuar në botë, kufiri që asokohe i ndante në mes për mes trojet e Shqipërisë Etnike, megjithatë kishte filluar të bëhej i kalueshëm për çlirimtarët, në çdo stinë të vitit, në çdo kohë të ditës apo natës.
Vdekja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 6 maj të vitit 1997, Luan Haradinaj së bashku me të vëllanë, Ramushin, dhe me Fehmi Lladrovcin dhe Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, Ramiz Lladrovcin, Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gani Ramën e të tjerë, ishin nisur në rrugë për të kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit. Atë ditë, forcat okupatore kishin zënë pusi, ndërsa Luani, i cili u printe bashkëluftëtarëve, bie i pari në pritë të forcave ushtarake e policore jugosllave. Me këtë rast plagoset rëndë Rafet Rama, ndërsa lehtë plagoset Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.
Në ato momente kishte filluar përleshja e armatosur. Forcat okupatore kishin goditur me armë të rënda të artilerisë, me qëllim të t’i asgjësonin të gjithë luftëtarët shqiptarë. Pas përpjekjeve të shumta dhe kundërsulmit të furishëm të çlirimtarëve, Ramush Haradinaj arrin t’i afrohet trupit të vëllait. Pasi e sheh të shtrirë dhe me plagë në kokë e fytyrë, konstaton se Luani kishte rënë. Nën breshërinë e pandalshme të granatave dhe të plumbave të armikut, Ramush Haradinaj arrin ta tërheq trupin e pajetë të vëllait.
Pas katër orë rrugëtimi, me rastin e tërheqjes, Ramushi me bashkëluftëtarë e bartin mbi supe trupin e Luan Haradinajt dhe shkojnë ne fshatin Vlahne. Atje, me dhembje të thellë në shpirt, me nderime varroset trupi i dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj. Vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, vazhdojnë rrugën çlirimtare deri më 21 qershor 1999, kur nga Kosova dëbohen përgjithmonë gjakësorët serbë.
Trashëgimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 24 gusht të vitit 1999, trupin e dëshmorit Luan Haradinaj, vëllezërit dhe bashkëluftëtarët e nxjerrin nga vendvarrimi në Vlahne dhe e rivarrosin në fshatin e tij të lindjes, në Qëndresën (ish-Gllogjan) heroike, që gjatë luftës çlirimtare kishte shkruar sa e sa faqe heroizmi e lavdie.
Në nderim dhe përkujtim të veprës së tij shkëlqimtare, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarin dhe strategun Luan Haradinaj, pas rënies, e ka graduar në Gjeneralmajor. Emri i dëshmorit të merituar të kombit, Luan Haradinaj, është përjetësuar në monumente lavdie, në pllaka e shtatore, që për jetë do të përhapin rreze lirie e atdhedashurie.