Jump to content

Luljeta Pula Beqiri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Luljeta Pula-Beqiri (31.10.1952, Kosovë) është profesoreshë në Fakultetin e Gjeoshkencave dhe Teknologjisë në Mitrovicë, ku punon që nga viti 1976.

Luljeta Pula është atdhetare e shquar dhe kontribuoi në etapa të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Veprimtarinë e saj kombëtare e filloi qysh në moshën 16 vjeçare, kur edhe iu bashkua demonstratës së vitit 1968, për ta vazhduar aktivitetin deri në ditët sotme.

Luljeta Pula - Beqiri u lind më 31 tetor të vitit 1952 në Prishtinë, Kosovë. Ajo lindi në një familje intelektualësh, si nga ana e nënës (Edibe Binishi Pula – veterane e arsimit), ashtu edhe nga babai (Xhevdet Pula - profesor universiteti). Ata e rritën vajzën e tyre në frymë atdhedashurie, pasi që të dy ishin luftëtarë të lirisë edhe me pushkë, por edhe me pendë. Edhe gjyshja e Luljetës, Gjylshah Pula, ishte luftëtare kundër nazifashizmit dhe të gjitha këto e kalitën atë në një atdhetare të shquar. Tani ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë.

Arsimimi dhe edukimi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Luljeta shkollën fillore, gjimnazin dhe Fakultetin e Teknologjisë - Xehetarisë i kreu në Prishtinë. Studimet e nivelit master i përfundoi në Universitetin e Zagrebit në vitin 1979, teksa gradën doktor shkence në inxhinieri kimike e mori në vitin 2006 në Universitetin e Prishtinës.

Aktualisht është profesoreshë në Fakultetin e Gjeoshkencave dhe Teknologjisë në Mitrovicë, ku punon që nga viti 1976. Luljeta mori pjesë në shumë tubime e konferenca vendore e ndërkombëtare.

Prej viteve 80’-ta e deri në vitin 2000, Luljeta ishte e angazhuar si politikane, ku mbajti poste të larta dhe të respektuara nëpër disa organe partish.

Fillet e angazhimit të Luljetës në planin kombëtar janë shumë të hershme. Qysh në fëmijëri ajo e kishte ndjerë padrejtësinë që po i bëhej popullit shqiptar në Kosovë dhe që në moshën 16 vjeçare, si nxënëse e vitit të dytë në gjimnaz, ishte dënuar me masën përjashtim nga shkolla për organizimin dhe nxitjen e propagandës kombëtare në mesin e bashkëmoshatarëve të saj. Duke qenë se ishte nxënëse e shkëlqyer, kjo masë u zbut dhe u shndërrua në parapërjashtim.

Ajo mori pjesë edhe në demonstratat e vitit 1981, duke u bërë kështu ndër të rrallët mësimdhënës universitarë, që e përkrahte publikisht këtë nismë. Tutje, ajo mori pjesë edhe nëpër të gjitha tubimet kombëtare dhe demonstratat popullore, që nga viti 1981-1989, e deri më 1999, me përfundimin e luftës në Kosovë.

I tërë ky angazhim, rezultoi në arrestimin e saj 8 herë në stacione të ndryshme policore, në Prishtinë, Mitrovicë e Istog. Arrestimi i parë i saj ishte më 2 korrik 1990, për shkak të ndikimit në shpalljen e Deklaratës Kushtetuese.

Angazhimi politik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Luljeta Pula ishte themeluese e Shoqatës së Gruas më 1990 dhe kryetare e Shoqatës së Gruas, e emëruar nga Këshilli iniciues përgjatë viteve 1990-1991. Ajo nuk u pajtua që Shoqata e Gruas të jetë nën ombrellën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pas një viti dha dorëheqje në shenjë pakënaqësie.

Në periudhën e viteve 1991-1993 u zgjodh nënkryetare e Forumit të Gruas, si dhe në periudhën e viteve 1998-2000 ishte nënkryetare e Forumit Demokratik të Kosovës.

Luljeta ishte kryetarja e parë e Partisë Social-Demokrate të Kosovës, post të cilin e mbajti gjatë viteve 1992-2000. PSDK ishte partia e dytë, pas LDK-së, që u themelua në sistemin e ri pluralist të Kosovës.

Ajo ka shkruar shumë artikuj gazetareskë dhe kumtesa për opinion për 10 vjet, në cilësinë e kryetares së PSDK-së. Ka marrë pjesë në debate televizive – publike në Serbi dhe në Perëndim dhe ka dërguar shumë dokumente sekrete në qendrat e vendosjes ndërkombëtare. Ka hartuar edhe programe kombëtare në organizatat ku ka punuar.[1][2][3][4]

  1. ^ Ilazi, Hanëmshahe. Gra të njohura të trojeve shqiptare. Prishtinë, Kosovë: KOHA. fq. 230–231. ISBN 978-9951-685-25-2. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ https://books.google.com/books?id=tnfrSJbA5e4C&pg=PA59&lpg=PA59&dq=luljeta+pula&source=bl&ots=cPdYjHEUxl&sig=MqqmlnMkLoXnOVkY9fyw9XJd8aQ&hl=en&sa=X&ved=0ahUKEwit4vD--NnZAhVFOxQKHbDBDoQQ6AEIiwEwFg#v=onepage&q=luljeta%20pula&f=false
  3. ^ https://www.youtube.com/watch?v=L9o6cBgCwQ4
  4. ^ http://umib.net/wp-content/uploads/2015/12/Raporti-i-komisionit-recensues-per-Luljeta-Pula-Beqiri-2.pdf