Lynette Hoppe
Lynette Hoppe, emri i vajzërisë Holms, lindi më 8 maj 1960 në Hammond, Indiana, SHBA. Kur ajo ishte 3 vjeçe, familja e saj u shpërngul në Uganda në Afrikën Lindore, pasi prindërit e saj ishin gjithashtu misionarë. Në vitin 1973 rikthehet në SHBA ku fillon studimet në Institutin Moody Bible për tre vjet me radhë dhe më pas vazhdoi studimet në Kolegjin Northwestern në Minneapolis, ku u diplomua në Artet e Bukura. Më pas ndoqi studimet pasuniversitare në Weaton dhe u diplomua për master në mision. Në Weaton ajo u njoh me Nathan Hoppe, me të cilin u martua dhe së bashku patën 2 fëmijë, Tristanin (lindur në vitin 1997) dhe Katherinën ( lindur në vitin 2000 në Shqipëri). Mbas përfundimit të shkollës ajo së bashku me bashkëshortin e saj vendoset në Kenia.
Bashkë me familjen e saj, Lynette Hoppe u vendos në Shqipëri në mars 1998, duke u vunë në shërbim të njerëzve në nevojë. Që nga ajo kohë, Lynette u bë koordinatore e shumë projekteve, për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve të varfër, jetimëve apo invalidëve. Ajo drejtoi kampe fëmijësh, misione bamirëse për njerëzit e varfër, hapi kurse për mësimin e arteve të bukura, si dhe kreu mjaft vepra bamirësie në shërbim të njerëzve në mjaft rrethe të vendit tonë. Edhe pse e sëmurë, ajo u kthye nga SHBA-ja përsëri në vendin tonë, ku dhe vazhdoi për gati 2 vjet terapinë për të përballuar sëmundjen.
“Dua të prehem në Shqipëri, në varrezat e fshatit Shën-Vlash të Durrësit”, - kishte thënë misionarja amerikane vetëm pak ditë përpara ndarjes me këtë jetë. Punëtori i varrezave të këtij fshati kujton se një javë më parë, ashtu e sëmurë dhe e dobët, ajo erdhi vetë në varrezë dhe zgjodhi vendin për t’u prehur përjetësisht. Varri i gruas amerikane ndodhet në një zonë piktoreske, poshtë disa pemëve. Përpara ka të gjithë hapësirën ku shtrihet fusha e Durrësit, një hapësirë që ngjan e nevojshme për shpirtin e saj të madh. Dëshira e fundit e 46-vjeçares Hoppe, u bë e mundur mes dhimbjeve për humbjen e një njeriu të madh, dje. Ceremonia e varrimit, e kryer me datë 29 gusht 2006, u drejtua nga kreu i Kishës ortodokse në vendin tonë, hirësia e tij Janullatosi, si dhe nga mitropoliti i Korçës imzot Joan Pelushi dhe nga disa priftërinj të lartë, të cilët kishin ardhur nga SHBA enkas për këtë qëllim. Varrezat e fshatit të Durrësit ndodhen pranë manastirit ortodoks, fe të cilën amerikania e besonte dhe i ishte përkushtuar.