Biblioteka "Marin Barleti"
Biblioteka "Marin Barleti" është biblioteka publike e qytetit të Shkodrës.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mjedisi i parë ku biblioteka u vendos më 1931, kur edhe u themelua, qe "Milet Bahçja" - një lulishte publike e çelur nga administrata vendore osmane më 1875 - e cila pas pavarësisë u njoh edhe si lulishtja popullore.[1][2]
Fondi fillestar u financua nga vetë bashkia e qytetit. Pas 1945 me mbylljen e disa institucioneve fetare dhe bibliotekave përkatëse, një pjesë e fondit të tyre u bë pjesë e fondit të bibliotekës publike. Pati gjithashtu një zhvendosje të institucionit në ndërtesën sot të njohur si Sahati i Inglizit vitet e para të regjimit komunist, deri kur më 1968 u zhvendos në ndërtesën ku gjendet edhe sot.[1]
Biblioteka “Marin Barleti” ka një fond të pasur ku përfshihen, jo vetëm libra në gjuhën shqipe, por edhe të huaja, që prej gjuhës kaldeike, turke, gjermane, armene, siriane, rumune, ruse, italiane, frënge e gjermane. Biblioteka numëron rreth 210 mijë volume në 70 mijë tituj, ndër të cilat janë rreth 2 mijë antikuarë.
Fondet më me vlerë janë ato të Albanologjisë dhe Ballkanologjisë, që përmbajnë një pasuri të madhe, libra shumë të vjetër që datojnë prej shek. XV-XVI, të shtypura në shtypshkronjat më të përmendura në Evropë, si në Paris, Romë, Napoli, Ëurtenberg, Firence, Venedik. Biblioteka e Shkodrës ka ekzemplarë, që nuk gjenden as në Bibliotekën Kombëtare. Ndër librat më me vlerë është vepra e Jul Varibobës “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” 1762, vepra të shek. XVII të Budit, vepra të Barletit, si “Mbi jetën dhe veprat kreshnike të Gjergj Kastrioti Skënderbeut", “Rrethimi i Shkodrës”, disa këngë për Skënderbeun të botuara në vitin 1592 në Amsterdam, poema, pjesë dramatike mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun në latinisht, kroatisht, greqisht, vepra e Farlatit -Coletit “Illyricum Santum, “Acta et Diplomata res Albaniae”, e shumë të tjerë në gjuhë të ndryshme.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- 1 2 "Historiku i Bibliotekes". bibliotekashkoder.com. Arkivuar nga origjinali më 10 nëntor 2024. Marrë më 20 tetor 2025.
- ↑ Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Kolë Idromeno. fq. 102.