Jump to content

Masakra e Ladorishtit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Masakra e Ladorishtit është realizuar nga armata naziste më 28 tetor të vitit në fshatin Ladorishtë të rrethit të Strugës, Maqedoni. Në këtë datë në rrethin e Strugës zhvilloheshin luftime të shumta nga Koalicioni Antifashist në njërën anë, si dhe nga forcat okupatore gjermane nga ana tjetër. Gjatë një jave luftime të ashpra që u zhvilluan përgjatë rrugës automobilistike Strugë-Qafë thanë dhe nën trysninë e pritave dhe sulmeve të njëpasnjëshme nga ana e partizanëve, nazistët gjermanë në ditët e fundit të tërheqjes së madhe si dhe në shenjë hakmarrje do ta ndëshkojnë fshatin Ladorishtë si përgjegjës dhe bashkëfajtorë në krah të frontit antifashist. Në mëngjesin e hershëm te 28 tetor1944, forca të shumta gjermane të armatosura deri në dhëmbë e rrethojnë Ladorishtin, pa lënë asnjë mundësi për t’u larguar askush nga fshati. Kështu, shtëpive iu vu zjarri, ndërsa fshatarët e tubuar i dërgojnë në fund të fshatit në vendin e quajtur Vakçare, pranë rrugës Strugë-Qafëthanë. Ata që përpiqeshin të çanin bllokadën qëlloheshin dhe liheshin në vend. Në këtë masakër nuk u kursyen as pleqtë e fëmijët. Nga afro 100 të masakruar,7 ishin gra dhe 4 femijë, kurse të tjerët të rinj burra e pleq. Ekzekutimi u bë po aty, në Vakçare duke i radhitur në kolona dhe pastaj i qëlluan me breshëri mitralozi. Për të qenë më të sigurt se të pushkatuarit kanë vdekur, ata do t'i qëllojnë edhe nganjëherë në kokë viktimat e tyre të shtrira në rrëketë e gjakut. Në saj të aftësisë së tyre dhe momentit të përshtatshëm duke u shtirur si të vrarë kanë mundur t’i shpëtojnë pushkatimit vetëm disa persona si psh; Jusuf Coma, Skënder Mahmudi, Kurtish Lena etj. Këto fakte, janë dëshmitë më të vlefshme nga të mbijetuarit e asaj tragjedie. Me këtë kasaphanë hordhitë gjermane do të kryenin një nga masakrat më makabre të kësaj pjese shqiptare të Maqedonisë Perëndimore. Një nga dëshmitaret e asaj masakre të këtij fshati ishte edhe Fetie Coma, tanimë e ndjerë. Në një nga kujtimet e saj për këtë masakër ajo tregonte:"'Në atë kohë unë isha 9 vjeçe dhe qëndroja fshehur brenda në shtëpi frikohesha të dalë, kurse pjesëtarët e tjerë të familjes duke mos ditur askush për njëri tjetrin, në momente paniku dhe tmerruar nga krismat e armëve kishin tentuar të largoheshin nga fshati. Tri herë u përpoq zjarrëvënësi të na djeg shtëpinë, por tri herë unë vajta dhe e shova zjarrin. Kështu shpëtova shtëpinë nga djegia e cila do të bëhej strehë atë dimër për shumë nga fqinjët tanë të cilët mbetën pa kulm mbi krye. Po atë ditë të mallkuar dushmanët gjermanët ma vranë babën dhe gjyshen ndërsa nënën e plagosën. Ishin momente të vështira që nuk do t’i harrojë kurrë"[1]. Nuk i mungoi as asaj dite qëndresa dhe rezistenca e armatosur kundër armikut si traditë. Maksut Lleshi, një nga burrat e Ladorishtit, i vetëm me pushkë në dorë depërton nëpër fshatin e pushtuar nga soldateska gjermane, arrin deri te burimet e fshatit, ku detyrohet të pranojë luftë të pabarabartë me nazistët gjerman. Ra i plagosur për vdekje te burimet e fshatit po atë ditë. Kështu, gjermanët do ta mbajnë të rrethuar Ladorishtin duke e terrorizuar dhe masakruar fshatarët gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje, kur edhe do të tërhiqen për në Strugë duke lënë fshatin e djegur dhe të masakruar. Ata që shpëtuan të tmerruar me atë që panë e që përjetuan do të largohen në mbrëmje dhe do të strehohen për disa kohë nëpër fshatrat e Librazhdit dhe Pogradecit. Kurse një pjesë tjetër do të futen nëpër shtëpitë gjysmë të djegura e të shkatërruara, duke pritur se ç'do të ndodhë në orët që do të vinin .

  1. ^ "Masakra E Ladorishtit". Arkivuar nga origjinali më 12 shkurt 2013. Marrë më 13 gusht 2010. {{cite web}}: |archivedate= dhe |archive-date= është specifikuar më shumë se një herë (Ndihmë!); |archiveurl= dhe |archive-url= është specifikuar më shumë se një herë (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)