Meze të përzier me sallatë ruse
Appearance
Me patate të ziera, karota, kastraveca turshi, fasule dhe salcë majoneze përgatitet sallata ruse e cila vendoset në mes të pjatës, mbulohet me majonezë dhe zbukurohet me perime si gogozhare, kastraveca turshi, panxhar të kuq të zier dhe degëza majdanozi. Rreth e qark sallatës së zbukuruar vendosen proshutë, vezë të ziera, djathë dhe sallam të prerë bukur. Këto produkte vendosen simetrikisht, duke kombinuar ngjyrën. Kështu, p.sh., afër djathit nuk vendoset veza sepse janë të dyja të bardha. Përveç këtyre produkteve mund të vendosen edhe sardele, ullinj, gjalpë i prerë në copa katrore dhe produkte të tjera sipas stinës dhe mundësisë.
Për një pjatancë të llogaritur afërsisht për 8-10 veta nevojiten :
- sallatë ruse e gatshme rreth 1 kg, majonezë 1 filxhan çaji, vezë 3 kokrra, kaçkavall 150 g, sardele 1 kuti, gogozhare 3-4 copë, sallam 250 g, ullinj 1 filxhan çaji, majdanoz 5-6 degë.