Jump to content

Mustafë Xhemaili

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mustafë Xhemaili u lind më 19 shtator 1954 në Shkup. Shkollën fillore e kreu në Komogllavë, ndërsa gjimnazin në Ferizaj. Mbaroi Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Për shkak të veprimtarisë politike për çlirimin e Kosovës nga Serbia, i ndjekur nga policia, në fillim të vitit 1984, u detyrua ta lëshojë Kosovën dhe të strehohej në Zvicër, ku edhe sot jeton bashkë me gruan e tre fëmijët. Nga viti 1976 e deri në fillim të vitit 1983 punoi gazetar në Televizionin e Prishtinës, ndërsa gjatë vitit 1983 gazetar në të përditshmen «Rilindja» të Prishtinës. Vazhdimisht është marrë me gazetari dhe publicistikë. Ka qënë publicist e kolumnist në shumë revista dhe gazeta që dilnin e dalin në Kosovë.

VEPRIMTARI PUBLIKE LETRARE POLITIKE DHE ATDHETARE

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Gjatë viteve 1984-1991,ka punuar si redaktor e kryeredaktor i revistës së mirënjohur „Zëri i Kosovës», në Zvicër, ndërsa gjatë viteve 2000-2001, kryeredaktor i revistës «Ekskluzive» në Cyrih-Prishtinë-Tiranë.
  • Në vitin 1982 Shtëpia Botuese «Rilindja» në Prishtinë ia boton librin e parë me poezi «Netëve të verës».
  • Në vitin 1993 Shtëpia Botuese «Naim Frashëri» në Tiranë - librin me poezi «Fusha e plagosur».
  • Në vitin 2001 Shtëpia Botuese “Dukagjini” e Pejës ia boton librin me poezi “Sëmundjet e botës”.
  • Në vitin 2003, shtëpia botuese « Rozafa », në Prishtinë ia botoi librin poetik «Dorëshkrimi nga dheu». M. Xhemaili ka shkruar edhe poezi për fëmijë.
  • Librin e tij “Banon ëndrra në syrin tim”, e botoi « Zgjimi » në Ferizaj, në vitin 2001.
  • Në fillim të vitit 2004, iu botua libri poetik «Arkitektura e stinëve», në gjuhën gjermane, në bashkautorësi, brenda librit voluminoz «Kuarteti poetik», i përkthyer nga Ferdinand Laholli.
  • Përveç në disa antologji në gjuhën shqipe, poezitë e M. Xhemailit janë të përkthyera dhe të përfaqësuara në disa antologji dhe revista në gjuhët gjermane, italiane, rumune etj.