Mustafa Ibrahimi
Mustafa Ibrahimi është specialist i fushave të gjuhësisë, sidomos atyre interdisiplinare si Sociolinguistika dhe Etnolinguistika, profesor universitar nga Maqedonia e Veriut.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Studimet deridiplomike, masterin dhe doktoratën i kreu në Universitetin "Shën Qirili dhe Metodi" në Shkup. Punoi në shkollën fillore “Ismail Qemali” në vendlindje (1990-1998), në Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup (1999-2001) dhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë (2001-2017). Prej vitit 2017 punon në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, si ligjërues dhe përgjegjës i Qendrës për Botime Akademike dhe Sistemit Bibliotekar.[2]
Gjatë njëzet viteve të fundit, profesor Ibrahimi ka bërë kërkime shkencore, ka botuar dhe ka dhënë mësim në disa fusha gjuhësore, si: Dialektologji, Leksikologji, Kultura e gjuhës shqipe, por edhe në Retorikë, Multikulturalizëm, Folklor etj. Ka ligjëruar në disa universitete dhe institute të ndryshme, si në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Universitetin Shën Qirili dhe Metodi, Institutin e Etnologjisë në Shkup, Akademinë Ushtarake në Shkup etj. Për qëllime hulumtimi, së bashku me studentët dhe pedagogët ka vizituar disa herë fshatrat arbëreshe dhe Universitetin e Kalabrisë në Kozencë, duke botuar dy libra nga këto vizita. Është themelues dhe kryeredaktor i revistës periodike Zëri i Pelagonisë me 54 numra të botuara. Deri më tani ka botuar dhe ribotuar mbi 30 vepra shkencore, midis tyre edhe disa libra universitarë, si: Sociolinguistika, Praktikumi i gjuhës shqipe me kulturë shkrimi, Të mësojmë shqip etj. Ka marrë pjesë në mbi 150 konferenca, seminare dhe takime të ndryshme shkencore, të organizuar në vend dhe jashtë vendit.
Në Institutin Alb-Shkenca është aktivizuar nga viti 2009, duke marrë pjesë në të gjitha Takimet. Në Degën e Maqedonisë së Veriut ka kryer me sukses detyrën e koordinatorit për katër takime të mbajtura në Tetovë (2009) dhe Shkup (2012, 2015, 2018). Është redaktor i revistës shkencore ANAS – Studia humanitatis që botohet në Shkup me 19 numra të botuara deri më tani.[3]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 76, ISBN 9789951518208
- ^ "Mustafa Ibrahimi | South East European University - Academia.edu". seeu.academia.edu (në anglisht). Marrë më 2024-11-06.
- ^ https://www.seeu.edu.mk/en/~m.ibrahimi