Jump to content

Mustafe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mustafe është një fshat në ish-komunën Arras pjesë përbërëse e krahinës së Çidhnës në rrethin e Dibrës.

Pozita gjeografike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Drini i Zi pranë fshatit Mustafe

Fshati Mustafe në përbërjen e tij ka pasur fshatin Lazrej, ndërsa Guri i Zi është një emërtim në vitin 1990 kur fshatrat u ndanë. Para vitit 1900 lagjja Guri i Zi quhej Mustafe, ndërsa ajo që sot quhet Mustafe ishte një lagje e tij. Kjo dëshmohet me "varrezat e Mustafe" që gjenden në lagjen Guri i Zi si dhe "Kroi i Mustafe" që gjendet po aty. Lidhur me emërtimin se Guri i Zi i sotëm është Mustafe bazohemi dhe në Defterët Osmanë të viteve 1467 dhe 1583 ku thuhet se banorët Pepe Gonçe, Bardh Borozija, Lale Borozija, Llazar Borozija etj. jepnin tokat e tyre në përdorim banorëve të Dardhës dhe të Çidhnës së Epër (sot Grykë-Noka). Dhe të gjitha këto toka ndodhen vetëm në fshatin Guri i Zi. Toponimet e sotëme “Buzëzes” dhe “Buzëtehe” që vijnë nga “Borozija a Buzëzija” ndodhen mbi varrezat e Mustafe po në teritorin e fshatit Guri i Zi. [1].

Edhe banorët kur zbrisnin poshtë thonin “po shkojmë në Zallë” dhe jo në Mustafe. Ndërsa banorët e "Zallit" thonin po vijnë "Orëmalasit" për ata që vinin nga Mustafe (Guri i Zi) për në Zallë. Emërtimi "Orëmalas" tregon për vendbanim shumë të hershëm të fshatit Mustafe. Të dy fshatrat thirreshin herë "Mustafe e Lazrej" e herë-herë "Lazrej e Mustafe". Fshati Mustafe shtrihet në anën perendimore të lumit Drini i Zi. Kufizohet nga veriu me Zall-Dardhën, nga perëndimi me fshatin Grykë-Nokë dhe krahinën e Lurës dhe nga jugu me fshatin Kodër-Leshe. Shtrirja më e detajuar e fshatit Mustafe duke përfshirë tokat e lagjeve, pyjet, livadhet dhe kullotat fillon nga Drini i Zi si kufizim nga lindja. Nga Veriu një vijë ndarëse fillon aty ku Drini takohet me urën e Drinit afër lagjes “Topuze” dhe ngjitet lart duke lënë në të majtë “Mërxhalën”dhe shkon poshtë “Fushë Letes” dhe sipër shtëpive të fisit “Kaca” në Nezhej, ndanë pjesën e sipërme të “Sukës” dhe lenë në të majtë “Kecrrën” e masivin e pyjeve të ahut, pastaj shkon në mesin e fushës së “Pratit”, duke u ngjitur përpendikular le në të djathtë “Tajanin” dhe merr rrugën që shkon për “Lanë Lurë” duke futur brenda “Gropat e Elbit” dhe “Hurdhën e Presë”, por pasi del në “Lanë Lurë” ndjek fundin e faqes së malit deri në të hyrë të luginës “Xharxhisht” duke e futur luginën pjesë të teritorit të vet. Nga jugu fillon po në Dri në “Brrakën e Marçene” dhe shkon për në perendim duke ndjek përroin që le në të djathtë tokat dhe pyjet e “Dukës” deri poshtë varrezave të “Kodër Leshes”, merr rrugën për në “Lak të Kroit t’Vit” dhe shkon drejtë për në “Kthesë të Ruse” duke u ngjitur në "Prat" dhe prej aty në “Livadh t'Arrase” ku majtas lenë “Faqesën e Çidhnës”, kalon majën e bjeshkëve dhe zbret në “Xharxhisht” që ndahet midis Çidhnës dhe Mustafe.

Fshati Mustafe (Mustafe+Lazrej+Guri i Zi) është pjesë përbërëse e Krahinës së Çidhnës. Mustafet kufizohen nga perëndimi me Çidhnën e Epër (sot Grykë-Noka). Krahina e Çidhnës në periudhën e Antikitetit kishte një qytet me emrin Oena më vonë e thirrur Kidhna. [2].

Në vitin 1916 nga administrata e Perandorisë së Austro-Hugarisë është kryer rregjistrimi i popullsisë të fshatit Mustafe. Te rregjistri i popullsisë të qarkut Dibër, fshati Mustafe gjendet me emërtimin “Mustafaj…..Lazrej, Mustafaj” me këto të dhëna: Shtëpi banimi – 72, ekonomi shtëpiake – 80, banorë - 433, meshkuj – 225, femra – 208, shqipëtar - 427, vllehë - 6. Ndërsa sipas ndarjes administrative të vitit 1927 gjejmë vetëm emërtimin fshati Mustafaj pjesë e krahinës Arras, pra mungon emërtimi Lazrej që nënkupton se është përfshirë aty. Fshati Mustafe në këtë dokument të viti 1927 rezulton me 373 banorë. [3]

Pra në përbërje të fshatit Mustafe hyn dhe Lazrej. Përbëhet nga shumë fise të cilët kanë lëvizur gjatë rrjedhës së viteve. Viti 2000 e ka gjetur me këto fise të cilët po i rendisim nga lartë-poshtë: Guri i Zi (Toca, Gjoni, Daci); Mustafe (Doçi, Gjoni, Daci, Përnezha, Xhika, Shehu, Karoshi); Lazrej (Kukeli, Buci, Loshi, Rusi, Coli, Alia, Murati, Martini, Sava, Lata, Kurti, Duka).

Në materialin e ish-komunës Arras të vitit 2007 për planin strategjik të zhvillimit për vitet 2008-2015 numri i banorëve dhe i familjeve është:[4]

  • Gur i Zi 82 familje me 293 banorë
  • Mustafe 114 familje me 312 banorë
  • Lazrej 120 familje me 617 banorë.

Lëvizjet e popullsisë kanë qenë të vazhdueshme në fshatin Mustafe. Këtë e tregojnë fiset të cilët nuk janë më por i identifikojmë me toponimet e lagjeve dhe të trojeve. Toponime si, Lama e "Skure", Ara e "Varejskure", Përroj i "Rajtës", Kodra e "Lekës", Ara e "Lale", etj. tregojnë për fise që kanë qenë por nuk janë në ditët e sotme. Rreth viteve 1950-1960 në fshatin Mustafe ka vdekur banori i fundit i fisit Leka.

Me 28 Tetor 2023 nga lagjja "Toca" në fshatin Guri i Zi (Mustafe) është larguar familja e fundit (një çift burrë e grua). Në vitin 1980 lagjja "Toca" kishte 11 shtëpi ku jetonin 15 familje. Fundi i vitit 2023 e gjeti fshatin Guri i Zi (Mustafe) vetëm me fiset "Gjoni" dhe "Daci".

Ndërsa me 6 Nëntor 2023 nga lagjja "Doçi" në fshatin Mustafe është larguar familja e fundit . Në vitin 1980 lagjja "Doçi" kishte 6 shtëpi ku jetonin 8 familje. Edhe këtë lagje fundi i vitit 2023 e gjeti pa banorë.

Për pozicionin gjeografik me pamje nga lindja e diellit e bën fshatin Mustafe në gjithë territorin e vet me orë diellore më shumë se në çdo zonë tjetër të krahinës së Çidhnës. Ekzistenca e ujërave natyrore dhe gjelbërimi natyral ka bërë që historikisht kjo zonë ta bazojë ekonominë e saj në produktet bujqësore dhe blegtorale. Larmia e mikroklimave dhe pozicionimit të tokave në mikrorrafshnalta dhe në shtrirje afërsisht 380 - 1800 metër mbi nivelin e detit ka lejuar dhe lejon kultivimin e gati të gjitha llojeve të produkteve bujqësore. Fshati Mustafe është i njohur për pemët frutore që nuk kanë të krahasuar për cilësinë e tyre. Përveç pemëve të egra që janë me shumicë si: thana, mollë të egra, dardha të egra, vodhësa, murrizë, qershi të egra, arra të egra, mana, mana të zi etj. Mustafet përmenden për qershi e për mollë që si aty nuk gjen kund në sasi e në cilësi. Por për mollë njihet në Shqipëri me kultivarin e veçantë “Molla Mustafe” i cili ruhet në bankën gjenetike si kultivar autokton i fshatit Mustafe. Populli ju thotë “Molla Duke” se aty ku është fisi Duka ka mollë shekullore të këtij kultivari. Ka gjithashtu pyje dhe kullota të vetat mjaftueshëm për mbajtjen e blegtorisë të të gjitha llojeve.

Po në materialin e ish-komunës Arras të vitit 2007 për planin strategjik të zhvillimit për vitet 2008-2015 gjejmë se sipërfaqja e tokës e pyjeve dhe kullotave është:[5]

  • Gur i Zi - 30 ha tokë bujqësore dhe 246 ha pyje dhe kullota
  • Mustafe - 80 ha tokë bujqësore dhe 155 ha pyje dhe kullota
  • Lazrej - 70 ha tokë bujqësore dhe 311 ha pyje dhe kullota.

Shkollat në Mustafe

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në Mustafe, shkolla e parë u çel në nëntor 1946 me 36 nxënës, mësues ishte Osman Çima. Shkolla thuhet u hap në shtëpinë e Qazim Doçit. Kjo shkruhet në librin “Krahina e Çidhnës” por në një bisedë me mësuesin e parë të shkollës Osman Çima mësimi për herë të parë është zhvilluar në një ndërtesë që ndodhej në kodrën e Qazim Dacit. Ajo ndërtesë ka shërbyer deri në vitet’90 për zyra administrate dhe infermieri. Në vitin 1949, çeli dyert ndërtesa e re e shkollës në qendër të fshatit me dy dhoma për mësim dhe një dhomë për mësuesit.Shkolla është ndërtuar me kontributin e banorëve të fshatit. Ajo kishte dy klasa të mëdha, njëra nga klasat ishte me dysheme dërrase. U ndërtua nga mjeshtrit e fshatit, me punëkrahu të banorëve dhe me materiale guri, druri, gëlqere etj. të dhuruara prej tyre. Po në këtë ndërtesë në vitin 1969 ka filluar arsimi 8-vjeçar me mësues Hysen Xhika.[6] Disa orë mësimi janë zhvilluar dhe në dhomën e mësuesve. Në vitin 1970 u ndërtua shkollë e re me disa dhoma mësimi ngjitur me ndërtesën e parë.

Për t'ju përgjigjur rritjes së popullsisë e cila kishte shtuar numrin e fëmijëve u ndërtua në fund të viteve '80 një shkollë e re 8-vjeçare në Zugjej të fshatit Lazrej, ndërkohë po në këtë dhjetëvjeçar u hap një shkollë fillore me klasa të përbashkëta për fshatin Guri i Zi.



  1. ^ Gjoni,Zyber. Përnezha, Haki (2011) “DIBRA në Defterët Osmanë (1467,1583)” faqe 90.
  2. ^ Shehu, Hajri (Tetor 2013). ""Çidhna që na jep nder të gjithëve". Shënime për librin e doktor ISLAM CANIT "ÇIDHNA DJE, SOT, NESËR", Tiranë, 2012 Nga: Prof.dr. Hajri Shehu.Faqe 16, nr.16(90)" (PDF). Rruga e Arbërit. {{cite journal}}: Shiko vlerat e datave në: |date= (Ndihmë!)
  3. ^ Cite book/TemplateData |title=Historia e Dibrës |last=Frashëri |first=Kristo |publisher=Botimet M&B |year=2012 |ISBN=9789995604820 |location=Tiranë.
  4. ^ "KOMUNA ARRAS, QARKU DIBËR Strategjia afatmesme e zhvillimit" (PDF). qarkudiber.gov. 2015. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 qershor 2021. Marrë më 15 shkurt 2024.
  5. ^ "KOMUNA ARRAS, QARKU DIBËR Strategjia afatmesme e zhvillimit" (PDF). qarkudiber.gov. 2015. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 qershor 2021. Marrë më 15 shkurt 2024.
  6. ^ Përnezha, Haki (2013). Krahina e Çidhnës. fq. 213.