Ndërtesa ish hoteli "Jadran-Adriatiku" (Mitrovicë)
Hoteli "Jadran" | |
---|---|
Emri amëtar : Hoteli "Adriatiku" | |
Lloji | Arkitekturale |
Vendndodhja | Mitrovicë, Kosovë |
Koordinatat | 42°53′20.8″N 20°52′10.3″E / 42.889111°N 20.869528°E |
Emri zyrtar: Monument | |
Lloji | Nën mbrojtje të përkohshme |
Përcaktuar | 2079/2011 30.09.2011 |
Nr. i referencës | 457 |
Ndëtesa e ish hotelit "Jadran-Adriatiku" (Mitrovicë)[1] është një monument i trashëgimisë kulturore të Kosovës i cili ndodhet në qytetin e Mitrovicës.[2]
Historiku dhe përshkrimi
Ndërtesa e ish hotelit “Jadran-Adriatiku”, ndodhet në qendër të qytetit, në Sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Kjo ndërtesë është e ndërtuar në vitin 1928. Objekti është investim i familjes pasanike Zharkoviq nga Mitrovica. Në fillim objekti ka funksionuar si hotel, pastaj si objekt administrativ i N.T. LUX, kurse më pas si bibliotekë e qytetit. Sot objekti është privatizuar dhe përdhesa e objektit kryen funksion afarist.
Arkitektura
Objekti ka karakter publik urban dhe është me etazhitet B+P+1. Ndërtesën e karakterizon stili secesionist, me planimetri në formë të shkronjës “L”. Dominon vëllimi qendror i fasadës së ndërtesës, e realizuar në vendtakimin e dy krahëve të ndërtesës, në formë harkore, dhe me realizim të kulmit në formë shatorri rrethor. Dominimi i hyrjes në kënd të ndërtesës, të potencuar me dy shtylla si dhe me ballkonin harkor në kat, të vetmin në tërë ndërtesën, krahas vendosjes dhe dominimit të objektit në kryqëzimin e rrugëve në qendër të qytetit, ofron përshtypjen e realizimit të suksesshëm të veprës arkitektonike. Ndërtesa ishte realizuar për të kryer funksione shërbyese hotelerie, si kërkesë dhe nevojë e kohës. Sipas etazheve, bodrumi ishte i destinuar për hapësirat ekonomike, përdhesa shërbente për ofrim të shërbimeve hotelerie, ndërsa kati kishte destinim për fjetje. Materialet e ndërtimit janë tradicionale, gur, tulla të argjilës së pjekur, prodhim vendor i fabrikës së pronarit dhe konstruksionet nga druri. Dominon mbulesa e kulmit me tjegulla të falcuara të argjilës së pjekur, ndërsa kulmi i vëllimit harkor dhe disa elemente tjera janë të mbuluar me pllaka të petëzuara të bakrit. Objekti gjatë kohës ka pësuar transformime kryesisht në fasadën e përdheses – ndryshimi i numrit dhe formës së hapjeve. Objekti sot është gjendje relativisht të mirë. Deri në ditët e sotme, objekti kryesisht ka ruajtur gjendjen fillestare të ndërtimit dhe kjo veçanërisht shihet mirë në fasadat ballore të objektit.[3] Objekti i ish hotelit "Adriatiku" në Mitrovicë ka një një ngjashmëri shumë të madhe me objektin e ish hotelit "Union" i cili ndodhet në qendër të Prishtinës dhe i cili është ndërtuar një vit më herët, pra në vitin 1927.
Galeria
Referime
- ^ Mitrovica e kundërshton privatizimin e Hotel “Jadran” 10.07.2016.
- ^ Hotel Jadran Mitrovica 10.07.2016.
- ^ Hotel "Jadran" (Mitrovicë), Databaza e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës 10.07.2016.
Wikimedia Commons has media related to Hotel Jadranin. |