Nikollë Kimza
Nikollë Kimza (Gjakovë, 20 gusht 1878 - Romë, 1960) ka qenë prift katolik, publicist dhe i përndjekur shqiptar nga regjimi komunist në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Gjakovë më 20 gusht 1878 në një familje me prejardhje nga fshati Kimzë i bajrakut të Spaçit, në Mirditë. Në moshën 14 vjeçare filloi mësimet në kolegjin Papnor të Shkodrës (1892).
Meshën e parë e çoi më 21 gusht 1905, në Kallmet të Lezhës. Për 27 vjet shërbeu si meshtar në kishat e Bulgrit dhe të Velës. Pastaj, për rreth 15 vjet si famullitar në Kalivare, në Abaci të Mirditës.[1]
U arrestua më 20 gusht 1945, dënimin e vuajti në Burgun e Shkodrës, por edhe e çuan që ta kryente në kampet e punës të Bedenit dhe Maliqit. U lirua nga burgu më 2 gusht 1951, u kthye në famullinë e tij në Kalivare. Dy vjet pas lirimit në kontakt me veprimtarët antikomunistë mori arratinë, fillimisht në Jugosllavi dhe më pas në Romë. Atje u bëri të ditur kujtimet e tij, shkroi ditarin e tij, rrëfeu torturat. Ndërroi jetë më 1960 po në Romë.[1]
Publicistika
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kontributi i tij në publicistikën shqiptare u krye përmes pseudonimit i Munella nëpër të përkohshmet "Hylli i Dritës", "Leka", "Kumbona e së djellës" dhe "Lajmtari i Zêmres s'Jezu Krishtit", ku synoi trajtime kryesisht të trevave të Mirditës duke trajtuar aspekte historike, gjuhësore, etnografike dhe fetare.[2]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Hoxha, Çelo (2015). Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist I-K (PDF). Vëll. IV. Azem Qazimi (bot. 1). Tirana: instituti i studimit të krimeve dhe pasojave të komunizmit. fq. 98. ISBN 978-9928-168-01-6. Marrë më 26 korrik 2018.
- ^ Gashi, Sinan (2009). Pseudonimet e shkrimtarëve shqiptarë 1453-1982. Prishtinë. fq. 132.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)