Nikollë Lesi
Nikollë Lesi | |
|---|---|
| Deputet i Kuvendit të Shqipërisë | |
| Në detyrë 2001–2005 | |
| Të dhëna vetjake | |
| U lind më | 6 gusht 1963 (62 vjeç) Lezhë, Shqipëri |
| Nënshtetësia | Shqiptar |
| Partia politike | Partia Demokristiane |
| Profesioni | botues, politikan |
| I njohur për | Pronari dhe botuesi i Koha Jonë, gazeta e parë private në Shqipëri |
Nikollë "Nikoll" Lesi (lindur më 6 gusht 1963) është botues dhe ish-politikan shqiptar, i njohur si botuesi i gazetës së parë të pavarur post diktaturës moniste, Koha Jonë.
Jeta e hershme dhe arsimimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mbaroi shkollën fillore dhe tetëvjeçare në këtë fshat, dhe më pas gjimnazin "Hydajet Lezha" në qytetin e Lezhës. Vazhdoi Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë në Universitetin e Tiranës dhe e përfundoi atë në vitin 1987. Punoi disa muaj si mësues fizike në gjimnazin e Lezhës dhe në shkollën e mesme të Zejmenit.
Karriera
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në mars 1988 u hap gazeta lokale "Koha Jonë", ku u punësua si gazetar dhe punoi deri në janar 1991. Në atë periudhë, gazetat lokale u mbyllën në të gjithë Shqipërinë, pasi nuk do të financoheshin më nga shteti. Më 11 maj 1991, vendosi të ribotonte gazetën lokale Koha Jonë, por tashmë të pavarur dhe të financuar prej tij. Pikërisht kjo datë shënohet si dita e parë e numrit të saj si e pavarur dhe konsiderohet data e themelimit të shtypit të pavarur shqiptar. Menjëherë bashkëpunoi me një numër gazetarësh të rinj, të cilët më vonë u bënë shtylla të gazetarisë së lirë shqiptare të viteve të para të demokracisë. Vazhdoi punën për të bërë një gazetë kombëtare të pavarur, duke bërë që gazeta “Koha Jonë” të ishte asokohe gazeta e pavarur kombëtare që kaloi edhe gazetën e Partisë Demokratike, "Rilindja Demokratike".
Gjatë viteve 1995–1996, si filiale të gazetës "Koha Jonë" u botuan edhe gazetat "Sport Ekspres" dhe revista "AKS". Në maj–qershor të vitit 1997, Lesi nxori në transmetim radion e parë private në Shqipëri me emrin Radio KOHA, dhe në vitin 1998 televizionin TV KOHA.
Karriera politike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në qershor të vitit 1997, Lesi u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 dhe më pas të vitit 2005 u zgjodh përsëri deputet, duke vijuar edhe mandatin e tij të tretë parlamentar. Në vitin 2002 u zgjodh kryetar i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në qershor 2006, kur dha dorëheqjen. Në vitet 2002–2003 vendosi të shesë krejtësisht paketën e aksioneve në mediat Radio dhe TV KOHA si dhe në gazetën "Sport Ekspres". Në mars të vitit 2007 shiti edhe gazetën "Koha Jonë".
Në tetor 2009 u emërua zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në gusht 2013. Në shtator dha dorëheqjen nga politika aktive dhe u rikthye në media. Në tetor 2013 rimori përsëri gazetën "KOHA JONË", ku është botues i saj, si dikur në maj 1991 kur e themeloi gazetën e parë të pavarur në Shqipëri.
Jeta personale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nikollë Lesi është i martuar dhe ka dy djem.