Jump to content

Novruz Dervishaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Novruz Dervishaj ka lindur më 15 mars 1936, në fshatin Ramicë të rrethit të Vlorës. Pas përfundimit të arsimit 7-vjeçar, në vitin 1949, pranohet në shkollën ushtarake “Skënderbej”, të cilën e përfundon në vitin 1953. Studimet e larta i vazhdon si student ushtarak në Shkollën e Bashkuar gjatë viteve 1953-1956, në degën e topografisë. Në vitin 1956 del oficer, me specialitet topograf. Për rezultate të shkëlqyera në mësime, merr një gradë më lart. Pasi punon 5 vjet në Tiranë si oficer-topograf, emërohet në Drejtorinë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes, ku për 6 vjet u mor me përgatitjen e shtabeve të ushtrisë. Gjatë viteve 1964-1966 përfundon studimet në Akademinë Ushtarake. Në vitin 1969 emërohet Komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Mirditë, ku qëndroi deri në korrikun e vitit 1974. Ndërkohë, gjatë viteve 1971-1972, vazhdoi Shkollën e Lartë të Partisë, ku kreu kursin e lartë të filozofisë. Gjatë vitit 1974 u emërua për disa muaj në detyrën e shefit të shtabit të Korpusit të Pukës. Po në vitin 1974 (më 9 korrik) emërohet Komandant i Korpusit të Këmbësorisë në Gjirokastër, ku qëndroi për 12 vjet. Në tetor të vitit 1985 emërohet Komandant i Divizionit të Këmbësorisë në Fier. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1989, kur u transferua për në Tiranë. Këtu punoi pranë Rajonit nr.1, ku u mor me problemet dhe detyrat e mbrojtjes civile. Pas 38 vjetësh shërbimi në ushtri, në mars të vitit 1991, Novruz Dervishaj doli në pension. Pas daljes në pension, ka vazhduar të shkruajë. Përveç shënimeve të shumta që ka hedhur në letër, ka të sistemuara mbi 450 poezi, të shkruara në kohë të ndryshme. Ka dy vëllime poetike të botuara - njëri para disa vjetësh, kurse tjetri doli nga shtypi pak kohë më parë. Pasioni i tij i përhershëm ka qenë piktura. Ka të përfunduara 800 tablo me bojë vaji dhe 1000 skica me laps dhe me bojë kine. Përveç kësaj, është mjaft i dhënë pas gdhendjes në dru. Deri tani ka 12 objekte të gdhendura. U nda nga jeta në Vlorë më 28 shkurt 2016.