Parku Kombëtar i Alpeve të Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Parku Kombëtar i Alpeve Shqiptare

Parku Kombëtar i Alpeve të Shqipërisë është një park kombëtar në Shqipëri që është shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 59, datë 26 janar 2022. Në këtë park përfshihen ekosistemet natyrore të njohura si “Lugina e Valbonës” dhe Parku i Thethit, shpallur “park kombëtar” (kategoria II) dhe “Lugina e Gashit”, shpallur “rezervë strikte natyrore” (kategoria I), në park kombëtar “Alpet e Shqipërisë” (kategoria II), që në tërësi kap një sipërfaqe prej 82 844.65ha.[1]

Vështrim[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Parku Kombëtar Alpet Shqiptare, ka një gjatësi prej 64km, gjerësi 60km dhe sipërfaqe 2,020km², dhe përbëjnë krahinën më malore dhe më interesante të vendit tonë. Ato radhitin Shqipërinë në vendet e pakta të Evropës me Alpe.

Këtu ndodhen dhe shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2,000m, majën më të lartë e Alpeve, Jezerca (2,694m), e dyta pas majës së Korabit (2,751m).

Relievi ka formën e një kupole të madhe, ndërsa kurrizet malore e luginat kanë shpërndarje rrezore. Me vlera të veçanta janë format e relievit karstik dhe akullnajor. Të shumta janë shpellat e mëdha karstike, që arrijnë deri 5km gjatësi (shpella e Pucit) etj. Relievi reliktor akullnajor, me përhapje më të madhe se kudo në Shqipëri, lidhet me lartësinë e madhe, me pozitën më veriore dhe me relievin më të zhvilluar paraakullnajor.

Midis lumenjve kryesorë të Alpeve janë: Shala, Valbona, Cemi, Curraj-Nikaj, Kiri, Gashi, Përroi i Thatë etj. Janë rreth 30 liqene akullnajore, të vendosura në grupe, si në: malësinë e Gashit (Dobërdol e Sylbicë), në Runicë dhe bllokun e Jezercës. Tokat janë të kafenjta malore, të murrme pyjore dhe livadhoremalore. Shtrirjen më të madhe e kanë tokat e murrme pyjore, të zhvilluara nën pyjet e ahut dhe të halorëve.

Bota shtazore është e pasur dhe e larmishme. Përbëhet nga shumë lloje gjitarësh, shpendësh, zvarranikësh dhe amfibësh. Takohen gjitarë të mëdhenj, të mbrojtur dhe të rrallë, si: Rrëqebulli, Dhia e egër, Kaprolli, Ariu, etj. Në ujërat e freskëta të lumenjve alpinë takohet vidra globalisht e kërcënuar.

Ndërsa nga shpendët takohen: Shkaba mjekërroshe, Shkaba, Pula me çafkë, Gjeli i egër, Gjeraqina e shkurtër, Bobo bubo, Strix aluco, Shqiponja perandore, Shqiponja e maleve, Shqiponja e vogël, Shqiponja bishtvizuar, Kali i qyqes, Shqiponja gjarpërngrënëse, Gjeraqina, Skifteri kthetra-verdhë, Skifteri kthetrazi, Skifteri i drurëve, Skifteri i Mesdheut, Krahëthati, Qukapiku i përhimë dhe Thëllëza e fushës, etj. Në ujërat e freskëta të lumenjve alpinë takohet troftat e famshme etj.

Lloje të zakonshme të amfibeve dhe reptileve janë: E bukura e dheut, Salamandra e zezë, Tritoni alpin, Tritoni i zakonshëm, Thithlopa, Thithlopa e gjelbër, Bretkosa barkverdhë, Bretkosa e drurrëve, Bretkosa e pellgjishteve, Bretkosa e kuqërremt, Bretkosa kërcimtare, Bretkosa e përrenjve, Zhapiku i shpejtë, Hardhuca e mureve, Bolla e shtëpisë, Gjarpri i butë, Gjarpri i madh i ujit, Gjarpri i vogël i shiut , Nepërka me bri, Nepërka e vogël e malit dhe Nepërka e malit.[2] [3]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave". kryeministria.al. Marrë më 26 janar 2022.
  2. ^ https://telegrafi.com/parku-kombetar-i-alpeve-nen-mbrojtjen-e-shqiperise-dhe-kosoves/
  3. ^ https://planifikimi.gov.al/index.php?eID=dumpFile&t=f&f=3675&token=2a5c8520c1a9f0718344d3ba0af41e4806c3d5c1

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]