Parku i Shkugzës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shkugëza
ShtetiKosova Kosova
KomunaGjakove
Sipërfaqja78 ha
Krijimi2011

Parku i Shkugzës është zonë rekreative dhe peisazh i mbrojtur në pjesën jugore të qytetit të Gjakovës i shtrirë mes dy kodrave të ndara nga lumi i vogël Shlepica, në lartësi mbidetare prej 410-460 m.

Ky Park shquhet me vlera të veçanta të biodiversitetit dhe peizazhit. Me propozim të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në vitin 2011 Komuna e Gjakovës ka shpallur të mbrojtur Parkun e Shkugzës në kategorinë e Zonë të Peizazhit të Mbrojtur, në sipërfaqe prej 70 ha.[1]

Parku i Shkugzës ka një rëndësi të konsiderueshme për qytetin e Gjakovës ndër tjerash edhe për aktivitet rekreative. Një pjesë e kësaj zone është në pronësi publike dhe rreth 1/3 e territorit të saj është tokë private. Në tokën publike janë ndërtuar restorante private me parkingje dhe kështu zona është bërë një lokalitet tërheqës për aktivitete të ndryshme rekreacioni.[1]

Flora dhe vegjetacioni[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1960, Shkugza ishte pyllëzuar me Pishë të Zezë (Pinus nigra). Një vlerësim i përafërt fillestar i shumëllojshmërisë bimore rezulton në rreth 280 lloje. Prej tyre mund të hasen: bishtpelëza e deleve (Festuca ovina agg.), Agrostis capillaris, Poa pratensis, bartheku (Bromus sterilis), bari mijëfletësh (Achillea millefolium), tërfili (Trifolium sp.), qumështorja (Euphorbia cyparisias), gjethe heshtorja (Plantago lanceolata), Teucrium chamaedrys, lisra (Thymus spec.), sarusha (Stachys spec), kamashna (Hieracium pilosella), Hypochoeris radicata dhe të tjera.[1]

Bimët kacavjerrëse si sumbullaria (Humulus lupulus) dhe kulpra e egër (Clematis vitalja) e bëjnë të vështirë qasjen në pyll.[1]

Dëllinja e zezë (Juniperus communis), Rosa canina (kaça) dhe kulumria (Prunus spinosa), sidomos në shpatet e lumit Shlepica, tregojnë se në këto pjesë ka pasur kullotje intensive në të kaluarën dhe tani këto shkurre nuk riprodhohen më për shkak të hijes së formuar.[1]

Drunjtë dominues, në varësi të vendeve të veçanta, janë pisha e zezë (Pinus nigra), shkoza e zezë (Carpinus orientalis), panja (Acer campestre), Ulmus spekulim., frashëri (Fraxinus ornus), lajthia (Coryllus avellana), murrizi njëbërthamësh (Crataegus monogyna), thana (Cornus mas) dhe lisi i qarrit (quercus cerris), bungëbuti (Quercus pubescens) dhe shpardhi (Quercus frainetto). Pishat e Zeza nuk janë pjesë e vegjetacionit fillestarë dhe ato nuk riprodhohen në mënyrë të natyrshme në këtë zone.[1]

Fauna[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pylli korije (zabeli) shquhet me vegjetacionin më të larmishëm në Parkun e Shkugzës dhe është një habitat i rëndësishëm për lloje të ndryshme të fluturave (Lepidoptera), brumbullin e rrezikuar kaçadremi (Lucanus cervus), hardhucën e mureve (Lacerta muralis), breshkën (Testudo hermanni) etj.[1]

Biodiversiteti i shtratit të lumit Shlepica është i kufizuar për shkak të ndotjes. Janë regjistruar llojet si tritoni (Triturus vulgaris), bretkoca barkverdhë (Bombina variegata), Rana esculenta agg., gjarpri i ujërave (Natrix natrix) etj. Në sasi të mëdha gjendet specia ujore Micropterna lateralis (nga rendi Trichoptera), e rrezikuar në disa vende evropiane dhe e regjistruar për herë të parë në Kosovë si dhe popullatat e pilivesave.[1]

Nga llojet e zogjve më të pranishmet janë qukapiku i gjelbër (Picus viridis), bilbili (Lyscinia meganchynchos) dhe disa lloje tjera.[1]

Gjendja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kohëve të fundit brenda zonës së Parkut janë ndërtuar restorante pa pasur një miratim paraprak nga organet kompetente edhe atë 3 restorante (të ndërtuara nga druri) me tarraca, kënde lojërash dhe vend parkime janë të vendosura në mes të drunjve të pishës së zezë.[1]

Problem tjetër është edhe menaxhimi me mbeturina si dhe rreziku nga zjarret të cilat janë evidente në disa pjesë të Parkut. Mbeturinat e hedhura shpeshherë digjen dhe në të njëjtën kohë paraqesin rrezik permanent për përhapjen e zjarrit edhe në pjesët tjera të pyllit. Prerjet ilegale, shkarkimi i ujërave të zeza, aktivitete te pakontrolluara pikniku, menaxhimi i pamjaftueshëm i mbeturinave (pronarët e restoranteve, publiku i cili viziton zonën, banorët lokal të fermave në rrethinë) janë disa nga problemet tjera shqetësuese për zonën.[1]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c d e f g h i j k "RAPORT PËR GJENDJEN E NATYRËS 2010 - 2014" (PDF). ammk-rks.net. Prishtinë: MINISTRIA E MJEDISIT DHE PLANIFIKIMIT HAPESINOR. 2015. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 10 shtator 2016. Marrë më 1 qershor 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)