Peshk i zier
Për zierje përdoren të gjithë llojet e peshqve me përjashtim të ngjalës, kublës etj., që kanë erë të rëndë. Peshku mund të zihet i tërë ose në copa.
Peshku i pastruar dhe i larë vendoset në tenxhere të cekët, i hidhet ujë, aq sa të mbulohet, shtohen qepë (mundësisht të pjekura mbi sobë), karota, majdanoz, kripë, piper e dafinë. Sa të marrë valë largohet nga zjarri i fortë dhe lihet në zjarr të javashëm për gjysmë ore, derisa të jetë gati. Peshku bëhet më i shijshëm dhe më i ushqyeshëm kur zihet me pak ujë në enë të mbuluar me kapak. Pasi të ketë zier, hiqet nga zjarri. Mund të jepet i nxehtë me zarzavate të ziera, sidomos me patate, ose i ftohtë, i shoqëruar me sallata të ndryshme. Në mënyrë të veçantë peshku i zier, i ftohur, shkon me sallatë perimesh, salcë majoneze (sallatë ruse) ose vetëm me majonezë.