Razma

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Razëm

Razma është një ndër pikat turistike më të afërta me qytetin e Shkodrës. Ndodhet në komunën e Shkrelit, në një distancë 43 km larg qytetit dhe 65 km larg bregdetit (Velipoja). Zona e Razmës është rreth 900 m mbi nivelin e detit. Kjo është shumë e përshtatshme për zhvillimin e turizmit malor veror dhe dimëror.

Historikisht kjo zonë ka qenë bjeshka për verrin e zonës përreth fshatit Vrith dhe është shfrytëzuar edhe nga shumë tregtarë nga qyteti i Shkodrës. Një nga vendet e bukura malore të Shqipërisë e cila është zbuluar që në shek. XIX nga të huajt. Të parët që e kanë vlerësuar bukurinë dhe pasurinë e saj natyrore ishin botanisti italian Antonio Baldoci, austriaku Dofler, dhe gjeologu Boran Nopce.

Rreth viteve 1920 filloi të shfrytëzohet nga barinjtë për stane verore dhe me rritjen e standardeve të jetesës, tregtarët shkodranë ndërtuan atje shtëpitë e tyre verore. Në vitin 1953 kjo zonë u shtetëzua dhe u krijua kampi i pushimit të punëtorëve i cili zgjati aktivitetin e vet deri në vitin 1990. Gjatë kësaj periudhe zona është shfrytëzuar si kamp pushimi veror për punëtorë dhe si pikë ekskursionesh për periudhën dimërore.

Sipërfaqja totale është 3680 hektarë. Zona turistike e Razmës, në ndryshim prej zonave tjera turistike të alpeve, shtrihet mbi një pllajë karstike, e cila paraqet kontraste befasuese në reliev, mes majave piramidale në pjesën më të madhe të pyllëzuara dhe gropave karstike, akullnajoro-karstike të mbuluara nga kullotat alpine.

Gjeografia[redakto | redakto tekstin burimor]

Relievi i Razmës ndërtohet tërësisht prej shkëmbinjve karbonatikë të mesozoit me një strukturë bllokore tipike të ngritur mbi 1500 m lartësi, shkalla e lartë e tretshmërisë së këtyre shkëmbinjve ka bërë që në relievin alpin të Razmës, vendin kryesor ta zëjë morfologjia karstike. Ky reliev përfaqësohet nga fushat (e Razmës, Troshanit, Fusha e Zezë) në trajtën e gropave, hingave dhe shpellave karstike ku këto të fundit përbëjnë një objekt turistik me vlerë për eksplorimin e tyre. Gjurmët e veprimtarisë së akujve të kuatërnarit i gjejmë në Fushën e Zezë, atë të Razmës, dhe depozitive midis Razmës e Vrithit. Format më të mprehta të relievit me vlera turistike (alpinizëm, piknike etj) në këtë zonë i përkasin kurrizit malor Veleçik (1724 m) - Kunorë (1713 m) në veri të Razmës dhe Kunorës së Zagorës (1862 m) në lindje të saj. Relievi malor i Razmës me pyjet impresionuese të ahut e pishës, ajrin e pastër dhe të freskët sidomos gjatë verës e dimrit, përmban në vetvete vlera turistike të veçanta. Larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egjër në këtë zonë, përbën një mundësi të mirë për zhvillimin e gjuetisë.

Këtu ka disa ekosisteme të paprekura që shihen shumë thjeshtë.

Sezoni 4 stinë[redakto | redakto tekstin burimor]

Ndër llojet e turizmit që mund të zhvillohet në këtë zonë, përmendim:


Razma turistike tek Natyrali

  • Turizëm shkencor (gjeografik, turistik, historik, etnografik, biologjik, zoologjik, spelologjik)
  • Turizmi gjeografik me larminë e objekteve gjeografike në majat e ndryshme të kësaj zone si maja e Veleçikut, maja e Kunorës, etj.


  • Turizmi gjeologjik me karakteristikat gjeologjike të kësaj zone mund të themi se depozitimet e ndryshme të mesozoit, të kenozoit dhe në pjesën më të madhe të kuaternarit si dhe thyerjet tektonik tërthore e afrogjatësore të kësaj zone kanë një interes studimor për studiuesit e kësaj fushe.


  • Turizmi historik: popullsia e kësaj zone ka zhvilluar një luftë të vazhdueshme kundër pushtuesve të ndryshëm, (turqit, serbët, malazezët) prandaj studimi i historisë së kësaj zone dhe nxjerrja në pah i saj kanë një interes historik.


  • Turizmi etnografik: Zona e Razmës ofron vlera të papërsëritshme studimore për etnografët. Vetë veshja karakteristike e kësaj zone, për burrat këmisha e gjatë me Dallomë (xhamadan prej shajaku) dhe për gratë e vajzat xhubleta 3000 vjeçare, vetë karakteristikat e banesavet ku ato shquhen për një zgjidhje të thjeshtë dhe drejtim arkitektonik dhe dekorativ të varfër.

Razma turistike Komuna e Shkrelit

Ceremoniali i dasmës ku ishte zakon që dhëndërri ditën e dasmës të vishej me rrobet më të vjetra e të shkonte me bagëti ose të fshihej në shtëpinë e ndonjë shokut. Me zbritjen e nuses nga kali i vihej në prehër një djalë i vogël (që nusja të lindte sa më shumë djem) por edhe për ceremonitë e tjera të jetës së përditshme mendojmë se interesi studimor është mjaft i madh, ka traditë këngën me lahutë, atë maje krahu (me jehona), ninullat, fyellin.

Razma turistike tek Natyrali


  • Turizmi spelologjik: i promovuar nga SHOQATA E ALPEVE SHQIPTARE (SHASH) fillon tek Shpella e majës së Veleçikut, është e madhe, 28 m e thellë vertikalisht, Shpella e Lugjeve në V-L të fshatit të Razmës, e cila ka një zhvillim gjatësor me ngritje 10° me gjatës 79 m në fund degëzohet në dy drejtime të ngushta. Ujërat që rrjedhin këtu janë ujëra të pastra, të pijshëm, që formojnë burimet e grykës së Lugjeve mund të vizitohet edhe nga amatorë e vizitorë të thjeshtë.

Edhe sporti i gjuetisë mund të aplikohet këtu për turistët që ìa ka ënda, sepse larmia e kafshëve dhe e shpendëve të egjër është e lloj-llojshme, e gjuetia në këto zona është shumë e përshtatshme.

Në këtë zonë mund të aplikohen sporte të tjera: si gara e shëtitje me kuaj, biçikleta, etj.

Gjatë dimrit ka hapësira të volitshme për ski, sidomos në Fushën e Zezë, si dhe fushat sportive të kampit të Razmës. Kjo zonë ofron mundësi për zhvillimin e turizmit familjar[1].

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Razma