Sadri Ferati

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sadri Ferati u lind më 10 qershor 1957 në fshatin Vërrnice te Mitrovicës.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sadri Ferati shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Studimet universitare në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë i përfundoi më 1985. Në vitin 1992, z. Sadri Ferati u zgjodh Sekretar dhe nënkryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë. Më 1997 z. Ferati u zgjodh Deputet i Kuvendit të Kosovës. Nga viti 1985 deri më 1992 punoi shef i Sektorit të zhvillimit në industrinë e ngjyrave dhe llaqeve “Extra” në Vushtrri. Nga viti 1993 deri më 2004, ishte menaxher i ndërmarrjes private “Molitoria” po ashtu në Vushtrri. Në vitin 2004, z. Ferati u emërua drejtor i Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë. Krahas angazhimeve profesionale dhe politike, në tetor të vitit 2005, z. Sadri Ferati u zgjodh Kryeshef i Ekzekutivit të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës. Në zgjedhjet e Kuvendit të VI-të të Degës së Lidhjes Demokratike të mbajtura në janar të vitit 2007, z. Sadri Ferati u zgjodh nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë. Më 08 janar 2008, z. Sadri Ferati u nominua Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës. Më 17 dhjetor 2008, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, emëroi z. Sadri Ferati në postin e Sekretarit teknik-administrativ të LDK-së.

Ministri Ferati flet gjuhën shqipe, angleze dhe serbe. Është i martuar dhe baba i tre fëmijëve: Dastidit, Nitës dhe Vlerës dhe jeton në Mitrovicë.