Shën Vlashi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Ikona e Shën Vlashit në Durrës

Shën Vlashi Shenjtor i krishterë që u martirizua në kohën e perandorit Licin. Kulti i tij u përhap në Europë në shek. VIII. Mbivendosen tek ai dy figura: njëra armene, tjetra ballkanike, ky i dyti i torturuar dhe i martirizuar në Durrës.[1]

Qysh në shek. XIV përmendet në Shqipëri një manastir kushtuar atij në malin Tomorr. Një tjetër manastir i tiji, në Shënavlash pranë Durrësit, ishte vend pelegrinazhi ku shkohej me shpresë për të shëruar sëmundjet. Kisha të kushtuara atij ka pasur në Shkodër (shek. XIV), Kthellë, Skuraj, Gur i Bardhë, Gjonëm, Mazhë, Mëner, Bishqem, Gjuricaj, një kishë ortodokse e shek. XIX në Dhuvjan etj. Kremton më 11 shkurt.

Vendi i Pelegrinazhit[redakto | redakto tekstin burimor]

Pranë qytetit të Durrësit, ndodhet Manastiri i Shën Vlashit, në fshatin që mban emrin e shenjtorit mblidhen çdo vit qindra e mijëra besimtarë. Është vendi ku prezenca e hirit të Perëndisë, shenjtëria dhe besimi i shenjtorit janë monumente të gjalla. Duke kërkuar ndërmjetimin e shenjtorit dhe hirin e Perëndisë, shumë njerëz përjetuan shërimin, ashtu siç e përjetoi djali që i kishte mbetur hala në fyt. Nisur nga ky fakt shenjtori është shërues i sëmundjeve të grykës. Këtij manastiri i bashkëngjitet dhe Akademia Teologjike Ngjallja e Krishtit si dhe Shtëpia e Fëmijës "Shpresa" për të treguar në mënyrë simbolike lidhjen e fortë të shenjtorit me studimet në tërësi dhe ato teologjike në veçanti si dhe lidhjen e tij të fortë me fëmijët dhe përkujdesjen shpirtërore të tyre. Duke parë të gjitha këto Kisha jonë në nderim të shenjtorit zhvillon një shërbesë panigjirike, në të cilën marrin pjesë besimtar jo vetëm nga qyteti i Durrësit dhe rrethinat e tij, por dhe nga krahinat e tjera të Shqipërisë. Është kjo shërbesë panigjirike që fillon nga mbrëmja e datës 10 dhe duke vazhduar në mëngjesin e datës 11 me Liturgjinë hyjnore, momentin më të rëndësishëm të adhurimit ortodoks. Besimi dhe komunikimi në Perëndinë e Tërëfuqishëm është një çështje personale, por dhe komunitare. Është personale, sepse çdo njeri i afrohet Perëndisë me ekzistencën, individualitetin dhe veçorinë e tij. Dhe është çështje komunitare sepse besimtari apo personi që hyn në një komunikim me Perëndinë lutet dhe për të tjerët, qofshin këta të gjallë apo të vdekur (fjetur - përdoret në terminologjinë e krishterë ortodokse). Gjithashtu besimtari i krishterë, duke jetuar në një shoqëri ndikohet nga traditat, zakonet, besimi dhe shembujt që ofrojnë shoqëria dhe komuniteti që ai jeton. Këto ndikime janë të panumërta në besimin dhe Kishën Ortodokse.

Jeta si Shenjtor[redakto | redakto tekstin burimor]

Shën Vlashi lindi në Azinë e Vogël në krahinën e Pontit dhe jetoi në kohën e sundimit të mbretërisë së Likinit (308-323). Sipas Thoma Çomënit Pedagog i Akademisë Teologjike "Ngjallja e Krishtit" në Shën Vlash, Durrës ishte koha kur Perandoria Romake po pësonte ndryshime të mëdha, pasi brenda saj kishte përplasje për ndarjen e pushtetit, ku Galerio, Kostandini, Maksimiani dhe Likini nuk pranonin Maksendin, i cili ishte august i Afrikës dhe Italisë. Megjithëse vëmendja e sundimtarëve ishte përqendruar tek lufta për pushtet,  nuk hiqnin dorë nga përndjekja ndaj të krishterëve. Ndoshta është koha kur fryma e përndjekjes po jepte shpirt dhe përpiqej për të realizuar misionin e saj negativ, shkatërrimin e Kishës së Krishtit. Në këtë situatë jetoi dhe shën Vlashi. Është përfaqësues dhe shembull i besimtarit, tek i cili jeta e shërbimit si klerik (peshkop) është vazhdim i natyrshëm i jetës si laik. Nuk është rastësi që jetën e tij e krahasojnë me Jobin e drejtë të Dhiatës së Vjetër (libri i Jobit). Një jetë e tillë ku ndershmëria, padjallëzia, studimi i botës për të kuptuar madhështinë e saj dhe mbi të gjitha madhështinë e Krijuesit e bënë të aftë dhe të gatshëm për të qenë shërbyes i denjë në altarin e Krishtit. Studimet në shkencën e mjekësisë dhe në Shkrimin e Shenjtë i dhanë mundësinë të njohin kufinjtë e boëts kozmike dhe asaj hyjnore. Në këtë mënyrë, Shën Vlashi u bë i aftë të jetë atë dhe udhërrëfyes i jetës shoqërore dhe shpirtërore i besimtarëve të Sebastisë. Si mjek, ai interesohej për trupin e njeriut ashtu si interesohet çdo mjek tjetër, por njëkohësisht shkonte më tej duke e parë trupin e njeriut si “tempull të Shpirtit të Shenjtë” (I Kor. 6:19). Kjo e bëri dhe më të ndjeshëm përballë sëmundjeve trupore dhe shpirtërore. Kështu shenjtori bëhet jo vetëm një mjek i trupit, por dhe i shpirtit. Besimtarët e krishterë kremtojnë dhe nderojnë një shenjtor, i cili kujdesej për trupin, duke afruar vizita dhe ilaçe si mjek i trupit dhe shpesh herë falas. Madje për të arritur këtë detyrë humane dhe të shenjtë trokiste në dyert e besimtarëve të ndryshëm duke kërkuar ndihmën e tyre ekonomike dhe asnjëherë besimtarët dhe Perëndia nuk e braktisi. Ishte kjo një mënyrë që lidhjes shoqërore ët njerëzve t’i shtohej dhe lidhja shpirtërore. Por në të njëjtën kohë duke qenë besimtar dhe në komunikim të fortë me Perëndinë nëpërmjet hirit hyjnor ofron shërime dhe me anë të mrekullive, si rasti i fëmijës që i kishte mbetur hala e peshkut në gojën e tij. Shenjtori jetonte brenda në botë duke përjetuar dy dimesionet e saj, dimesionin mondan ku mbizotëronte zhurma që ofronte jeta e qendrave të banuara dhe dimesionin e përjetësisë hyjnore, ku mbizotëronte qetësia të cilën ofronte shkretëtira dhe mali Argjeo në Kapadaoqi, kur shkoi për të jetuar në një shpellë. Është i ngjashëm ky përjetim me atë të Zotit Jisu Krisht, i cili shkoi për 40 ditë në shkretëtirë (Mt. 4:1-11). Ishte kjo një mënyrë për t’u përqendruar, pasi përqendrimi është një nga armët e forta të lutjes. Atje shenjtori kuptoi sa  shumë nevojë ka bota për lutjen, qetësinë dhe reflektimin. Ishte ky përjetim i tij, të cilin e bëri “të famshëm”  jo vetëm tek besimtarët e krishterë të krahinës së Sebastisë, por dhe tek njerëzit të cilët besonin dhe sakrifikonin tek idhujt. Ata, të mrekulluar nga besimi, shenjtëria dhe mirësia e shenjtorit braktisën besimin e vjetër duke pranuar besimin e ri të themeluar nga Biri i Perëndisë, Jisu Krishti. Por kjo paraqitje e shenjtorit nuk i pëlqeu sundimtarit Agrikola dhe pasuesve të tij. Një grumbull i madh kafshësh të egra gjendeshin rreth shpellës, të cilat silleshin me butësi dhe në mes tyre qëndronte shenjtori që lutej. Kjo mrekulloi ndjekësit e sundimtarit, por jo sundimtarin, i cili nuk mund të pranonte se si një i krishterë i falej Jisu Krishtit dhe jo idhujve të cilëve ai i besonte. Butësia e tij, fuqia për të bërë mrekulli dhe vendosmëria në besimin e tij e bënë shenjtorin fuqizues të besimit tek besimtarët, por në të njëjtën kohë nxori në pah kotësinë e sunduesit dhe ndjekësve të tij. Duke përjetuar në këtë formë afërsinë e Perëndisë, shenjtori nuk iu frikësohej as torturave, as përçmimeve dhe as martirizimit. Është i habitshëm ky fenomen, duke pasur parasysh faktin që shenjtori është me profesion mjek. Por dhe ky fenomen i habitshëm e ka shpegimin në konceptin që për shërimin e të tjerëve i lutej Perëndisë, ndërsa për veten e vet e pranonte me butësi martirizimin në qoftë se bëhej për lavdi të Perëndisë. Të dy këto fenomene që ndodhin tek shenjtori nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, por e forcojnë, sepse shërimi i një personi është një mundësi që i jepet njeriut për të njohur më mirë Perëndinë e Gjithëfuqishëm dhe në rastin e dytë shenjtori e dinte se me martirizimin e tij nuk është një formë e vrasjes apo vetëvrasjes nga dëshpërimi, por një pranim i të keqes së tjetrit për shpëtimin e shpirtit të tij. Kështu shenjtori u martirizua në qytetin e Sebastisë në vitin 316 pas Krishtit në kohën kur sundimtar i krahinës ishte Agrikola. Besimi, urtësia dhe shenjtëria e Shën Vlashit nuk mund të mbeteshin të kufizuara në krahinën në të cilën ai jetoi. Ashtu si hiri i Perëndisë që përhapet me shpejtësi, fuqi dhe forcë ashtu ndodhi dhe me shenjtërinë e tij. Që në atë kohë shenjtori filloi të nderohet në shumë vende të botës, ashtu si dhe në vendin tonë.

References[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Robert Elsie (2001). The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture. NYU Press. pp. 41–. ISBN 978-0-8147-2214-5. Marrë më 29 November 2012.