Shkolla e mesme elektroteknike Gjin Gazulli
Shkolla e mesme elektroteknike Gjin Gazulli - themelet e kësaj shkolle janë vënë në vitin 1979. Atëherë pranë kësaj shkolle mësimi zhvillohej në profile të ndryshme arsimore. Që nga viti 1987 kjo shkollë është vetëm elektroteknike dhe si e tillë në kontinuitet forcoi rritën dhe përkushtimin e nxënësve dhe arsimtarëve për profesionalizëm të mëtejmë dhe nxënie të njohurive të njohurive të reja.
Lëvizja e vitit 1981 morri karakter të plotë kombëtar. Pjesëtarë të kësaj lëvizje ishin edhe nxënësit e shkollës sonë. Demonstratat e 1 dhe 2 prillit ishin më të përgjakshme. Me 2 prill u plagosën për vdekje dy nxënësit maturantë të shkollës sonë : Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Gjaku i tyre ishte dhe do të jetë amanet dhe nuk do të harrohet kurrë. Ata i shkruan faqet e rezistencës kombëtare, që vazhdoi edhe në vitet e mëvonshme.
Në vitin 1991 kur regjimi serb nxori me dhunë jashtë shkollës nxënësit dhe arsimtarët shqiptar, përkundër shantazheve dhe kushteve që vinin e vështirësoheshin puna vazhdoi në shtëpi-shkollë. Mësimi shtëpi-shkollë u zhvillua përplot tetë vite. Si shumë shkolla tjera edhe shkollën tonë e goditi rëndë lufta që u zhvillua në Kosovë, u ndanë për gjithmonë nga jeta nxënësit Burim Grajqevci- pjesëtarë i UÇK-ës, Uran Ajeti, Latif Krasniqi dhe Kushtrim Kelmendi. Emrat e tyre do të kujtohen gjithmonë nga nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle.
Më 13 shtator të vitit 1999 u rikthyem në objektin tonë shkollor. Atëherë shkolla numëronte 1144 nxënës të shpërndarë në 33 paralele.
Mbarëvajtjen e mësimit e kanë mundësuar dhe e mundësojnë mjetet e ndryshme që kanë hyrë në shkollë përmes organizatave ndërkombëtare dhe të vendit. Projekti i parë është realizuar nga Bashkësia Evropiane. Shkollën tonë e ndihmuan edhe shoqata italiane Arko Baleno, UNMIK-u, KFOR-i, Kryqi i Kuq, Kosveti, etj.
Shkolla është binjakëzuar me shkollën e mesme teknike të Gostivarit, G. Feltrineli të Milanos, me Dvajt Ajzenhauer e Manhattan të New York dhe me gjimnazin e Durrësit. Përmes gazetës “Elektroni” që del një herë në vit nxënësit tanë kanë mundësi të paraqesin aftësitë e tyre në lëmit e ndryshme të jetës.