Jump to content

Shoqata "Motrat Qiriazi"

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Në vitin 1989, Igballe Rogova, së bashku me motrën e saj Safete Rogova dhe disa intelektuale të tjera, themeluan shoqatën "Motrat Qiriazi", me synim përmirësimin e kushteve të jetesës për gratë dhe vajzat, duke luftuar analfabetizmin dhe promovuar arsimimin. Gjatë viteve të rezistencës kolektive të viteve 1990 në Kosovë, aktiviteti i shoqatës "Motrat Qiriazi" u përqendrua në ngritjen e vetëdijes për të drejtat e gruas, për barazi dhe fuqizim.

Vitet 1994-1995 dhe Regjioni i Hasit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë viteve 1994-1995, aktiviteti i shoqatës u përqendrua në regjionin e Hasit, duke mbajtur takime të vazhdueshme me gratë dhe vajzat e Hasit për emancipimin dhe vetëdijesimin për të drejtat e tyre. Shoqata realizoi shumë projekte për ndërtimin e shkollave të reja, hapjen e shkollave të mesme dhe pasurimin e shkollave me biblioteka. Paralelisht, u hapën kurse për mësimin e gjuhës angleze, kurse për amvisni, frizere, rrobaqepësi dhe auto-shkollë (Farnsworth, 2008).[1]

Infrastruktura dhe Protestat

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shoqata "Motrat Qiriazi" e vuri në dukje problemin e infrastrukturës, ujit dhe filloi asfaltimin e rrugëve, furnizimin me ujë të pijshëm dhe ambulancave. Ajo botoi revistën Të jesh Grua, realizoi filma dokumentarë për problemet e gruas dhe mori pjesë në protestat kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe dhunës në Kosovë, si protestat e marsit të vitit 1998.[2]

Botime dhe Kontributi Kulturor

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shoqata kontribuoi për botimin e librave, si monografia Motrat Qiriazi  e Dhimitër Dishnicës, poezitë e Shqipe Malushit me titull Për ty (Malushi, 2011)[3], dhe poezitë e Flora Brovinës Thirrje e Kosovës (Brovina, 1999). Aktiviteti i shoqatës nuk u ndal vetëm në këto drejtime. Ajo realizoi dhe shpërndau audiokaseta, të cilat u shpërndanë fshat më fshat, bibliotekë më bibliotekë, si: Përrallëza për fëmijë, Qiriri i pashuar, Poezi e uratë (në përkujtim të njëvjetorit të kalimit në amshim të Nënës Terezë), Harqet e Urave, Vargjet e Poeteshave, Klithje e Kosovës, Rrëfimet Tona dhe T’i Njohim të Drejtat Tona.

Kontributi i Safete Rogovës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kontribut të madh për realizimin e aktiviteteve ofroi përvoja e artistes së skenës Safete Rogova dhe zëri i saj i veçantë me shqiptim të lakmueshëm artistik.

Rikthimi i Figurës së Motrave Qiriazi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për 20 vjet rresht, gjatë veprimtarisë së shoqatës "Motrat Qiriazi", ajo ia doli mbanë ta rikthejë dinjitetshëm figurën e ndritshme të dy motrave Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, të cilat hapën shkollën e parë shqipe për vajza në Korçë, në vitin 1892 (Portal i Shkollor, 2024).[4][5]

  1. ^ Farnsworth, Nicole; Vuniqi, Luljeta (2009). Histori është edhe tregimi i saj : historia e grave në shoqërinë civile, 1980-2004. Qendra kosovare për studime gjinore. ISBN 9789951558068.
  2. ^ Kadriu, Aurela (18 pri 2018). "Eliza Hoxha". Oral History Kosovo. Marrë më 2024-11-14.
  3. ^ Malushi, Shqipe. Për ty. Shtëpia Botuese Buzuku. ISBN 978-8677850639. {{cite book}}: Shiko vlerën e |isbn=: shifra e kontrollit (Ndihmë!)
  4. ^ Grazeta. "129-vjetori i Shkollës së parë shqipe për vajza". GRAZETA.COM (në anglishte amerikane). Marrë më 2024-11-14.
  5. ^ "Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, mësueset e para të gjuhës shqipe". www.portalishkollor.al. 2020. Marrë më 2024-11-14.