Jump to content

Shtëpia e Muhamer Shabanit, Përlepnicë, Gjilan

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shtëpia e Muhamer Shabanit gjendet në fshatin Përlepnicë të komunës së Gjilanit.Shtëpia është ndërtuar në dekadën e fundit të shek. të XIX-të, pikërisht më 1880.Është e vendosur në vend të rrafhsët, dhe ka vlera arkitekturale, artistike e estetike.Është objekt me karakter të banimit familjar e që në vetvete përmban elemente shqiptare. Shtëpia në bazë është kënddrejtë dhe ka përdhesën dhe katin me strukturë të murimit prej guri, druri dhe qerpiçi.Gjatë murimit të katit përdhesë janë perdorur gurë dhe hatulla si përforcim të mureve konstruktive.Në katin përdhesë ka qenë ahuri për kafshë, ndërsa në kat shtëpia e zjarrit - oda e burrave.Mirëpo për shkak te nevojave familjare, (ngase gjyshi i Samiut, Tasimi, kishte 10 fëmijë), dhoma e zjarrit është zhvendosur nga kati në përdhesë,ku është bërë edhe ndërtimi i oxhakut, i cili nuk ishte më parë.Kati i shtëpisë, ka koridorin, prej nga dilet në pjesën ballore të shtëpisë, ku është ballkoni i hapur dhe i dal jashtë, i cili përkundër derës që nuk e ka ruajtur gjendjen origjinale, është mjaft i ruajtur dhe përmban të gjitha elementet e kohës së ndërtimit , që karakterizohet me punim nga druri dhe ka tre shtylla modeste në formë katrore.Në kat janë katër dhoma ku brendësia e tyre veçohet me tavanet, raftet, vitrina, hamamet (banjot),oxhaqet si dhe dritaret e kohës të ruajtura në mënyrë mjaft të mirë. Sipas të dhënave të familjarëve, shtëpia është ndërtuar nga Shaban aga stërgjyshi i Muhamerit, i cili ishte djali i Ahmetit.Shtëpia e Muhamer Shabanit, përveç vlerave kulturore, ka edhe vlera historike,pasi që në këtë shtëpi kishte qëndruar Isa Boletini gjatë kohës kur kishte ardhur për punë të tregtisë.Kur kalonte në këto anë, si dhe në Përlepnicë,ai si vendqëndrim e kishte shtëpinë e Shaban agës. Pavarësisht se kjo shtëpi, në periudha të ndryshme ka pësuar renovime,ndërtimi themelor nuk ka ndryshuar.Tani pronari Muhamer Shabani ia ka kthyer, pothuajse në mënyrë të tërësishme, gjendjen fillestare, origjinalitetin që e kishte më parë.[1]

  1. ^ Kadriu, Sherafedin; Hoxha, Arton; Tafili, Ismet; Rrustemi, Sabit (2016). Trashëgimia kulturore e rajonit të Gjilanit. Gjilan: Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Gjilan. fq. 123. ISBN 978-9951-8760-4-9. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)