Jump to content

Skender Hyseni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Skënder Hyseni është lindur më 17 shkurt 1955, në komunën e Podujevës.

Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në qytetin e lindjes, ndërkaq studimet universitare në Prishtinë, në degën e gjuhës dhe letërsisë angleze. Pas përfundimit të studimeve universitare z. Hyseni vëmendjen e tij e ka përqendruar në fushën e gjuhësisë së përgjithshme dhe sistemeve politike. Ka qëndruar për studime të shkurta në Bloomsburg State College, SHBA (1978) dhe në Universitetin e Aberdinit, Skoci (1986).[1] Angazhimin e tij politik z. Hyseni e ka filluar me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1989, për tu angazhuar në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK) më 1992 si gazetar dhe përkthyes. Ka qenë njëri nga redaktorët dhe bashkëthemeluesit e Kosova Daily Report (buletin lajmesh në gjuhën angleze). Pas zgjedhjes së Dr. Rugovës, president i Kosovës më 1992, z. Hyseni i bashkangjitet ekipit të ngushtë të tij, për t’u bërë njëri nga këshilltarët e tij kryesorë. Në prag të konferencës së Rambujesë, ku ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës, z. Hyseni ka vazhduar të jetë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë, si këshilltar i parë i presidentit Rugova, deri në vdekje të këtij të fundit. Ka vazhduar të jetë këshilltar kryesor politik edhe i presidentit Fatmir Sejdiu. Anëtar i të gjitha delegacioneve të Kosovës në bisedimet e Vjenës për status, Skënder Hyseni, njëherazi edhe zëdhënës i Ekipit Negociatior të Kosovës, në zgjedhjet e fundit për Parlamentin e Kosovës është zgjedhur drejtpërsëdrejti deputet i këtij Parlamenti. Ndërkaq, në seancën e parë të këtij kuvendi është zgjedhur ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Është anëtar i kryesisë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryeson komisionin për marrëdhënie me jashtë të kësaj force politike. Po ashtu është anëtar i komisionit kushtetues të Kosovës. Më 3 prill 2008, z. Hyseni është zgjedhur ministri i parë i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës. Me 9 dhjetor 2014, z. Hyseni zgjidhet Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga akademik Isa Mustafa.

Zoti Hyseni është i martuar me Znj. Drita Hyseni (drejtoreshë shkolle në Prishtinë) dhe ata kanë katër fëmijë: dy vajza dhe dy djem.