Jump to content

Tërmeti i Shkodrës (1905)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Tërmeti i Shkodrës i vitit 1905 ra më 1 qershor në orën 05:42, pati magnitudë 6.6 dhe intensitet në epiqendër mbi 9 ballë.

Ai goditi shumë rëndë qytetin e Shkodrës dhe fshatrat rreth tij. Zona epiqendrore kapi fshatin Trush dhe një pjesë të zonës së Nënshkodrës, duke përfshirë Bahçallëkun dhe pjesën jugore të qytetit. Epiqendra makrosizmike kishte koordinata 42°00 V, 19°50 L, e thellësi vatre 11 km. Në vendin tonë pati rreth 200 të vdekur dhe rreth 500 të plagosur. Vetëm në qytetin e Shkodrës u shkatërruan plotësisht 1500 shtëpi.

Në zonën epiqendrore u vunë re dukuri të shumta të shkatërrimit të truallit, si rrëzime të brigjeve të Bunës, Kirit dhe Drinit, duke krijuar kështu lumin Drinasa, çarje të mëdha toke me shatërvane uji dhe rëre, si edhe shformim dhe valëzim i truallit. Në afërsi të fshatit Trush u vrojtua edhe dalja në sipërfaqe e një thyerjeje me drejtim JP-VL, sipas së cilës blloku VL ishte më i ngritur. Brenda Shkodrës së vjetër intensiteti sizmik ndryshonte nga 9 ballë për shkak të kushteve të këqija të truallit (Bahçallëk, Tabakë, etj), deri në 7 ballë (në gëlqerorët e lagjes Pazar).

Ky tërmet u shoqërua nga një numër shumë i madh pasgoditjesh (rreth 600 pasgoditje) të cilat vazhduan deri në korrik 1906. Ishin shumë të fuqishme ato të 3 qershorit, 16 korrikut dhe 4 gushtit 1905, që kishin përkatësisht magnitudë 6.0, 5.8 dhe 5.9 dhe intensitet në epiqendrat e tyre deri 8 ballë.

Pasojat e këtij tërmeti qenë një tragjedi e vërtetë për popullsinë, e cila nuk mundi t’i likuidonte ato për vite me radhë. Pas këtij tërmeti Shkodra u zhvendos në vendin e sotëm.